Fiskalizimi / Ministria e Financave: Po shqyrtojmë opsionet nëse është e nevojshme shtyrja; Mbështetje subjekteve me qëllim zbatimin vullnetar

24/06/2021 11:02 PM 0 komente

Nga 1 korriku pritet të nisë faza e dytë e fiskalizimit ku do të përfshihen rreth 51 mijë biznese.

Pak ditë para fillimit të fazës së 1 korrikut, kontabilistët dhe audituesit ligjorë rekomanduan shtyrje të tij, pasi është i pazbatueshëm dhe bizneseve iu duhet më tepër kohë të përgatiten për ndryshimet.

Por a do të ketë një shtyrje të fazës së dytë që përfshin fiskalizmin e faturave për transaksionet pa para në dorë mes bizneseve? Në reagimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë pas interesimit të Monitor theksohet se për çdo problematikë që bizneset do të hasin, qasja e administratës tatimore do të jetë ndihmuese dhe jo ndëshkuese. Parashikohet që deri në fund të vitit të mos vendosen penalitete ndaj bizneseve.

Ministria e Financave thotë gjithashtu se së bashkë me drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve është duke diskutuar opsionet nëse do të nevojitet një shtyrje e fiskalizimit. “Në këtë vijimësi, MFE dhe DPT po diskutojnë opsione nëse është e nevojshme ndonjë shtyrje afati, ndërkohë që në vitin e parë të implementimit të Fiskalizimit strategjia e Administratës Tatimore do jetë edukimi dhe mbështetja e subjekteve me qëllim zbatimin vullnetar të detyrimeve ligjore dhe jo vendosja e penaliteteve dhe dënimeve”, nënvizon Ministria e Financave në reagimin e saj.

Reagimi i Ministrisë së Financave

“Në kuadër të reformës madhore të fiskalizimit, e cila si çdo reformë tjetër ka nevojë për një periudhë testimi, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve janë të angazhuar që të zhvillojmë procesin me të gjitha palët e interesuara, përfshirë këtu kontabilistët, bankat, operatorët ekonomikë, etj, për të zgjidhur çdo problematikë të identifikuar.

Jemi të angazhuar të zhvillojmë sistemin në një mënyrë që të jetë sa më i lehtë për t’u përdorur dhe të jetë sa më afër nevojave të biznesit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka zhvilluar takime të ndryshme dhe ka ndërmarrë iniciativa për ta zhvilluar sistemin, për t’i ardhur në ndihmë sektorëve të ndryshëm si Exchange, sektori i transportit, bankat, telekomunikacioni energjia etj. Gjithashtu, është marrë angazhimi që gjatë gjithë vitit 2021, pavarësisht afateve ligjore, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do t’i ofrojë asistencën maksimale çdo biznesi, duke i këshilluar dhe ofruar shërbimet e saj.

Qasja e MFE-s dhe DPT në këtë proces është ndihmuese dhe jo ndëshkuese për çdo problematikë që bizneset mund të kenë. Në këtë vijimësi, MFE dhe DPT po diskutojnë opsione nëse është e nevojshme ndonjë shtyrje afati, ndërkohë që në vitin e parë të implementimit të Fiskalizimit strategjia e Administratës Tatimore do jetë edukimi dhe mbështetja e subjekteve me qëllim zbatimin vullnetar të detyrimeve ligjore dhe jo vendosja e penaliteteve dhe dënimeve.

Sqarojmë se për shkak të pandemisë, Projekti i Fiskalizimit është shtyrë nga viti 2019 në vitin 2021, pra për dy vjet. Sqarojmë se shtyrjet e vazhdueshme për aplikimin e ligjit nuk sjellin pasoja pozitive në këtë proces të rëndësishëm, përkundrazi, edhe mund të kompromentojnë një reformë shumë të rëndësishme në fushën e financave publike.

Për sa më sipër, MFE dhe DPT inkurajojnë bizneset të regjistrohen në platformë dhe të nisin procesin. Subjektet ekonomike përfshirë edhe kontabilistët, audituesit duhet të jenë të përgjegjshëm në kohën e duhur për zbatimin e ligjit. E drejta e marrjes së certifikatës së firmës elektronike ka qenë e mundur me kohë, qe para hyrjes në fuqi të Ligjit të Fiskalizimit dhe nuk kishte arsye te lihej për 2-3 javët e fundit të zbatimit të ligjit kur dihej që para dy vjetësh se kur ky detyrim do hynte në fuqi. Në këtë kuptim, vonesat në proces, pavarësisht se afatet e zbatimit janë shtyrë, janë krijuar edhe për shkaqe subjektive të mosvëmendjes, neglizhencës apo mosvlerësimit në kohen e duhur të procesit nga vetë këta aktorë.”

Më herët Ministria e Financave ju dërgoi për konsultim bizneseve Aktin Normativ për pezullimin e gjobave ndaj fiskalizimit deri më 31 dhjetor 2021. Nisma ligjore u kundërshtua nga ekspertët, pasi sipas tyre procesi i fiskalizmit është i pazbatueshëm dhe vihet në vështirësi nga shumë problematika të hasur në praktikë që nuk rregullohen në legjislacion. Për këtë arsye zgjidhje e domosdoshme do të ishte shtyrja e procesit apo zgjatja e fazës së parë, siç ka ndodhur ne vendet e zhvilluara./Dorina Azo

Lexo edhe këtë: Papajani: Mos ngrini gjobat për fiskalizimin, pezulloni gjithë procesin, është i paqartë dhe ka shumë kosto për bizneset |Revista Monitor

Lexo edhe këtë: Akt normativ për heqjen e gjobave të fiskalizimit deri në 31 dhjetor 2021; Pandemia ka krijuar një situatë të vështirë ekonomike dhe sociale

 

Ibrahimaj: Nuk ndryshojnë afatet e fiskalizimit, s’do ketë qasje penalizuese ndaj bizneseve

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of