Fiskalizimi, Tatimet ftojnë bizneset për trajnime në webinar; Si bëhet regjistrimi i subjekteve

22/02/2021 11:00 AM 0 komente

Nga 1 janari 2021 nisi zbatimin procesi i fiskalizimit për të gjithë biznesit që kryejnë transaksione pa para në dorë me entet publike.

Në këtë fazë tranzitore të lëshimit të faturave elektronike në dispozicion të tatimpaguesve u vendos pa pagesë përdorimi i portalit SelfCare.

Tatimet për t’u ardhur në ndihmë bizneseve për fiskalizimin, në postën elektronike u kanë nisur ftesën për trajnime nëpërmjet platformës webnar. Trajnimet do të zhvillohen çdo ditë në orën 10:00. Subjektet për t’u bërë pjesë e këtyre trajnimeve fillmisht duhet të plotësojnë formularin me të dhënat. Pas plotësimit të formularit çdo biznesi do t’i dërgohet 30 min para nisjes të trajnimit linku për pjesmarrjen në trajnime.

Shumë subjekte në ditët e parë të nisjes nga zbatimi i procesit të fiskalizimit hasën vështirësi në përdorimin e platformës të lëshimit të faturave elektronike dhe në ngarkimin e certifikatës të sigurisë (për t’u pajisur me të bizneset duhet të aplikojnë te AKSHI) në portalin SelfCare.

“Administrata Tatimore ju njofton se në zbatim të kërkesave të Ligjit Nr. 9920 “Për Procedurat Tatimore”, i ndryshuar, Neni 30 dhe 35, si dhe kërkesave të Ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, Neni 48, për periudhën Shkurt 2021, do të zhvillojë trajnimin e mëposhtëm: “Përdorimi i portalit SelfCare dhe Fatura Elektronike”.

Ky trajnim i ofrohet tatimpaguesve, enteve publike si dhe stafeve të tyre që punojnë me hartimin, regjistrimin dhe deklarimin e faturave të shitjeve dhe të blerjeve, në kuadër të trajnimeve të Fiskalizimit për periudhën 2021.

Për shkak të kushteve aktuale, trajnimi do të zhvillohet nëpërmjet një platforme elektronike në formatin e një webinar-i”, thuhet në ftesën e drejtorisë të tatimeve dërguar bizneseve.

Si bëhet regjistrimi

Tatimet sqarojnë se për regjistrimin në këtë trajnim, të gjithë të interesuarit duhet plotësojnë formularin e regjistrimit në bazë të cilit do të dërgohen të dhënat e regjistrimit ne webinar. “Do të plotësoni të dhënat tuaja personale, si dhe do të plotësoni të dhënat e subjektit tatimpagues që do të përfaqësoni”.

Formularin e regjistrimit mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm: https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLScD37MFKxnJQjIXOvIJ84kcARKtOQyC1zbONVh-d-_EajTDfg/vieëform

Fiskalizimi do të zbatohet në tre faza. Në fazën e parë që nisi nga 1 janari 2021 faturat elektronike do të lëshohen vetëm nga bizneset që kryejnë transaksione pa para në dorë me institucionet publike. Faza e dytë nis nga 1 korriku 2021 dhe do të zbatohet për transaksionet pa para në dorë mes bizneseve. Në fazën e tretë që nis zbatimin nga 1 shtatori 2021 faturat elektronike do të lëshohen nga të gjitha bizneset e vogla që kryejnë transaksione me para në dorë për shitje apo shërbime.

Nga administrate tatimore deri tani janë certifikuar 15 kompani që ofrojnë programet software për fiskalizimin. Ligji parashikon që bizneset mund të përdorin edhe kasat fiskale, por të jenë të përditësuara për lëshimin e faturave elektronike.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of