Nisja e zbatimit të ligjit për monitorimin e qarkullimit apo siç njihet gjerësisht fiskalizmi në fillim të këtij viti për faturat elektronike mes shtetit dhe biznesit pritet që të zgjerohet më tej në 1 shtator 2021 kur në këtë skemë do të hyjnë të gjitha bizneset që punojnë me para në dorë.
Një prej këtyre sektorëve është ai i hidrokarbureve dhe në përshtatje të kërkesave të ligjit një vendim i qeverisë sqaron edhe metodologjinë e procedurave të monitorimit të qarkullimit në një fushë kaq specifike. Kështu për shitjet me pakicë të kryera për një konsumator final fatura që lëshohet duhet të ketë të gjithë elementët që përcakton ligji për fiskalzimin. Kjo do të thotë që të gjitha pikat e shitjes me pakicë të karburanteve duhet të pajisen me dispensera që operojnë vetëm nën regjimin automatik dhe nën kontrollin e sistemit fiskal (i përbërë nga kontrollori i dispenserit elektronik dhe pajisja fiskale) të lidhur detyrimisht me një zgjidhje software-ike të certifikuar.
Shitjet tek klientët individë
Sipas vendimit çdo dispenser i karburantit, përfshirë dhe ata të GNL-së, detyrimisht duhet të jetë i lidhur me sistemin fiskal të sipërpërmendur. Furnizimi me karburant duhet të jetë i lidhur me regjistrimin automatik të shitjeve dhe duhet të punojë nën rregullin e detyrueshëm “Pa faturë, s’ka karburant. Në rast se dispenseri nuk është i lidhur me zgjidhjen softwerike sipas kërkesave të ligjit atëherë ndaj tij do të merren masa administrative.
Të dhënat mbi shitjen e karburantit duhet të transferohen automatikisht dhe në kohë reale në sistemin e informacionit të administratës tatimore. Pas regjistrimit në sistemin e informacionit të administratës tatimore, sistemi fiskal i instaluar lëshon automatikisht faturën e fiskalizuar. Nëse blerësi është një individ ose një tatimpagues që paguan me para në dorë ose me tollon ose me kartën e shoqërisë, atëherë fatura duhet të lëshohet dhe të fiskalizohet në kohë reale.
Fiskalizmi mes bizneseve
Fatura e çdo transaksioni ndërmjet dy tatimpaguesve, për sa i përket shitjes së hidrokarbureve, qoftë shitje me shumicë ose pakicë, paguhet nëpërmjet llogarisë bankare, pavarësisht shumës, dhe dokumentohet me lëshimin e fiskalizimin e faturës elektronike, në përputhje me ligjin. Përveç faturës elektronike, në këto raste duhet të lëshohet dhe të fiskalizohet edhe një “Dokument transporti”, i cili lëshohet dhe fiskalizohet duke përdorur pajisje elektronike dhe zgjidhje softëare-ike të certifikuara, në përputhje me ligjin, me qëllim monitorimin e qarkullimit të sasisë së karburanti. Dokumenti i transportit përdoret, gjithashtu, në rastet kur lëshohet dhe fiskalizohet një faturë shoqëruese për transportimin e hidrokarbureve, në përputhje me ligjin, dhe bashkëshoqëron faturën shoqëruese.
Zonat e lira doganore, shoqëritë e prodhimit dhe shoqëritë e tregtimit me shumicë të hidrokarbureve
Vendimi parashikon edhe elementët e fisklazimit për zonat e lira doganore si dhe shoqëritë e prodhimit apo ato të tregtimit me shumicë. Kështu Çdo zone e lirë doganore apo shoqëri, që ka një licencë të tregtimit me shumicë të hidrokarbureve, është e detyruar të instalojë në pikën e shitjes sisteme fiskale sipas këtij vendimi. Subjekte të monitorimit fiskal janë të gjitha depozitat fikse apo të lëvizshme te lëngjeve dhe ekstremitetet e rrugëve të kalimit të lëngjeve. Sistemet fiskale të instaluara në zonat e lira doganore, të prodhimit apo të tregtimit me shumicë, duhet të përshtaten me sistemet fiskale, të përcaktuara në këtë vendim. Është e detyrueshme që çdo kalimatës në pikat e shitjes së karburantit me shumicë apo në magazina doganore të jetë i lidhur me sistemin fiskal.Të gjitha shitjet/lëvrimet e karburantit duhet të deklarohen nëpërmjet zgjidhjes software-ike të certifikuar për lëshimin e faturave elektronike, përfshirë faturat shoqëruese dhe duhet t’i dërgohet në kohë reale sistemit të informacionit të administratës tatimore.
I njëjti vendim parashikon edhe procedurat e tregtimit të karburantit nga magazina fiskale e prodhuesit te magazina fiskale e blerësi, lëvizjes së karburantit nga magazina doganore e shoqërive të tregtimit me shumicë te magazinat e tyre fiskale apo importimit të karburantit nga shoqëritë nëpërmjet mjeteve të transportit tokësor (autobote), zhdoganimi i të cilave bëhet nëpërmjet pikave të kalimit kufitar tokësor.
Fiskalizimi i shitjeve me tollon
Në rastet kur për shitjet me pakicë të karburantit përdoret tollon, lëshohet dhe fiskalizohet fatura elektronike kur tolloni lëshohet dhe i shitet klientit (tatimpaguesit), e cila përmban numrin serial të tollonit që përdoret në transaksion. Më tej, kur ky tollon përdoret si mjet pagese dhe shkëmbehet për hidrokarburet, siç shënohet në tollon ose në dokumentet shoqëruese, atëherë lëshohet faturë nga sistemi fiskal i dispenserit të furnizuesit të hidrokarbureve te konsumatori (si faturë me para në dorë) dhe ka si mënyrë pagese “Tollon”.
Në përputhje me përcaktimet e ligjit, fatura me mënyrë pagese “Tollon” nuk merret në konsideratë në llogaritjen e qarkullimit të tatimpaguesit, me kusht që për tollonin e përdorur të jetë lëshuar dhe fiskalizuar më parë një faturë elektronike kur tolloni është lëshuar dhe shitur te konsumatori fundor. Tatimpaguesi mban regjistra kontabël të veçantë për shitjet me tollona, për çdo tatimpagues, ku të pasqyrohen bilancet dhe lëvizjet e llogarive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Cili vendim i qeverise i sqaron te gjitha keto ju lutem? Se nuk kam mundur ta gjej ..