Fiskalizimi / Vështirësi me shitblerjen online dhe faturat në valutë; Kontabilistët: Të përmirësohet ligji i faturimit, para aplikimit të gjobave

14/07/2021 11:00 PM 0 komente

Nga zbatimi i fazës së dytë të fiskalizimit kanë kaluar 2 javë dhe kontabilistët sërish ngrenë shqetësimin se bizneset po hasin çdo ditë vështirësi për lëshimin e faturave me sistemin e ri.

Administrata tatimore parashikon në total që fiskalizimi të zbatohet nga 100 mijë biznese. Në fazën e dytë parashikohet të përfshihen 34 mijë subjekte. Nga 1 shtatori pritet të nisë fazë e tretë, ku do të përfshihen bizneset e vogla për transaksionet me para në dorë.

Akti normativ për shfuqizimin e gjobave ndaj bizneseve që nuk fiskalizohen do të zbatohet deri më 31 dhjetor 2021. Për këtë arsye kontabilisti Armand Mala rekomandon që përgjatë këtij viti të bëhen, disa përmirësime të ligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, duke adresuar problematikat e hasura me qëllim që të shmangen problematikat e reja dhe bizneset mos penalizohen me gjoba. Kontabilisti Mala ngre shqetësimin e mospërcaktimit në ligj për procedurat e fiskalizimit për kompanitë shqiptare që zhvillojnë aktivitet shit-blerje online jashtë Shqipërisë.

“Nëse është subjekt i regjistruar në organet tatimore shqiptare duhej të parashikohej në ligj si duhej te vepronte. Një shitës i tillë p.sh mund të sigurojë po themi 100,000 euro të ardhura vjetore, të cilat të gjitha do të kalojnë nëpërmjet bankës. Normalisht këto të ardhura shitësi do t’i deklarojë dhe meqenëse ligji është hartuar së fundmi, duhej ta kishin marrë në konsideratë dhe një aktivitet të tillë, kur shitjet online po shtohen gjithmonë  e më shumë”. Sipas tij për këtë kategori subjektesh administrata tatimore ka shpjeguar në faqen zyrtare se: “rasti i paraqitur nuk sqaron/vërteton pronësinë e mallit, për këtë duhet që mallrat të hyjnë në territorin shqiptar në mënyrë që shitja të konsiderohet konform rregullave, pasi legjislacioni shqiptar i shtrin efektet vetëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.”

Vështirësi në zbatimin e procesit të fiskalizmit janë hasur edhe nga subjektet që lëshojnë fatura në valutë. “Një subjekt kishte zgjedhur x kompani për zgjedhje softuerike. Në momentin që i duhet të lëshonte faturë në euro, pasi edhe kontratat e furnizimit i kishte në valutë të huaj, procesi ishte i pamundur të realizohej. Pasi telefonon suportin e kompanisë që ofron programin, i shpjegohet se ende nuk mundësojnë lëshimin e faturave në monedha të huaja. Biznesi duhet të ndërrojë praktikën, të faturojë në lekë, sepse programi nuk ia ofron mundësinë e faturimit në monedhë të huaj. Ndërkohë arkëtimi do të bëhet në valutë të huaj. Janë të shumta problematikat që hasin çdo ditë bizneset.  Rekomandoj që në këtë situatë të adresohen të gjitha problematikat e hasura në mënyrë që secila palë të bëjë korrigjimet përkatëse”, pohon kontabilisti Armand Mala.

Në ditët e para të fazës së dytë të fiskalizimit, bizneset u hasën me problemin e mosfunksionimit të portalit SelfCare, nëpërmjet të cilit ngarkohen certifikatat e sigurisë për nisjen e lëshimit të faturave elektronike nga zgjidhjet software.

Shqetësim më i madh i subjekteve ishte edhe pranimi i faturave nga subjekte të pafiskalizuara që ende vazhdojnë të punojnë me blloqe tatimore. Për këtë situatë kontabilistët u shprehën se penalizon bizneset e blerjes, pasi nuk u njihet TVSH-ja dhe shpenzimet e zbritshëm.  Më herët për këtë shqetësim administrata tatimore sqaroi se ka sqaruar së fundmi se përdorimi i dokumentacionit tatimor ekzistues do të vijojë deri në datën 31 gusht 2021.

Tërheqja e këtij dokumentacioni nga tatimpaguesit, pranë Drejtorive Rajonale, ku ata janë të regjistruar, do të mund të kryhet deri në datën 15 gusht 2021. Për të shmangur problemet dhe konfuzionin me zbatimin e fazës së tretë që nis nga 1 shtatori kontabilistët më herët rekomanduan zbatimin e fazës pilot për 2-3 mijë biznese me qëllim evidentimin dhe zgjidhjen e problematikës. Ndërsa aktin normativ për shtyrjen e gjobave ata e cilësuan si nxitës së evazionit.  /D.Azo

Lexo edhe: Fiskalizimi, Tatimet njoftojnë se dokumentacioni tatimor ekzistues do të vijojë deri në fund të gushtit

Kontabilistët: Është i paqartë fiskalizimi nga kasa për faturat me shumë artikuj; Faza e tretë të nisë me grupe biznesesh pilot

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of