Fitch Solutions, një njësi e inteligjencës së agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit Fitch, njoftoi se ka rishikuar në ulje parashikimin për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë. Nga -5.5% që ishte parashikimi fillestar, Fitch Solutions pret që rënia ekonomike e Shqipërisë të jetë -5.9%.
Sipas agjencisë, rishikimi erdhi pasi të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave treguan për një tkurrje të fortë prej -10.2% në tremujorin e dytë të vitit. Faktorë të tjerë që ndikuan në këtë rishikim në ulje janë dobësitë e rishfaqura në Eurozonë pas valës së dytë të pandemisë, çka sipas raportit do të ndikojë në ecurinë e eksporteve.
Sipas parashikimit bazë të Fitch Solutions, në vitin 2021 pritet që ekonomia të nisë rimëkëmbjen, me rritjen që pritet të arrijë në 4.8%. “Kjo pritshmëri bazohet në vlerësimet e ekipit tonë të Kujdesit Shëndetësor dhe Farmaceutikës, në bazë të të cilit vaksina kundër Covid-19 do të shpërndahet në Europë përpara fundit të gjashtëmujorit të parë 2021”, thuhet në raport.
Pritshmëritë e institucioneve ndërkombëtare
Më herët, institucionet ndërkombëtare kanë dhënë vlerësime të ndryshme për pritshmëritë e ekonomisë në 2020. Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që vendi të tkurret me 7.5%, ndërsa më pesimistja është Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që pret një tkurrje prej -9%.
Edhe vetë qeveria shqiptare rishikoi me ulje në nëntor vlerësimin për rritjen ekonomike, me miratimin e buxheti të ri. Sipas vlerësimeve zyrtare, ekonomia pritet të jetë tkurrur me -6.4% në 2020, nga -4.5% që ishte vlerësimi fillestar.
Ndërsa të dhënat e publikuara nga INSTAT, tregojnë se Produkti i Brendshëm Bruto (PBB), i ndikuar nga situata e krijuar nga COVID-19, në tremujorin e tretë të vitit 2020 vlerësohet me rënie prej 3,47%, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2019. Në tremujorin e dytë, rënia ishte 10.2% dhe në të parin -2.52%.
Për 9-mujorin, sipas të dhënave paraprake, ekonomia ka rënë mesatarisht me rreth 5.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.