Fitimi operativ i kolosit koreanojugor ra me 52% në periudhën korrik – shtator, për shkak të tkurrjes së tregut të gjysmëpërcjellësve. Për Apple rriten të ardhurat, por smartphone-t qëndrojnë në vendnumëro…
Në periudhën korrik – shtator, fitimet e gjigantëve të smartphone-ve Samsung dhe Apple u ngadalësuan. Tendenca është e njëjtë, por shkaqet e ndryshme. Në rastin e gjigantit koreanojugor, rënia e të ardhurave ka ardhur kryesisht për shkak të periudhës së vështirë që po kalon tregu i chip-eve, ndërsa për kompaninë me seli në Cupertino, zhgënjimi vjen për shkak të shitjeve të iPhone.
Tremujori i Samsung
Për Samsung Electronics, në krye të tregut botëror të prodhimit të chip-eve dhe smartphone-ve, fitimi neto në tremujorin e tretë 2019 shënoi një kolaps të vërtetë: 6.290 miliardë won, ose 5,4 miliardë dollarë, 52% më pak krahasuar me vitin e kaluar.
“Fitimet nga sektori i chip-eve të memories – lexohet në një komunikatë që shpjegon pozicionin e kompanisë në lidhje me shifrat – kanë rënë ndjeshëm nga viti në vit, me çmimet që vijuan trendin e tyre rënës”. Në tremujorin e tretë, fitimi operativ ra me 55,7% në 7.800 miliardë won, ndërsa shitjet ranë me 5,3% në 62.000 miliardë won. Perspektivat për të ardhmen, nuk janë negative – sipas interpretimeve të analistëve.
Tremujori i Apple
Në tremujorin e katërt fiskal të Apple, i cili u mbyll më 28 shtator, të ardhurat ishin 64 miliardë dollarë, në rritje me 2% me bazë vjetore, ndërsa fitimet ranë, nga 14,1 miliardë dollarë në 13,7 miliardë dollarë. Pavarësisht ecurisë negative, në çdo rast, bëhet fjalë për rezultate më të mira sesa pritshmëritë.
Në rënie janë veçanërisht shitjet e iPhone-ve nga 36,75 miliardë në korrik në 33,36 miliardë dollarë në shtator, ndërkohë që në përgjithësi, tregjet jashtë përfaqësojnë 60% të të ardhurave për Apple. Parashikimet për tremujorin e parë të vitit të ri fiskal flasin për të ardhura mes 85,5 dhe 89,5 miliardë dollarë.
“Mbyllëm një vit të suksesshëm fiskal (2019), me të ardhurat në tremujorin e katërt më të lartat në të gjitha kohërat – nxitur nga përshpejtimi i rritjes së shërbimeve Wearables e iPad – shpjegon Tim Cook, CEO i Apple. Me klientët entuziastë për gjeneratën e re të iPhone-ve, debutimin e AirPods Pro, që ‘zhdukin’ zhurmat dhe Apple TV + të shumëpritur, kjo është gama më e mirë e produkteve dhe shërbimeve të të gjitha kohërave. Jemi shumë optimistë për tremujorin e pushimeve (festave të fundvitit).”
Burimi: Corriere Comunicazioni