Ferrari tha të enjten se fitimi në tremujorin e parë u rrit me 24% në 297 milionë euro (328.8 milionë dollarë), me rritje prej 10% të dërgesave dhe kërkesës së madhe për modelet e fundit, e cila nxiti rritjen e të ardhurave.
“Tashmë, portofoli ynë i porosive shtrihet deri në vitin 2025″, tha CEO Benedetto Vigna në një deklaratë.
Të ardhurat dhe fitimi i Ferrari mundën parashikimet e Wall Street dhe kompania ruajti parashikimet e saj optimiste për të gjithë vitin. Të enjten, aksionet u mbyllën me pak më shumë se 5% pas publikimit të lajmit.
Më poshtë janë shifrat kryesore nga të raportit të fitimeve në tremujorin e parë të Ferrarit, krahasuar me pritshmëritë e analistëve të Wall Street, siç raportohet nga Refinitiv
-Fitimet për aksion: 1.63 euro, kundrejt 1.48 eurove të pritshme.
-Të ardhurat: 1.43 miliardë euro, kundrejt 1.39 miliardë eurove të pritura.
Të ardhurat u rritën me 20% nga viti në vit, në 1.43 miliardë euro, nga 1.19 miliardë euro në tremujorin e parë të vitit 2022.
Kjo vjen, në pjesën më të madhe, nga një ndërthurje më e pasur e modeleve të shitura dhe rritjes së “personalizimeve”. Me këtë term, kompania i referohet listës së funksioneve që mund t’i shtojnë qindra mijë dollarë çmimit të një Ferrari të re.
Ferrari ka nxitur më shumë klientët e tij që të përfitojnë nga opsionet e zgjeruara të disponueshme, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të rritur marzhet e fitimit
Këto përpjekje po japin frytet e tyre – marzhi i fitimit EBIT (fitimi para interesit dhe taksave) të Ferrarit, një e dhënë mjaft e vlerësuar, u rrit me 1 pikë përqindje në 26.9% nga 25.9% një vit më parë.
Në tremujorin e parë, dërgesat e Ferrarit ishin 3567 automjete, me rritje 10% krahasuar me një vit më parë.
Kompania deklaroi se rritja e dërgesave u nxit nga kërkesa e fortë për Portofino M, 296 GTB hibride dhe 812 Competizione, një version i kufizuar dhe më i shpejtë i modelit të admirueshëm me 12 cilindra, 812 Superfast.
Ferrari deklaroi se ka nisur të rrisë prodhimin e modelit të fundit me shtatë shifra Icona, Daytona SP3, në tremujorin e parë.
Ferrari parashikon të prodhojë vetëm 599 ekzemplarë të Daytona SP3, çmimi i së cilës nis nga 2.2 milionë dollarë. Të gjithë 599 njësitë tashmë janë shitur.
Pavarësisht listës së gjatë të pritjes, Vigna deklaroi se Ferrari ka rihapur porositë për modelin e ardhshëm Purosangue, i ngjashëm me një SUV, me motor V12, çmimi i së cilës nis nga 400 mijë dollarë.
Ferrari i pati ndërprerë përkohësisht porositë për Purosangue, për shkak të kërkesës fillestare të lartë.
Dërgesat e Purosangue do të nisin në Europë brenda fundit të tremujorit të dytë, ndërsa në SHBA, në tremujorin e tretë.
Ferrari prezantoi në tremujorin e parë një model të ri, një version cabriolet i coupé Roma me motor V8.
Pavarësisht tremujorit më të mirë se sa pritej, Ferrari ruajti udhëzimet e mëparshme për të gjithë vitin.
Të ardhurat në vitin 2023 parashikohen rreth rreth 5.7 miliardë euro. Ndër të tjera kompania pret një rritje të marzhit EBIT për gjithë vitin, në rreth 26%, falë Daytona SP3 dhe Purosangue.
/ CNBC
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.