Aktiviteti i kompanive të prodhimit të vezëve vijon të jetë në varësi të ciklit të kërkesës dhe prodhimit. Kompanitë kryesore në vend operojnë me kosto të larta dhe me fitime të ulëta. Pas dy viteve me rritje, çmimi i vezëve ka nisur trendin rënës, duke iu afruar kostove të prodhimit. Në vitin 2018, prodhimi i vezëve shënoi rritje, ndërsa operatorët thonë se tregu aktualisht ka mbiprodhim. Sa është konsumi vjetor i vezëve në Shqipëri? Kompanitë kryesore në vend qarkulluan 2.1 miliardë lekë
Nga Ledina Loga
Industria e prodhimit të vezëve në vend përjetoi në dy vitet e fundit një periudhë të artë, si për nga prodhimi, ashtu edhe nga konsolidimi i investimeve në sektor. Por viti 2019 nuk po mban të njëjtin ritëm sipas operatorëve kryesorë në vend. Ndonëse prodhimi i vezëve shënoi rritje gjatë 2018-s, aktorët i druhen një situate mbiprodhimi, e cila nuk i përgjigjet kërkesës, teksa kjo e fundit ka ardhur në rënie. Si arsye kryesore për tkurrjen e kërkesës, operatorët japin reduktimin e konsumit, si pasojë e ciklit të kërkesës dhe uljes së popullsisë prej emigracionit.
Pjesë e shportës bazë të ushqimeve, veza, është një produkt i vështirë për t’u diferencuar nga ana e marketingut, megjithatë kohët e fundit, kompanitë kryesore kanë përqendruar forcat e tyre në fushata reklamash. Sipas aktorëve të tregut, kjo reflekton shtimin e konkurrencës në sektor.
Andi Duka, Drejtor i Përgjithshëm i kompanisë “AIBA”, më së madhes në vend për nga qarkullimi dhe prodhimi, analizon se sado që të përpiqesh që të diferencosh produktin me anë të fushatave të marketingut, përzgjedhja do të bazohet kryesisht te çmimi. Ai shpjegon se kur tregu ka superprodhim, bien çmimet dhe e kundërta ndodh kur nuk ka shumë prodhim.
Andi Duka i përshkruan vitet 2017-2018 si të mira për sektorin e tyre, si pasojë pati superprodhim dhe tani po përballemi sërish me një rënie të çmimit.
“Janari ka qenë i dobët, si nga ana e konsumit, ashtu edhe e çmimit. Shkurti dhe marsi kanë qenë disi më ndryshe, ndërsa ka nisur sërish tendenca rënëse e konsumit që prej prillit dhe në vijim, në maj. Ky i fundit njihet për pikun më të ulët të konsumit nga industria. Megjithatë, është ndikuar edhe nga superprodhimi, të cilat së bashku me rënien e konsumit kanë çuar në uljen e çmimeve”, – shpjegon Duka.
Ecuria e kërkesës pritet të përmirësohet me fillimin e sezonit turistik. Adriatik Liço, drejtor në kompaninë “Veza e Mëngjesit”, një nga më të mëdhatë në vend sipas Ministrisë së Bujqësisë, thotë për “Monitor” se ecuria në dy vitet e fundit ka qenë e mirë, edhe pse muajt mars dhe prill janë një periudhë e vështirë për konsumin. Ai shton se kjo është kalimtare, sepse pasi kalon periudha e vështirë dhe fillon sezoni turistik, rritet edhe kërkesa për vezë.
Ecuria ka qenë pozitive edhe për kompaninë “Beata” në Shkodër. Administratori i kompanisë, Ilir Dulaj, thotë se rritja ka ardhur kryesisht nga menaxhimi i mirë që i është bërë kompanisë, pasi u mor në prag të falimentimit. Krahas zgjerimit të kompanisë, duke u renditur në pesë më të mëdhatë, Dulaj rreshton edhe problematikat që prekin funksionimin e pularive në vend dhe deformojnë tregun.
Sezai Shehu, administrator i “Pularisë Korça”, e cila ka një prodhim më modest, tha për “Monitor” se prodhimi i vezëve është rritur, por kanë rënë shitjet. Reduktimi i shitjeve, sipas tij, është ndikuar nga disa faktorë, ku më kryesoret kanë qenë mungesa e konsumit dhe pakësimi i popullatës. Prodhimi vjetor i “Pularisë Korça” shkon deri në 5 milionë kokrra. Ajo operon kryesisht në zonën qendrore dhe në zonën e Korçës. Sezai Shehu shpjegon se kur ka shumë operatorë që operojnë në treg, ulet çmimi i vezës në mënyrë të pakontrolluar, njëkohësisht ka dhe një rënie të konsumit. Çmimi për një kokërr vezë, sipas tij, varion nga 8 deri në 11 lekë. “Pularia Korça” ka rreth 15 mijë pula, ndërsa prodhimi i vezëve varion nga periudha.
Po kalohet në mbiprodhim, shtohet informaliteti
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, prodhimi i vezëve në total për 2018-n shënoi rritje modeste prej 2% krahasuar me një vit më parë. Niveli i prodhimit në vitin që lamë pas përllogaritet 827 milionë kokrra, më pak se prodhimi në 2016-n. Qarku me prodhimin më të lartë është ai i Durrësit, ku janë të vendosura edhe pularitë më të mëdha në vend, si “Ovital”, “Cocoal” dhe “AIBA”. Sipas të dhënave janë prodhuar 241 milionë kokrra vezë. Më pas renditet Qarku i Shkodrës me 104 milionë kokrra vezë. Pas tyre, renditen Qarku i Fierit dhe Elbasanit, me përkatësisht 85 dhe 75 milionë vezë të prodhuara.
Ministria e Bujqësisë raportoi për “Monitor” se pesë janë kompanitë kryesore në sektorin vezëve bazuar në prodhimin e tyre: A.I.B.A, REAS-BREGU, B.E.A.T.A, OVVITAL dhe VEZA E MËNGJESIT. Prodhimi i vezëve nga pularitë për 2018-n, përbën 32% të totalit dhe përllogaritet në 263 milionë kokrra, sipas Ministrisë së Bujqësisë, me rënie në krahasim me një vit më parë.
Rënia e prodhimit nga pularitë ka ardhur si pasojë e rritjes së konkurrencës nga minipularitë që kanë hyrë në treg. Megjithatë, pularitë e reja që hapen rishtazi kanë probabilitet më të lartë dështimi dhe dalin nga tregu shpejt, paralajmërojnë operatorët. Prej 2014-s, prodhimi i vezëve nga pularitë ka qenë në rënie. Operatorët e tregut thonë se rënia e prodhimit të pularive të raportuara nga Ministria e Bujqësisë, është një tregues i qartë i rritjes së informalitetit. Shumë minipulari, në pamundësi për të përballuar taksat, punojnë në të zezë.
Nuk dihet se sa pula fshati ka sot, pasi mungon matrikulimi dhe nuk mund të flasim për një përllogaritje të saktë. Ndërkohë pulat e fshatit kanë një prodhim më të ulët të vezëve në raport me pulat e pularive, duke qenë se pularitë përzgjedhin racën që jep më shumë prodhim dhe kujdesen me ushqimin që iu japin, që të jetë në nivelin ku ata duan, apo edhe kushtet e mikroklimës.
Konsumi
• Në maj, mesatarisht konsumohen 1800 arka në ditë, apo 648 mijë kokrra (konsumi më i ulët) • Konsumi më i lartë është gjatë muajit dhjetor me 2900 arka në ditë apo 1 milionë e 8 mijë kokrra në ditë • Mesatarja vjetore, 2300 arka në ditë, apo rreth 828 mijë korra në ditë Burimi: Kërkimet e tregut të operatorëve
Të ardhurat e kompanive me rritje modeste
Tetë kompanitë kryesore në vend qarkulluan së bashku në 2017-n rreth 2.2 miliardë lekë të ardhura nga shitjet, apo 17.3 milionë euro. Në krahasim me një vit më parë, xhiroja u rrit në mënyrë modeste me vetëm 5%.
Për vitin 2017, AIBA kishte pjesën më të madhe të tregut me një qarkullim mbi 1 miliard lekë, ndonëse xhiroja e kompanisë ka shënuar tkurrje në këto dy vitet e fundit.
Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë AIBA, Andi Duka, e argumenton rënien e qarkullimit me uljen e konsumit, për shkak të tkurrjes së popullsisë. Duke qenë kompania me peshën më të madhe në treg, AIBA reflekton e para ndryshimet strukturore të tregut. Duka thotë se po i vënë re pasojat e këtij fenomeni te konsumi i vezëve. Kryesisht vezët konsumohen nga të rinjtë dhe largimi i këtij grupi popullate reflektohet te konsumi i vezëve.
Kjo dukuri nuk është vënë re vetëm te vezët, por edhe në industri të tjera që operojnë në sektorin e ushqimeve dhe pijeve të lehta. Të njëjtën situatë pohuan edhe sipërmarrës nga sektori i përpunimit të mishit, të cilët vunë re së fundmi një tkurrje të konsumit si pasojë e emigracionit.
Kompania e dytë për nga qarkullimi në vend është Ovital. Në 2017-n, Ovital realizoi 304 milionë lekë të ardhura, me një rritje prej 28% në krahasim me një vit më parë. Renditjen e ndjek kompania Rea, e cila realizoi 292 milionë lekë të ardhura nga shitjet e vezëve. Veza Rea pati rritje të xhiros me 3% në raport me 2016-n.
Beata është një nga kompanitë me rritjen më të madhe të aktivitetit të saj. Të dhënat nga Qendra Kombëtare e Biznesit tregojnë se qarkullimi nga shitjet e vezëve u rritën me 79% në 2017-n në krahasim me një vit më parë. Ilir Dulaj, administrator i kompanisë BEATA, thotë se rritja e kompanisë së tij në tregun vendas ka ardhur prej menaxhimit më të mirë që iu bë asaj. Ai thotë se e mori kompaninë në prag falimentimi, ndërsa sot ka arritur që të jetë një nga kompanitë kryesore që furnizojnë tregun në vend.
Rritja e pagave të punëtorëve përmirësoi produktivitetin e tyre në punë. Ndërsa cilësia e rregulluar e lëndës së parë, ushqimit të pulave, rriti cilësinë e vezës. Aktualisht Beata numëron rreth 115 mijë pula dhe ka një prodhim ditor mesatar prej 140 mijë kokrra.
Kompania e pestë për nga prodhimi dhe qarkullimi është “Veza e Mëngjesit”, e cila realizoi 264 milionë lekë të ardhura. Në pularinë “Veza e Mëngjesit” numërohen rreth 170 mijë krerë pula dhe kanë remont që të rrisin vetë zogjtë, të cilët i marrin nga Austria. Prodhimi ditor në këtë pulari përllogaritet në rreth 120 mijë kokrra në ditë. Lëndën e parë e marrin nga jashtë, si pjesa më e madhe pularive.
Emigracioni tkurr konsumin
Kryesisht vezët konsumohen nga të rinjtë dhe largimi i këtij grupi popullate reflektohet te konsumi i vezëve. Kjo dukuri nuk është vënë re vetëm te vezët, por edhe në industri të tjera që operojnë në sektorin e ushqimeve dhe pijeve të lehta
Çmimet e larta, shkak kosto e lartë e lëndëve të para
Arsyeja kryesore pse vezët në Shqipëri janë më të shtrenjta se rajoni është lënda e parë shumë e shtrenjtë, nëse do të prodhohej në vend, kostot do të ishin më të ulëta shpjegon Adriatik Liço, nga kompania “Veza e Mëngjesit”. Kostot e operimit për një kokërr vezë variojnë nga 7 deri në 7.5 lekë, ndërsa çmimi i vezëve luhatet nga 8.5-9 në varësi të cilësisë së vezës. Në pikat e shitjes me pakicë, Dulaj thotë për “Monitor” se një kokërr vezë shitet me çmim mesatar 14-15 lekë për kokërr.
Lëndët e para janë drithërat, të cilat merren kryesisht nga Serbia dhe soja, së bashku, që zënë pjesën kryesore. Ushqimi zë pjesën kryesore të kostove në prodhim. “Ajo që mund të bëhet është subvencionimi i misrit në prodhim. Nga gjithë formula ushqimore, misri zë gati 40% të totalit të formulës ushqimore. Në vendet e rajonit, kjo është zgjidhur duke iu kaluar në përdorim kompanive tokat e papunuara, në rast se pronarët nuk i punojnë ato”, – shpjegon Andi Duka i AIBA-s. Duka shpjegon se mesatarisht, një kokërr vezë tregtohet me çmimin 9 lekë pa TVSH, apo 10.8 lekë me TVSH. Mesatarja e 2017-s për çmimin e vezëve me TVSH ka qenë 12.5.
Eksportet, vezët shqiptare, “dorë e dytë”
E vetmja mundësi që kompanitë shqiptare të eksportojnë vezë është duke i klasifikuar ato si vezë të klasës B, të cilat përdoren në industri. Operatorët që eksportojnë vezë thonë se shpesh janë të detyruar që të çojnë vezët jashtë nën kostot e tyre të prodhimit, vetëm për të zbrazur magazinat dhe për të mos krijuar stok, për shkak të natyrës që ka edhe produkti. Adriatik Liço nga “Veza e Mëngjesit” tregon se vezët për eksportin i çojnë me çmim 6-7 lekë për kokërr, nën kosto.
“Kompanitë shqiptare kanë licencën e klasin B për vezë industrie. Ne morëm shkas prej kësaj, për të investuar në teknologjinë e re. Aktualisht, kompanitë shqiptare mund të eksportojnë vetëm për industri, të cilat e marrin me çmim të ulët, shpesh nën kosto. Kompanitë shqiptarë eksportojnë në Greqi, tek i njëjti përpunues, i cili bën vezë të lëngshme”, – shpjegon Duka.
Kompania AIBA është në përfundim të implementimit të teknologjisë për përpunimin e vezëve, duke nxjerrë si produkt vezë të lëngshme të pasterizuar. Nëpërmjet makinerive të posaçme, veza përpunohet dhe nxirret si produkt i lëngshëm, i paketuar tetrapack. Ky produkt përdoret kryesisht për industrinë, siç janë prodhimi i makaronave, apo në pastiçeri. “Ne gjetëm këtë boshllëkun në treg që veza e lëngshme të jetë e klasit B dhe ne të na lejohet që ta eksportojnë. Duke e përpunuar që këtu, ne nuk eksportojmë më me humbje, por të paktën të eksportojmë me pak fitim, dhe në të njëjtën kohë, zbrazim edhe magazinat. Ne shpresojmë që të marrim edhe vezët e operatorëve të tjerë në treg”, – tregon Duka.
Lufta e marketingut
Konkurrenca ndihet në fushatat e marketingut që kanë ndërmarrë kompanitë që operojnë në televizion. Për shkak të mbiprodhimit dhe uljes së çmimeve, kompanitë po mundohen që të diferencojnë emrin e tyre në sytë e konsumatorit. Megjithatë, për produktet si veza, pjesë e shportës së produkteve bazë, është e vështirë që të bësh diferencim te konsumatori,- shpjegon Andi Duka.
Nëse shikon reklamat jashtë është e vështirë që të gjesh reklamë vezësh, është e bazuar në çmim. Ndërsa për cilësinë, konsumatori bën diferencën në konsum. Ka një lloj abuzimi me reklamat dhe vërtetësinë e tyre, dhe këtu nuk ka asnjë autoritet që ta vërtetojë apo ta ndalojë transmetimin e saj. Teknologjia dhe industria e pularive në Shqipëri është e zbatuar nga dy kompani kryesore për kafazet.
Çështja e subvencionimit në rajon
Një ndër problematikat që kanë pularitë dhe që sipas Ilir Dulaj krijon ngërç në shtet janë vështirësia për të hequr pulat të cilat dalin nga cikli i prodhimit. “Një pjesë të tyre ne i falim, apo i shesim me çmim nën kosto, pasi nuk kemi ku t’i çojmë. Në rajon, pulat në prodhim subvencionohen nga shteti”, – tha Ilir Dulaj, nga kompania “Beata”. Për sa u përket prodhimeve blegtorale, Adriatik Liço thotë se këta artikuj të shportës bazë, subvencionohen, duke qenë se ka një risk dhe humbje kur futesh në këtë biznes dhe biznesi ka nevojë për stimul. Ndërsa Duka mendon se në Shqipëri, investimet në sektorin tonë janë të pasubvencionuara dhe deri diku, me të drejtë.
“Ajo që duhet bërë për subvencionimin e pularive industriale është implementimi i modelit të Maqedonisë. Në Maqedoni, subvencionohet pula që futet në prodhim, e cila duhet të bëhet edhe te ne”,- argumenton ai. Aktualisht ka një ngërç me pulat e pularive, të cilat e kanë mbaruar ciklin e tyre të prodhimit. Ne duhet t’i shesim këto pula, por unë jam i detyruar që t’i çoj këto pula vetëm në një thertore të licencuar, pasi nuk mund t’i shes vetë të gjalla.
Thertoret e licencuara, nga ana tjetër, nuk i pranojnë këto pula, edhe këtu krijohet një ngërç. Së pari, thertoret duhet të detyrohen që të marrin pulat dhe së dyti, te pjesa e çmimit, pasi thertoret pranojnë vetëm në rastet kur i çon pulat pa para. Që të mos ekzistojë ky ngërç, le të subvencionojmë pulën. Në Maqedoni, vend i cili në rajon ka politikat më të mira për bujqësinë dhe biznesin, e subvencionin me 2.5 euro për pulë.
Në sektor nuk mungojnë problemet
Kompanitë kryesore në vend raportojnë se herë pas here, tregu është deformuar, për shkak të vezëve që hyjnë kontrabandë nga Kosova. Ilir Dulaj tha për “Monitor” se fenomeni u bë më i dukshëm gjatë periudhës dhjetor 2018 – janar 2019. Vezë kontrabandë hynë në tregun shqiptar me çmim më të lirë, duke prishur tregun.
Dulaj shpjegon se ka shumë minipulari, të cilat operojnë në kushtet e një teknologjie primitive, të cilat përdorin ushqim të dobët dhe jashtë standardeve të prodhimit të vezëve. “Kjo rrezikon edhe shëndetin e konsumatorëve dhe këtu duhet të ndërhyjë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, pasi nuk plotësojnë kushtet teknike” – tha ai. Ndër të tjera, ai shtoi se këto pulari, ulin kostot operative në prodhim dhe dalin në treg me çmim më të ulët, duke deformuar sërish tregun e vezëve në Shqipëri.
Dulaj shton se ndiejnë mungesën e bashkëpunimit me shtetin në zhvillimin e aktivitetit të tyre. Një nga problematikat që ai rreshton është edhe energjia elektrike, e cila përveçse është shumë e shtrenjtë dhe rëndon kostot operative, në atë zonë ndodh edhe që të ndërpritet furnizimi me rrymë. Ndërprerja e energjisë për aktivitetet të këtij lloji mund të jetë fatale, duke sjellë humbjen e të gjitha pulave. Ai shpjegon se ka të instaluar dy gjeneratorë për të mbajtur të furnizuar me rrymë pularinë. Rastet e ndërprerjes kanë qenë të shpeshta dhe karburanti në Shqipëri është relativisht i shtrenjtë.
Cilësia e vezëve, pikëpyetjet e tregut
Ligji në BE për të drejtën e kafshëve ka rritur sipërfaqen e pulave që qëndrojnë në një kafaz. Ndërkohë që disa rrjete supermarketesh në Europë pranojnë vezë nga pulari të cilat i mbajnë vezët vetëm në gjendje të lirë.
Standardi i cilësisë ndikohet kryesisht nga ushqimi dhe sëmundjet që mund të prekin pulat. Sëmundja që prek më shumë konsumatorin, në rast se pula është bartëse, është E.Coli, sëmundje bakteriale. Në Shqipëri nuk ka vezë me E.Coli, ndërsa formulat e ushqimeve janë të gatshme.
Standardi i cilësisë te pularitë shqiptare përcaktohet nga formula ushqimore që marrin pulat. Për të ulur kostot, kompanitë përgatisin një formulë më të varfër ushqimore për pulat, gjë e cila ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e vezës. Së dyti, në standardin e cilësisë ndikon edhe vjetërsia e vezës. Nëse veza është e vjetër, 2-3-mujore, apo kur pula është e vjetër, ajo ka më pak cilësi.
Sipas mënyrës dhe tipologjisë së rritjes së pulave për vezë sot në Europë dallohen 4 kategori ose tipe stabilimentesh me kodet identifikuese përkatëse, që certifikohen nga Ministria e Bujqësisë sipas tipit të rritjes së pulave për vezë. Këto kode janë të detyrueshme me ligj të vendosen mbi lëvozhgën e vezëve dhe janë si më poshtë:
KODI 0 (zero): tregon që pulat janë rritur totalisht në gjendje të lirë në natyrë jashtë kafazeve në ferma BIO.
KODI 1: tregon që pulat për vezë rriten në gjendje të lirë, jashtë kafazeve, në natyrë, por jo të ushqyera me ushqime të certifikuara BIO.
KODI 2: tregon që pulat janë rritur jashtë kafazeve në gjendje të lirë në tokë, por pa akses në mjedisin e jashtëm natyror.
KODI 3: tregon që pulat rriten në sistem totalisht të mbyllur në kafaze dhe vetëm brenda ambienteve të mbyllura (për këtë arsye emërtohen rëndom
edhe vezët si vezë industriale).
Sami Gjergji, ekspert i sektorit dhe doktor shkencash në zootekni, thotë se industria e prodhimit të vezëve në Shqipëri, gjatë këtyre viteve ka arritur të plotësojë nevojat e vendit. Teknologjia e përdorur deri më sot në këtë sektor i përket viteve 1995-2010. E gjithë sasia e vezëve që prodhohet sot në Shqipëri vjen nga rritja industriale e shpendëve (që do të thotë pula të vendosura në kafaze të mbyllura në kapanone totalisht të mbyllura.
Gjergji thotë se problematika që ka sot ky sektor është mungesa e adaptimit të legjislacionit të Komunitetit Europian, për sa i përket standardizimit të prodhimit, kodifikimit, etiketimit dhe marketimit. Pas vitit 2012, sipas direktivave të BE, nuk do të lejohej më rritja në kafazet ekzistuese siç është edhe prej vitesh në të gjithë Shqipërinë, por jepet detyrimi ligjor për modifikimin dhe përmirësimin e kafazeve, që nënkupton jo vetëm reduktimin e numrit të krerëve të pulave për kafaze, por edhe pasurimin e kafazeve me elemente që i përafrohen rritjes së pulave në kushte natyrore. Ky sistem, që emërtohet sistem alternativë, është stadi i parë i adaptimit dhe transformimit të sistemeve të vjetra të rritjes në kafaze (rritje intensive) në Shqipëri.
Gjergji sqaron se si mund të dallojmë vezët e rritura nga sistemet e vjetra industriale që nuk do të lejohen më edhe si arsye e mbrojtjes së shëndetit të shpendëve, por edhe sisteme me cilësi më të dobët të vlerave të vezës, krahasuar me sistemet e tjera.
Përveç këtyre kodeve, legjislacioni i BE-së i detyron prodhuesit të informojnë konsumatorin në mënyrë transparente për cilësinë dhe freskinë e vezës, duke vendosur datën e prodhimit direkt mbi lëvozhgën e vezës, në momentin e mbledhjes së vezës dhe jo thjesht mbi ambalazhin paketues, kur ato dalin për shitje në treg.
Kjo bëhet për të parandaluar prodhuesit që të mos abuzojnë me datat e skadencave, duke i vendosur ato mbi ambalazhin paketues në momentin që i nxjerrin nga magazinat, ku mund të kenë qëndruar për muaj të tërë, çka bën që kjo vezë të mos jetë më për konsum njerëzor (në termat e prodhuesve nuk është kategoria A, por ka kaluar në Kategori B).
Kategoria A nënkupton që afati i konsumit të vezës është deri në 28 ditë duke nisur që nga dita e prodhimit. Pas kësaj dite, vezët kalojnë në Kategori B dhe nuk janë për konsum njerëzor. “Të gjitha këto rregullore të certifikimit të fermave ekzistuese apo atyre të reja, të kodifikimit, etiketimit dhe marketimit duhet të standardizohen me ligj në Shqipëri nga Ministria e Bujqësisë, e cila për hir të së vërtetës, e ka nisur tashmë procesin e konsultimit dhe adaptimit të legjislacionit përkatës të BE, duke qenë se bën pjesë edhe në kërkesat dhe detyrat e Raport Progresit për Shqipërinë”, – thotë Gjergji.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Subscribe
1 Comment
newest
oldestmost voted
Inline Feedbacks
View all comments
aldo
4 years më parë
Si mund te thone keta qe veza del me nje cmim 10.8 lek me tvsh kur ne supermarkete vezet e kompanive me te medha si beat apo aiba i gjen ne 40-60 lek per kokerr? po ne kete pike e kontrollojne tregun keta? apo u intereson vetem subvencionimi. Prandaj minipularite do ekzistojne dhe nuk do falimentojne.
Fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri kaluan nivelin e një miliardë eurove dhe arritën nivelin më të lartë historik vitin e kaluar. Të dhënat e Bilancit të Pagesave tregojnë se të ardhurat e investitorëve të huaj për vitin 2023 arritën vlerën e 1.014 miliardë…
Fieri dhe dy njësi të tjera si Roskoveci dhe Mallakastra do të kenë ndryshime në tarifën e furnizimit me ujë, si dhe të largimit të ujërave të ndotura nga 18 maji 2024. Përjashtim bën vetëm Patosi, që sipas vendimit të fundit të Entit Rregullator të…
Yield-i obligacioneve 10-vjeçare pësoi rënie në ankandin e kësaj jave, duke reflektuar pjesëmarrjen e lartë të investitorëve dhe rënien e pritshmërive rreth inflacionit. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, yield-i uniform i pranuar i obligacioneve në ankandin e sotëm të rihapjes zbriti në 6.36%, nga…
Ritmet e rritjes së të ardhurave buxhetore u ngadalësuan në tremujorin e parë të vitit, si rrjedhojë e ecurisë së dobët të muajit mars. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave bënë të ditur se për 3-mujorin, buxheti arkëtoi gjithsej 163.8 miliardë lekë, me rritje…
Institucionet publike në vend nuk e njohin mjaftueshëm ligjin për prokurimet publike, diçka që i bën shpesh ato objekt ankimimesh. Të paktën në këtë përfundim ka dalë Komisioni i Prokurimit Publik i cili ka hartuar një listë me dhjetë gabime apo problematika që hasen më…
Revista “Monitor” kërkon të flasë me profesionistë të lirë në Shqipëri, të cilët duan të ndajnë me ne ndikimin e hyrjes në fuqi të ligjit të ri të Tatimeve dhe pasojat mbi aktivitetin tuaj. A jeni një profesionist i lirë në Shqipëri dhe jeni prekur…
Pirateria televizive vijon të mbetet një nga problematikat që Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka raportuar edhe gjatë vitit 2023 duke nënvizuar se po shihen disa modele sesi mund të kufizohet ky fenomen duke rishikuar ligjin. AMA nënvizon se ndryshimet e propozuara janë të praktikave…
Nëse ka një shifër që qeveria e përdor shpesh me mburrje është ajo e numrit të turistëve. Përditë bombardohemi me 10 milionë turistët që vizituan vendin, me shtimin…
Ekzaminimet e para mjekësore me skaner në Shqipëri në vitin 1995 janë kryer në klinikat private. Sektori privat mjekësor është gjithashtu ndër të parët që po përdor Inteligjencën Artificiale dhe sistemet e automatizuara. Sa ka arritur t'i reduktojë kostot për mbajtjen e personelit mjekësor përdorimi…
Aktiviteti ekonomik i sektorit privat në Bashkimin Europian, u rimëkëmb fuqishëm në prill, i udhëhequr nga kërkesa e fuqishme për shërbime, megjithëse prodhimi vazhdoi të tkurret.…
Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe institucionet e saj duhet të ndërmarrin masa të balancuara që adresojnë nevojat e ekonomisë dhe të konsumatorëve, duke mbajtur nën…
Ndërsa fillojnë bisedimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të rënë dakord për traktatin e parë botëror, për të reduktuar rritjen e mbetjeve plastike, kryesuesi…
Një udhëtim në kohë Eda Meta, MSc. International Finance German Banking Industry Historia e Inteligjencës Artificiale daton që në lashtësi. Njerëzimi ka ëndërruar gjithmonë për…
Profesionistët e burimeve njerëzore, zbulojnë përfitimet e tendencës virale 'chronoworking', duke supozuar se të gjitha palët mund të jenë fleksibël. Tendenca më e fundit e karrierës,…
Sipas një studimi të fundit të European Sponsorship Association (ESA) në bashkëpunim me Nielsen Sports, tregu europian i sponsorizimeve u rrit në 30.9 miliardë euro, duke…
Si mund te thone keta qe veza del me nje cmim 10.8 lek me tvsh kur ne supermarkete vezet e kompanive me te medha si beat apo aiba i gjen ne 40-60 lek per kokerr? po ne kete pike e kontrollojne tregun keta? apo u intereson vetem subvencionimi. Prandaj minipularite do ekzistojne dhe nuk do falimentojne.