Kontributi i fitimeve të pashpërndara në kapitalin e bankave këtë vit ka arritur në nivele dyshifrore, më të lartat që prej vitit 2010. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në tremujorin e parë fitimet e pashpërndara dhanë për herë të parë në një dekadë kontribut dyshifror në kapitalin aksioner të bankave, në nivelin 16.4%.
Gjatë tremujorit të dytë, pesha e tyre specifike pësoi një rënie, edhe për shkak të rritjes progresive të peshës së komponentëve të tjerë, si fitimi i vitit korrent, kapitalit të paguar apo rezervave. Megjithatë, kontributi pozitiv i fitimeve të pashpërndara përfaqëson një lloj pike kthese në performancën e sektorit bankar, sepse nënkupton absorbimin e humbjeve të akumualara gjatë viteve të krizës.
Që nga qershori 2011 e deri në shtator 2018, rezultati negativ i akumuluar dha një kontribut negative në strukturën e kapitalit aksioner të sistemit. Piku arriti në fund të vitit 2014, kur humbjet e akumuluara përbënin pothuajse 25% të kapitalit aksioner. Ky keqësim i performancës financiare u shkaktuar nga rritja e fortë e kredive me probleme.
Përmirësimi gradual i performancës bëri që në fund të vitit 2018 fitimet e pashpërndara të jepnin një efekt pozitiv në kapitalizimin e sektorit. Ky kontribut u përmirësua më tej gjatë vitit 2019 dhe arriti nivele dyshifrore në vitin 2020.
Kontributi i fitimeve të pashpërndara është një tregues i rëndësishëm, sepse është një element mbi të cilin banka mund të mbështesë rritjen e mëtejshme ose të përthithë goditjet nga keqësimi i performancës financiare korente, pa iu drejtuar aksionerëve për të injektuar kapital shtesë. Në muajin mars, banka e Shqipërisë vendosi t’iu ndalojë bankave shpërndarjen e fitimeve të mbajtura në bilance deri në fund të vitit 2020, përfshi këtu edhe fitimet që do të realizohen gjatë këtij viti.
Sistemi bankar në tërësi është i kapitalizuar mirë. Në mesin e këtij viti, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 18.1%, raport 50% më i lartë nga sa është niveli minimal rregullator i kërkuar.
Kapitali aksioner prej rreth 158 miliardë lekësh i sektorit bankar përbëhet në pjesën më të madhe nga kapitali i paguar i aksionerëve, me 67.2% të totalit. Dy komponentët e tjerë me peshën më të lartë janë rezervat me 14.5% dhe pikërisht fitimet e pashëprndara, me 12.7%. I vetmi element me kontribut negativ në kapitalizimin e bankave janë rezervat e rivlerësimit.
Kjo mund të shpjegohet kryesisht me shtimin e pronave që bankat mbajnë në bilance, pasi i kanë riposeduar nga kolateralet e kredive të pakthyera. Kërkesat rregullatore kërkojnë që këto asete të zhvlerësohen periodikisht dhe kjo ka rezultuar me vlera negative të rezervave të rivlerësimit të aktiveve afatgjata materiale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.