Drejtuesit financiarë të kompanive më të mëdha të tregtimit të mallrave në botë, thanë se viti 2022 ishte një vit rekord për fitime, duke vendosur një nivel të lartë për industrinë, që nuk ka gjasa të përsëritet në 2023.
Trafigura, Vitol, Gunvor, Mercuria dhe CCI thanë se përfitimi ndoshta do të ishte më i ulët këtë vit, pasi tregjet e mallrave janë kthyer më pranë niveleve normale të paqëndrueshmërisë.
Tregtarët më të mëdhenj të mallrave, korrën fitime të mëdha në vitin 2022, të nxitur nga paqëndrueshmëria ekstreme në tregjet e energjisë, duke përfshirë një rritje dhjetëfish të çmimeve europiane të gazit, pasi Rusia ndërpreu furnizimet në Europë pas pushtimit të Ukrainës.
Jeff Dellapina, drejtues financiar i Vitol – tregtari më i madh i pavarur i energjisë në botë – tha se këtë vit ka të ngjarë të ketë “kompresim të paqëndrueshmërisë” në tregjet e mallrave.
Vitol zbuloi këtë javë se qarkullimi i saj pothuajse u dyfishua në 2022 në 505 miliardë dollarë, nga 279 miliardë dollarë vitin e kaluar.
Vitol nuk e ka bërë të ditur fitimin e tij të vitit 2022, por disa pjesëmarrës të tregut besojnë se të ardhurat e tij neto, janë më shumë se dyfishuar nga nivelet tashmë rekord në 2021, duke u rritur mbi 10 miliardë dollarë vitin e kaluar.
Shtëpitë më të mëdha tregtare përfituan nga aksesi i tyre në kapital vitin e kaluar, duke u mundësuar atyre për të vazhduar tregtimin edhe në tregje jashtëzakonisht të paqëndrueshme, kur kërkesat për kapital u rritën.
“Viti i kaluar ishte një mundësi për të përfituar nga marzhet e mira. Mendoj se gjithçka po ndryshon pak tani”, tha Dellapina. “Viti i kaluar ishte ndoshta një nivel ciklik i lartë.”
Webster ra dakord, duke thënë se “ky ishte ndoshta një kulm për ekstremet e paqëndrueshmërisë dhe më pas ka të ngjarë edhe për fitimin”.
Richard Dolcetti, i cili drejton financat në CCI me bazë në SHBA, tha: “Në momentet kur ka paqëndrueshmëri në treg dhe ka çekuilibrime ekstreme të ofertës dhe kërkesës, është roli ynë që të ndërhyjmë.” Kur ju mund ta bëni këtë me sukses, “ju do të fitoni para”, shtoi ai.
Ndërsa një pjesë e paqëndrueshmërisë në tregjet e mallrave është ftohur, Christophe Salmon, zyrtari kryesor financiar në Trafigura, tha se ai priste një kthim në modelet më të egra të tregtimit në vitet në vijim.
“Unë besoj se paqëndrueshmëria në tregjet e mallrave do të vazhdojë,” tha ai. “Jo vetëm që po flasim për Rusinë, por edhe Kinën. Unë po flas për tranzicionin e energjisë, i cili në thelb do të shkaktojë më shumë paqëndrueshmëri në një numër tregjesh.”
Guillaume Vermersch, shefi financiar i grupit në Mercuria, shtoi se “paqëndrueshmëria e brendshme mbetet” dhe “problemet themelore nuk janë zgjidhur”.
Trafigura, e vetmja shtëpi e madhe tregtare private që publikoi rezultatet e saj, realizoi një fitim rekord tremujor prej 3.5 miliardë dollarësh në tremujorin e përfunduar në dhjetor, mbi 7.1 miliardë dollarë fitim neto në vitin financiar që përfundon në tetor, një rekord vjetor.
Mercuria, e cila është me bazë në Zvicër dhe e regjistruar në Qipro, raportoi të ardhura neto prej 3 miliardë dollarë në vitin 2022, nga 1.25 miliardë dollarë vitin e kaluar, me xhiro prej 174 miliardë dollarësh.
Në Glencore, e listuar publikisht, të ardhurat para interesit dhe taksave në divizionin e saj tregtar u rritën në 6.4 miliardë dollarë vitin e kaluar, 73 për qind më shumë se një vit më parë. / The Financial Times