Fitimi i 9-mujorit, bie 40%; Bankat i bëjnë “pritë” krizës dhe shtojnë provigjionet

10/11/2020 11:00 PM 0 komente

Sektori bankar e mbylli 9-mujorin me një fitim neto prej 10.7 miliardë lekësh ose rreth 87 milionë eurosh.

Krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar, fitimi i sektori bankar është 40% më i ulët. Kthimi nga kapitali në fund të shtatorit ishte 9.12%, nga 13.69% që kishte qenë një vit më parë.

Mbështetur në raportimin sipas standardeve rregullatore të Bankës së Shqipërisë, fitimet rezultuan 3.6 miliardë lekë në tremujorin e tretë të vitit, nga rreth 5.7 miliardë lekë që kishte qenë fitimi i tremujorit të dytë. Faktori kryesor që ka tkurrur fitimet në tremujorin e tretë ka qenë rritja e provigjioneve.

Megjithëse raporti i kredive me probleme u raportua i qëndrueshëm edhe gjatë tremujorit të tretë, në nivelin 8.3%, duket se bankat kanë zgjedhur të rrisin fondet rezervë për humbjet nga kreditë me probleme. Shpenzimet për provigjione në fund të 9-mujorit arritën në 5.1 miliardë lekë, tre herë e gjysëm më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këto shpenzime u rritën me gati tre miliardë lekë në tremujorin e tretë, duke sinjalizuar se bankat kanë preferuar të ndjekin një linjë më konservatore, për t’iu paraprirë goditjeve të pritshme që mund të japë kriza në cilësinë e portofolit të kredisë, pas mbylljes së moratoriumit të pagesave në fund të muajit gusht. Në teori, rritja e hershme e provigjioneve do ta bënte më të kufizuar efektin financiar të keqësimit të portofolit të kredisë në tremujorin e fundit të vitit.

Diferencën në fitimin e bankave me vitin e kaluar e ka bërë kryesisht vendimi për të rritur provigjionimin, si edhe një rritje e shpenzimeve operative, e ndikuar shumë edhe nga protokollet parandaluese të pandemisë. Në mungesë të këtyre faktorëve, fitimi neto i sistemit bankar do të rezultonte në nivele të ngjashme me vitin e kaluar.

Zëri kryesor i të ardhurave të bankave, të ardhurat nga interesi, u rrit me një miliardë lekë ose 3.6% më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Në vlera neto, përmirësimi u ndikua paralelisht si nga rritja e të ardhurave nga interesat, ashtu edhe nga një ulje e mëtejshme e shpenzimeve për interesa.

Në tremujorin e tretë bankat arritën të përmirësonin edhe bilancin e të ardhurave të tjera, duke ngushtuar ndjeshëm hendekun që ishte krijuar nga ulja e komisioneve në periudhën e mbylljes së ekonomisë. Këto të ardhura arritën në 9.73 miliardë lekë, në rënie të lehtë nga niveli prej 9.8 miliardë lekësh i vitit të kaluar. Ulja e lehtë e të ardhurve nga komisionet u kompensua nga rritja e fitimeve prej instrumenteve financiare, kryesisht të aktivitetit të këmbimit valutor.

Ndërkohë, zërat e jashtëzakonshëm të të ardhurave prej vitesh po vazhdojnë të japin një kontribut negativ në pasqyrën e performancës së sektorit bankar. Ato përfaqësojnë kryesisht të ardhurat nga shitja e kolateraleve të riposeduara në përfundim të procesit të ekzekutimit ligjor. Për 9-mujorin, ato dhanë një efekt negativ prej rreth 817 milionë lekësh në të ardhurat e sektorit bankar. Kjo tregon se përgjithësisht bankat po i shesin këto asete me humbje ose me çmim më të ulët se vlera e kontabilizuar në bilanc./E.Shehu

Burimi: Banka e Shqipërisë

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of