Fitimi i bankave rritet me 8% në 2019-n, ulen kreditë me probleme në nivelin më të ulët të dekadës

10/02/2020 12:37 PM 0 komente

Fitimi i sistemit bankar arriti në gati 20 miliardë lekë për vitin 2019, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, që e raporton këtë të dhënë bazuar në standardet lokale të kontabilitetit.

Në krahasim me një vit më parë, fitimi i sistemit rezulton të jetë rreth 8% më i lartë, duke shënuar rezultatin e dytë më të mirë të dekadës së fundit, pas 2017-n, kur arriti në 22.1 miliardë lekë.

Sipas tabelave të detajuara të Bankës, të ardhurat nga interesi, që bëjnë burimin kryesor të të ardhurave të bankës ishin rreth 50 miliardë lekë, duke rënë me rreth 5%, si rrjedhojë e uljes së vazhduashme të normave të kredive, pas politikës lehtësuese monetare që po ndjek Banka e Shqipërisë që prej vitit 2011.

Të ardhurat nga gjobat e komisionet ishin rreth 11 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel të një viti më parë.

Sistemi ka raportuar rezultat pozitiv prej 1.5 miliardë lekë nga instrumentet financiarë, pas humbjeve të larta prej 12 miliardë lekë që rezultoi në 2018-n, çka ka amortizuar rënien e të ardhurave nga interesat.

Në kahun e shpenzimeve, provigjnet për kreditë e humbura ishin rreth 162 milionë lekë, nga  2.3 miliardë lekë vitin e mëparshëm.

 

 

Ulen kreditë me probleme, zbresin në 8.4%

Huatë me probleme (NPL) zbritën në 8.4% të totalit në fund të vitit 2019, sipas statistikave të bankës së Shqipëris,ë duke arritur në nivelin më të ulët që prej një dekade.

Nga 11.1% që u mbyll 2018-a-, në dhjetor 2019, kreditë që bizneset dhe individët nuk kanë kthyer në banka për më shuëm se tre muaj, përbënin 8.4% të totalit, ose 2.7 pikë përqindje më pak. Pas një rritjeje të letë në gjysmën e parë të 2019-s, NPL-të zbritën sërish në gjysmën e dytë të 2019-s.

Kjo zbritje, sipas Bankës së Shqipërisë ka pasqyruar masat konkrete të ndërmarra të nga Banka e Shqipërisë për reduktimin e tyre, si dhe përmirësimin e ambientit ekonomik dhe të gjendjes financiare të kredimarrësve.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rënia e kredive me probleme, krahas përmirësimit të aktivitetit ekonomik, pasqyron edhe angazhimin e bankave në përmbushje të planit të masave për të ulur kreditë me probleme. Pritshmëritë e Bankës ishin që pastrimi i bilanceve të bankave nga kreditë me probleme dhe konsolidimi i sistemit bankar të ndihmojnë në një rritje të qëndrueshme të kredisë në të ardhmen.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of