Sektori bankar i rriti më tej fitimet gjatë muajt gusht, duke e çuar rezultatin progresiv tetëmujor sipër pragut të 10 miliardë lekëve.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se sistemi bankar realizoi një fitim neto prej 10.4 miliardë lekësh për tetëmujorin, me një rritje të mëtejshme me 1.8 miliardë lekë krahasuar me fundin e 7-mujorit.
Fitimi i bankave është gjithsesi më i ulët në raport me 8-mujorin 2019, me rreth 25% më pak; megjithatë, po të kemi parasysh kontekstin e krizës ku ndodhet ekonomia, performanca e sistemit deri tani duket pozitive.
Në terma të rentabilitetit, kthimi nga kapitali aksioner u rrit në nivele dyshifrore, në vlerën 11.3%, nga 9.4% që raportohej në fund të 7-mujorit.
Këto të dhëna mbështeten në standardet e raportimit për efekt të mbikëqyrjes bankare që aplikohen nga Banka e Shqipërisë, ndërkohë që të dhënat mbështetur mbi standardet ndërkombëtare të raportimit financiar ende nuk janë të disponueshme. Mes dy standardeve mund të rezultojnë diferenca të ndjeshme, sidomos për shkak të rregullave të ndryshme që ndiqen me provigjionimin dhe me zbutjen e rrezikut të kredisë, duke njohur vlerën e kolateralit.
Në rezultatin pozitiv të sistemit vlerësohet se kanë një ndikim të konsiderueshëm edhe masat e përkohshme rregullatore të Bankës së Shqipërisë, që i kanë çliruar bankat nga detyrimi për të llogaritur provigjione lidhur me kreditë e ristrukturuara në periudhën nga marsi deri në fund të gushtit. Pas muajit shtator, lehtësimet e përkohshme rregullatore janë shfuqizuar dhe bankat do të duhet të provigjionojnë gradualisht kreditë e huamarrësve që nuk do të jenë në gjendje t’iu përgjigjen detyrimeve pas fazës së shtyrjeve.
Me standardet e Bankës së Shqipërisë, që mbështeten kryesisht në ditëvonesat, kjo do të kërkojë një periudhë të paktën tremujore. Por efektet në përfitueshmërinë e sistemit mund të ndihen edhe më shpejt, sidomos me standardin IFRS, sepse është e pritshme që bankat të marrin një pozicionim konservator, për të pasur një ide sa më të qartë të goditjes së do të japë kriza e Covid-19 në bilancet e tyre.
Sidoqoftë, deri tani sistemi duke në një pozicion mjaft solid. Niveli i mjaftueshmërisë së kapitalit është 18.1% dhe rritja graduale e fitimeve, edhe në tremujorin e tretë, krijon një amoritzator shtesë ndaj pasojave që do të jenë më të prekshme në fund ë këtij viti dhe në fillimin e vitit të ardhshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.