Fitimi i sektorit bankar u rrit me ritëm të ngadaltë edhe për muajin, duke qëndruar në nivele ndjeshëm më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për pesë muajt e parë të këtij viti fitimi neto i sistemit bankar kishte vlerën e 5.64 miliardë Lekëve. Fitimi paraqitet në rënie me 29% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nëse përjashtojmë vitin 2020, që u ndikua fuqishëm nga efektet negative të mbylljes së ekonomisë, fitimi i sektorit bankar paraqitet në vlerën më të ulët që prej vitit 2016.
Kthimi nga kapitali aksioner, mesatarizuar me bazë vjetore, gjithashtu ka rënë në 7.54%, nga 11.58% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe kthimi nga aktivet këtë vit paraqitet në rënie, në nivelin 0.85%, nga 1.26% që kishte qenë në maj 2021.
Rezultatet bazohen në metodën e raportimit sipas standardeve lokale të Bankës së Shqipërisë dhe kanë një natyrë orientuese për performancën e sektorit. Standardi ligjor është raportimi me Standardet Ndërkombëtare të Raportimi Financiar (IFRS) që bankat e kryejnë me frekuencë tremujore dhe që pritet të publikohet këtë muaj nga Shoqata Shqiptare e Bankave.
Sidoqoftë, rënia e fitimeve sipas standardeve lokale jep një ide të sfidave me të cilat sektori bankar ka nisur të përballet, për shkak të rritjes së shpejtë të inflacionit.
Për momentin, bankierët shprehen se rënia e fitimeve nuk lidhet edhe aq me përkeqësimin e cilësisë së kredisë, megjithëse në dy muajt e fundit raporti i kredive me probleme ka shënuar një rritje të lehtë.
Për majin, ky raport u rrit sërish lehtë në 5.44%, nga 5.42% që kishte qenë në muajin prill. Në prill, rritja kishte ardhur kryesisht nga përkeqësimi i statusit të kredive të lidhura me ndërtimin e inceneratorëve. Një zhvillim tjetër që mund të japë ndikim negativ këtë vit është edhe shfuqizimi i masave të përkohshme të Bankës së Shqipërisë, që lejonin risturkturimin e kredive pa përkeqësuar statusin e huamarrësve.
Këto masa u miruataun menjëherë pas pandemisë dhe qëndruan në fuqi deri në fund të vitit 2021, për të lehtësuar ristrukturimin e subjekteve dhe kryesisht të bizneseve që u prekën nga pasojat e Covid-19. Me shfuquzimin e këtyre masave, kreditë e ristrukturuara duhet detyrimisht të klasifikohen si kredi me probleme, derisa huamarrësi të ketë paguar rregullisht detyrimet për të paktën gjashtë muaj radhazi.
Edhe ky faktor mund të japë potencialisht një efekt negativ në raportin e kredive të këqija. Shtimi i kredive me probleme shoqërohet me rritje të provigjioneve, çka e ndikon negativisht rezultatin financiar të sektorit.
Megjithatë, bankierët shprehen se për momentin nuk konstatojnë ndonjë përkeqësim të përgjithshëm të aftësisë paguese të huamarrësve, pavarësisht rritjes së çmimeve dhe inflacionit më të lartë në më shumë se 20 vjet.
Të paktën bazuar në të dhënat e detajuara të tremujorit I, ndikimin kryesor në rënien e fitimeve e dha zhvlerësimi i instrumenteve financiare të maturuara për shitje.
Rritja e normave bazë të interesit është shoqëruar me një rritje të yield-eve të instrumenteve financiare. Për instrumentet në valutë rritja ka nisur qysh vitin e kaluar, ndërsa për lekun ajo është bërë e prekshme sidomos pas muajit mars, kur Banka e Shqipërisë rriti normën bazë për herë të parë në një dekadë.
Shifrat tregojnë se ky vit do të jetë sfidues për sektorin bankar. Inflacioni i lartë pritet të ndikojë negativisht konsumin, investimet dhe të përcaktojë një rritje ekonomike më të ngadaltë./E.Shehu

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.