Fitimi i tregut të shoqërive administruese të fondeve të pensioneve dhe investimeve pësoi sërish rënie vitin e kaluar.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se rezultati i përbashkët financiar i fondeve të licencuara për vitin 2021 ishte fitimprurës në vlerën e 152.7 milionë lekëve ose rreth 1.26 milionë eurove. Krahasuar me vitin 2020, fitimi i shoqërive administruese ka pësuar një rënie me 2.8%.
Burimi kryesor i të ardhurave të këtyre shoqërive janë tarifat e administrimit të fondeve të pensionit dhe investimit, që konsistojnë në një përqindje fikse kundrejt totalit të aktiveve. Megjithëse aktivet neto të fondeve të pensionit dhe fondeve të investimt u rritën me ritme relativisht të larta vitin e kaluar, kjo nuk ka mjaftuar për të përmirësuar përfitueshmërinë e tregut.
Rënia e fitimeve është ndikuar në një pjesë të madhe nga shoqëritë administruese që janë ende në trevjeçarin e parë të aktivitetit dhe ku zakonisht humbjet janë të parashikuara në këtë fazë, edhe për shkak të përmasave ende të vogla të fondeve që administrojnë.
Kompania më e madhe, Raiffeisen Invest për vitin 2021 arriti një fitim neto prej 144.5 milionë lekësh, në rënie me 8.7% krahasuar me një vit më parë. Të ardhurat e kompanisë u përmirësuan krahasuar me një vit më parë, me një rritje prej 6%, të ndikuar kryesisht nga zgjerimi i aktiveve të fondeve nën administrim. Por, nga ana tjetër, shpenzimet e administrimit të fondeve u rritën në përmasa më të mëdha, duke bërë që rezultati financiar të pësojë rënie krahasuar me vitin e mëparshëm. Raiffeisen Invest administron fondet e investimit Raiffeisen Prestigj, Raiffeisen Vizion, Raiffeisen Invest, Raiffeisen Mix dhe fondin e pensioneve Raiffeisen Pension. Ato përbëjnë më shumë se 90% të aseteve totale të tregjeve të fondeve të investmeve dhe pensioneve, çka i jep një dominim edhe në strukturën e të ardhurave dhe të fitimeve të tregut.
Fitimin e dytë më të lartë në vlerë për vitin 2021 e arriti Credins Invest, me 22 milionë lekë, në rritje me 24.3% krahasuar me vitin 2020. Credins Invest e ka rritur fitimin për të dytin vit radhazi, kryesisht falë zgjerimit të të ardhurave nga tarifat e administrimit, të lidhura me rritjen e vlerës së aseteve të fondeve të pensionit. Credins Invest vitin e kaluar administronte fondin e pensioneve Credins Pension, fondin e investimeve Credins Premium dhe fondin e investimeve alternative Sea Land Investment.
Shoqëria tjetër, SIGAL – Life UNIQA GROUP AUSTRIA, për vitin 2021 raportoi një fitim neto në vlerën e 13 milionë lekëve, në rënie me 32% krahasuar me vitin 2020. Rënia e fitimi erdhi kryesisht si rezultat i rritjes së shpenzimeve të shoqërisë administruese, që administron fondin e pensioneve SIGAL Pension.
Kompania administruese ËVP Fund Management Tirana, ka shënuar vitin e parë me rezultat financiar pozitiv, në vlerën e pesë milionë lekëve, ndërkohë që vitin e kaluar kishte raportuar një humbje të vogël neto në vlernë e rreth 30 mijë lekëve. WVP Fund Management Tirana administron dy fondet e investimit, WVP Top Invest dhe WVP Global.
Shoqëria Albsig Invest, e mbylli vitin 2021 me humbje në vlerën e 11.4 milionë lekëve. Humbjet u ngushtuan me afërsisht 37% krahasuar me vitin 2020. Albsig Invest e nisi aktivitetin vetëm në fund të vitit 2019 dhe administron fondin e pensioneve Albsig Pension dhe fondin e investimeve Albsig Invest.
Me humbje prej rreth 7.9 milionë lekësh rezultoi edhe kompania më e re, ABI Invest. Për ABI Invest, viti 2021 ishte viti i parë me veprimtari active të fondeve të veta. Kjo shoqëri administron tre fonde investimi, ABI EIA, ABI FLEX EUR dhe ABI FLEX USD.
Mbështetur në të dhënat e AMF, në fund të vitit 2021, këto kompani administronin rreth 82 miliardë lekë asete të fondeve të investimit dhe pensioneve./E.Shehu

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.