Intervistë me Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA
Agim Nesho, diplomat dhe ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA dhe në OKB, thotë në një intervistë për revistën “Monitor” se një fitore e mundshme e kandidatit amerikan, Joe Biden, do ta rivendoste Amerikën në pozitat e saj të udhëheqëses së rendit liberal botëror.
Sipas tij, administrata Trump ndoqi në rajonin e Ballkanit Perëndimor politika koniunkturore, për përfitime politike. Zoti Nesho mendon se fitorja e kandidatit demokrat do të sillte forcim të frymës euroatlantike dhe marrëdhënieve me vendet aleate të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.
Cilat mund të jenë ndryshimet kryesore në kursin e politikës së jashtme amerikane, në varësi të kandidatit që do të fitojë?
Sigurisht që rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA do të sjellë ndryshime të rëndësishme për politikën e jashtme, por edhe për mënyrën e qeverisjes brenda vendit. Doktrina e presidentit Trump, “Amerika e para”, ka sjellë një ndryshim në politikën amerikane drejt nacionalizmit, izolacionizmit dhe kundër politikës tradicionale amerikane, në udhëheqje të rendit liberal botëror, për më se 70 vjet.
Nëse kandidati demokrat Biden fiton, do të kthehet “normaliteti” në politikën e jashtme, që do të thotë: së pari, mbajtja dhe fuqizimi i alternativave demokratike që ekzistojnë në botë; së dyti, do të rritet bashkëpunimi i aktorëve ndërkombëtarë për zgjidhjen e problemeve kritike të zhvillimit botëror; së treti, do të kemi rikthim në funksionimin e globalizimit; së katërti, rikthim i prioriteteve dhe bashkëpunimit me aleatët tradicionalë, si BE dhe fuqizimi i funksionimit të NATO-s; së pesti, rikthim i vendimeve kolegjiale të institucioneve ndërkombëtare ndaj krizave botërore të paqes dhe stabilitetit. Mendoj se këto do të jenë prioritetet kryesore të administratës Biden.
Së fundi, do kemi një rikthim në funksionimin e politikës së jashtme të vlerave dhe principeve demokratike në trajtimin e çështjeve të ndryshme, qofshin të paqes, stabilitetit apo funksionimit të demokracisë kudo në botë.
Çfarë diferencash mund të ketë në qasjen ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe çështjeve që prekin Shqipërinë dhe shqiptarët, në varësi të kandidatit që do të fitojë?
Mendoj se rajoni i Ballkanit do të marrë trajtim të veçantë nga të dy administratat, sepse forcat jashtë-europiane, fuqitë në rritje si Kina, Rusia dhe Turqia, po kërkojnë të rrisin influencën e tyre në rajonin e Ballkanit. Për administratën Trump, rajoni do të vazhdojë të shihet si një rivalitet i Fuqive të Mëdha, ku ka edhe mundësi të zgjidhjeve tradicionale, siç ishte rasti i konfliktit Kosovë-Serbi, ku trajtimi i deritanishëm është në funksion të zgjidhjes së konfliktit në Lindjen e Mesme.
Mendoj se administrata Trump po e trajton Serbinë me prioritet, si fuqia më e madhe rajonale, duke prishur atë balancë të nevojshme për barazi dhe drejtësi në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Trump nuk ka një strategji për Ballkanin. Për kandidatin demokrat Biden, politika tradicionale Euroatlantike do të prevalojë; kjo nënkupton fuqizimin e NATO-s dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë anëtarë të kësaj aleance, si në mbrojtjen e vendit të tyre, ashtu edhe në rritjen dhe fuqizimin e NATO-s, kundër influencës ruse.
Mendoj se do të ketë bashkëpunim dhe jo ndarje me Europën për integrimin e Shqipërisë dhe rajonit në BE. SHBA do të respektojnë qëllimin që Shqipëria, Kosova dhe vendet e rajonit të bëjnë pjesë në Europën e Bashkuar dhe mendoj se do të punojnë për procesin e integrimit të shpejtë të Shqipërisë dhe për të mundësuar që qytetarët e Kosovës të jenë të barabartë në hapësirën “Schengen”. Politikat e administratës Biden për Rajonin nuk do të jenë politika koniunkturore, për përfitime politike, por normalitet dhe vazhdimësi të konsensusit të Uashingtonit për arritjet e SHBA në rajon.
Cili kandidat do të ishte më i mirë për interesat e shqiptarëve?
Faktori shqiptar në Ballkan është i destinuar të bashkëjetojë me atë zgjidhje që bën populli amerikan për administratën që do. Prandaj, duhet t’i privojmë vetes që të bëhemi tifozë në këtë çështje tepër të madhe dhe me influencë shumë të gjerë në të ardhmen e vendeve tona. SHBA janë dhe do të mbeten partneri ynë kryesor strategjik edhe pas këtij mandati.
Kjo nuk do të thotë që ne të mos jemi të aftë të shohim dhe të flasim për ato politika që janë preferenciale dhe i përafrohen më tepër zhvillimit dhe vizionit që kanë vendet tona në integrimin e tyre perëndimor. Duhet të marrin fund sjelljet servile që politikanët shqiptarë tregojnë në disa raste për të pranuar pa kushte çdo gjë që serviret nga individë dhe politikanë në SHBA, edhe kur këto zgjidhje të ofruara janë kundër interesave të tyre. Ne duhet të veprojmë në politikën tonë të jashtme me dinjitet dhe integritet.
Sa i rëndësishëm dhe i organizuar është lobi shqiptar në SHBA? E shihni si një faktor që vlerësohet ose përfillet në fushatën e kandidatëve për president?
Shqipëria dhe shqiptarët në rajon nuk kanë një grup të rëndësishëm lobimi në SHBA nga diaspora shqiptare. Diaspora jonë qëndron me një këmbë në atdhe dhe me një këmbë atje. Duke qëndruar afër atdheut, ata reflektojnë ndarjet dhe pasionet politike që kanë përjetuar para largimit. Duke mos pasur një integrim të plotë dhe të shpejtë në SHBA dhe pamundësia për të evidentuar figura të shquara nga diaspora, roli i diasporës sonë atje është relativisht i vogël.
Ne kemi brezin tjetër të diasporës, i cili po përgatitet në mënyrë të shkëlqyer, po mbaron shkollat më të mira atje, po integrohet në institucionet kryesore amerikane. Te ky brez ne duhet të mbështesim ato politika për ta bërë diasporën shqiptare dhe lobizmin tonë atje si një urë lidhëse midis prosperitetit të hapësirave shqiptare dhe SHBA.
Në këtë drejtim, diaspora shqiptare është larg dhe duhet të mësojë nga mënyra e funksionimit të grupeve të tjera etnike, si lobi irlandez, ai hebre, italian, grek, etj., që janë shumë më të organizuar, shumë më të lidhur me vendin, por kanë edhe personalitete në SHBA që implementojnë ato politika që kanë interes të përbashkët për vendet.