Pranë një rruge dredha-dredha që kalon nëpër Alpet Apuan, ndodhet fshati Sant’Anna di Stazzema.
Në vitin 1944, trupat e SS-së dhe paraushtarakët fashistë, masakruan disa qindra njerëz në këtë zonë, mes tyre edhe fëmijë, për të penguar bashkëpunimin me grupet e qëndresës ndaj fashistëve.
Në zgjedhjet e përgjithshme të Italisë, më 25 shtator, Stazzema, zona bashkiake që përfshin fshatin Sant’Anna, zgjodhi një senator nga Partia Vëllezërit e Italisë (FDI), një parti që rrjedh nga një grup neofashist i pasluftës. Kandidati i FDI-së fitoi 49.6% të votave.
Gazeta e përditshme lokale “Il Tirreno”, shprehu zemërim. Ajo tha se Stazzema dhe rajoni përreth i Toskanës, kishin “kyçur në sirtar kujtesën e tyre”. Rëndësia historike e fashizmit kishte humbur në “një det shpërfilljeje dhe populizmi”.
Nga 36 ligjvënësit e zgjedhur në Toskanë, dikur pjesë e “rripit të kuq” komunist të Italisë, 19 vinin nga aleanca fitimtare kombëtare e krahut të djathtë. Gjashtë i përkasin FDI-së, të udhëhequr nga Giorgia Meloni, kryeministrja e ardhshme e Italisë. Por a nënkuptojnë vërtet rezultatet e zgjedhjeve të Italisë, se vendi ka përqafuar, edhe një herë, të kaluarën fashiste?
Shpërndarja e vendeve në Parlament mund t’ju bëjë të mendoni se kjo është e vërtetë. E djathta pritet të fitojë 237 nga 400 vendet në Dhomën e Deputetëve dhe 115 nga 200 vendet në Senat. Në të dyja Dhomat, Vëllezërit e Italisë do t’i tejkalojnë të gjithë aleatët e tyre në total (shih grafikun).
Si fitoi e djathta
Por e djathta nuk fitoi falë popullaritetit, por përshtatjes së ashpër me sistemin zgjedhor. Në Itali, shpërblehen bujarisht aleancat politike. Dhe ndërsa konservatorët e Italisë kanë qëndruar së bashku, kundërshtarët e tyre u ndanë.
Udhëheqësi i Partisë Demokratike (PD) të qendrës së majtë, Enrico Letta, e përjashtoi mundësinë e një aleance me Lëvizjen Pesë Yjet (M5S) me prirje të majtë, për shkak të rolit që luajti ajo në rrëzimin e qeverisë në largim të Mario Draghi-t.
Carlo Calenda, themeluesi i një partie të vogël centriste të quajtur Action, më pas anuloi një marrëveshje me PD-në dhe u bashkua me një parti tjetër të vogël, Italia Viva. Kështu, PD-ja përfundoi duke bërë fushatë si pjesë e një blloku me një numër të vogël të sapoardhurish politikë.
Aleanca e tyre fitoi vetëm 26% të votave kombëtare, ndërsa e djathta, 44%. Por së bashku, qendra e majtë, qendra dhe Pesë Yjet, arrinin 49% të votave, që mund të kishte mjaftuar për të fituar, po të ishin bashkuar.
Por në vend të kësaj, ata bënë vetëvrasje elektorale. Efektet ishin më të theksuara në zonat zgjedhore me modelin “fituesi i merr të gjitha”. Me më pak se gjysmën e votave, e djathta mori më shumë se tre të katërtat e vendeve. Zoti Letta u qortua nga të gjitha anët.
Një ditë pas zgjedhjeve, ai shpalli një kongres të PD-së, ku njoftoi se nuk do të rikandidonte. Kandidatët kryesorë që mund ta pasojnë atë, përfshijnë Stefano Bonaccini-n, guvernator i zonës Emilia-Romagna dhe Dario Nardella, kryebashkiaku i Firences.
Ka ardhur edhe një e re intriguese: Elly Schlein me origjinë zvicerane, zëvendësja e zotit Bonaccini, e cila u largua nga PD-ja shtatë vite më parë dhe tani është me Partinë e Gjelbër.
Votat e fituara nga e djathta shënuan përparim të madh në krahasim me 37% që fitoi në zgjedhjet e mëparshme në vitin 2018.
Por prirja më e rëndësishme është ajo që ka vazhduar për të paktën 10 vjet: dëshira në rritje e konservatorëve italianë për oferta gjithnjë e më radikale. Në pesë vitet e fundit, mbështetja për Vëllezërit e Italisë është rritur nga 4% në 26%.
Vetëm disa nga ata votues vinin nga Liga e Veriut, një parti populiste e ngjashme. Përqindja e votave të saj u zvogëlua nga 17% në 9%, një shifër edhe më e ulët nga sa kishin parashikuar sondazhet.
Disa kanë bërë thirrje që udhëheqësi i partisë, Matteo Salvini, të japë dorëheqjen, duke përfshirë Roberto Maroni-n, figurë kryesore në parti. Por Salvini ka bërë një vesh të shurdhër ndaj sugjerimeve se ai duhet të ndjekë shembullin e zotit Letta.
Vota për të djathtën populiste – Liga e Veriut dhe Vëllezërit e Italisë – është rritur në pesë vjet nga 21%, në 35%. Sfida për zonjën Meloni do të jetë që të qetësojë votuesit e saj, pa e tërhequr Italinë në një përballje me Brukselin, ose në një krizë borxhi.
Deri tani, tregjet i kanë dhënë kryeministres së re të Italisë mirëseardhje më miqësore se udhëheqëses së re të Britanisë, por kjo nuk është arsye për të qenë e vetëkënaqur.
Votat
Vota për të djathtën populiste – Liga e Veriut dhe Vëllezërit e Italisë – është rritur në pesë vjet nga 21%, në 35%. Sfida për zonjën Meloni do të jetë që të qetësojë votuesit e saj, pa e tërhequr Italinë në një përballje me Brukselin, ose në një krizë borxhi. Deri tani, tregjet i kanë dhënë kryeministres së re të Italisë mirëseardhje më miqësore se udhëheqëses së re të Britanisë, por kjo nuk është arsye për të qenë e vetëkënaqur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.