A ju rreh zemra shumë sa herë që keni për të dalë përpara një audience të caktuar për të mbajtur një fjalim? A emocionoheni kur shikoni se sytë dhe veshët e çdo pjesëmarrësi janë përqendruar vetëm tek ju dhe tek fjalët që ju do të thoni? Nëse po, atëherë duhet të tregoheni shumë të kujdesshëm për fjalët e para që do të thoni, sepse do të jenë pikërisht ato që do të vendosin nëse audienca do të qëndrojë apo jo e përqendruar edhe në vazhdimësinë e fjalimit tuaj. Eksiztojnë shumë mënyra të cilat do t’ju vijnë në ndihmë në mënyrë të tillë që kur të dilni përpara audiencës të mos jeni të emocionuar për të jeni të përqendruar vetëm në mesazhin që doni të përçoni nëpërmjet fjalimit tuaj.
Ja sesi mund ta arrini lehtësisht një gjë të tillë:
Mos dilni kurrë nga vetja
Një prej gabimeve më të shpeshta që bëjnë zakonisht njerëzit përpara se të dalin dhe të mbajnë një fjalim në publik është se ata shqetësohen për gjëra fare të parëndësishme, si për shembull ajo çka do të veshin, nëse flokët e tyre duken mirë, etj. Sigurisht që edhe pamja juaj ka rëndësi, por ka gjëra të tjera të cilat janë më të rëndëishme se ajo. Ky është momenti i duhur kur ju duhet të qetësoheni dhe të mundoheni të mos dilni asnjëherë nga vetja juaj. Qartësoni çdo dyshim që keni dhe përqendrohuni tek:
- Frymëmarrja
- Mesazhi që ju doni të përçoni tek audienca
- Si ju mendoni ta mbani të përqendruar audiencën gjatë gjithë kohës?
- Çfarë lloj folësi doni të bëheni?
Mos harroni
Pikërisht 4 nënpikat e mësipërme do t’ju ndihmojë që të jeni vetvetja dhe të fitoni akoma edhe më shumë besim gjatë momentit që ju jeni duke folur në publik. Gabimi më i madh i një pjesë të konsiderueshme të personave që flasin në publik është se ata mendojnë se sa më të vështirë dhe të komplikuar që ta bëjnë fjalimin e tyre, aq më tërheqës do të jetë ai. Por pikërisht ky është edhe gabimi i tyre më i madh, sepse ata i hynë një rrugë së cilës nuk dini t’i dalin më në krye. Prandaj këshillohet që të tregoheni sa më shumë vetvetja, kështu do ta keni më të lehtë për t’ia dalë me sukses nga fillimi deri në fund të fjalimit.
Si ta nisni një fjalim/ Fjalët tuaja të para
Fillimi i mbarë, gjysma e punës. Nëse ju e arrini një gjë të tillë, atëherë edhe niveli juaj i besimit në ato çka po thoni do të rritet, njësoj sikur sapo të keni pirë një filxhan kafe, i cili do t’jua rrisë energjinë. Pikërisht këtu është edhe pika ku folësit e suksesshëm ndryshojnë nga të tjerët. Duhet të bëni kujdes të mos përdorni asnjë prej frazave të mëposhtme, sepse ato do të ishin vërtet fillimi më i keq i mundshëm:
- Është kënaqësi shumë e madhe të ndodhem sot përpara jush
- Do të mundohem që ta përfundoj sa më parë
- Mu kërkua vetëm pak minuta më parë që ta mbaj unë këtë fjalim
- Edhe pse nuk jam përgatitur shumë mirë, unë mora guximin të dal përapra jush
Fraza të tilla si këto të mësipërmet, bëjnë që audienca të humbasë përqendrimin dhe interesin e saj që në fillim të fjalimit tuaj, prandaj mundohuni në maksimum që t’i evitoni ato.
Duhet të jeni të përgatitur
Nëse ju e dini fare mirë se jeni përgatitur në maksimum për fjalimin që do të mbani, atëherë të jeni të sigurtë se edhe besimi që ju do të keni në momentin që do të dilni përpara audiencës do të jetë i madh. Ju duhet të besoni në veten tuaj dhe në ato çka do të thoni. Mos u përpiqni të memorizoni çdo fjalë të shkuar por mundohuni të shpreheni në mënyrën më të natyrshme të mundshme.
Mundohuni të përçoni pozitivitet
Pa këtë cilësi ju nuk mund të shkoni shumë larg. Kush nuk do ta dëgjonte me dëshirë një person pozitiv? Dhe ky person mund të jeni ju, sidomos në momentin që mbani fjalim në publik, duke pasur kështu pas vetes vëmendjen e të gjithë audiencës pjesëmarrëse.
Gjuha e trupit
Gjuha e trupit është një tjetër faktor që ju diferencon nga folësit e tjerë në publik. Cili do të jetë gjesti i parë që ju do të bëni, çfarë qëndrimi do të mbani gjatë kohës që do të mbani fjalimin dhe nëse balli juaj do të ketë rrudha vazhdimisht gjatë gjithë fjalimit, shenja këto që tregojnë prezencën e një nervoziteti në rritje. Prandaj mundohuni të tregoheni të kujdesshëm në çdo lëvizje që bëni dhe mbi të gjitha mos harroni të qeshni.