Kryeministri i Kosoves, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqjen me arsyetimin se është thirrur nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara si i dyshuar.
Ky është fjalimi i plotë i dorëheqjes se Haradinajt:
Të nderuar Kolegë,
Dua të ju informoj se sot kam marrë këtë vendim:
* Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua që të ju falemnderoj për besim dhe përkrahje
* Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar
*Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci.
* Nderi I Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’I dal përball shpifësve ashtu si e kërkon nderi I luftëtarit shqipëtar.
* Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë.
* Shteti im është Kosova e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, nëterritor e kufijë.
* Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit
* Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes.
* Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi Kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do t’a kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet.
* Kosova Euroatlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues.
* Dialogu për njohje është edhe rruga për tregti të lirë me Serbinë.
* Kurr s’është vonë të jemi bashkë – tregu për njohje e jo ndarja apo Republika e Dodikut.
* Më lejoni të ju siguroj se: Taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime.
* Pas kësaj dorëheqjeje MANDATIN JA KTHEJ POPULLIT. Sovrani të vendos për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike.
* I drejtohem Presidentit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpall zgjedhjet e parakohëshme.
* Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike.
* Menjëherë do t’i drejtohem me shkresa zyrtare për dorëheqjen e parevokueshme institucioneve të vendit dhe udhëheqësve të koalicionit qeverisës.
* Do t’i shërbej me besnikëri, gjithë jetën, POPULLIT, ATDHEUT DHE SHTETIT TIM KOSOVËS!
Faleminderit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.