Flet shefi i FMN-së: Tërmeti s’do ketë efekt afatgjatë në ekonomi, më i prekuri turizmi

17/01/2020 10:05 PM 0 komente

Flet Shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Jan Kees Martijn

 

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pret që rritja në 2020 ka të ngjarë të jetë më e ulët sesa 3.5 për qind, si rrjedhojë e pasojave të tërmetit, veçanërisht në turizëm. Por, Shefi i Misionit të FMN për Shqipërinë, Jan Kees Martijn, thotë në një intervistë të posaçme për Monitor se në afatin e mesëm ekonomia do të ndikohet pak nga tërmeti. Ai thekson se të rëndësishme për të ardhmen e vendit janë reformat ambicioze ekonomike, që do të përshpejtonin rritjen, duke ndikuar dhe në frenimin e emigracionit.

Teksa FMN ka qenë vazhdimisht kritike ndaj angazhimeve të qeverisë me projektet e Partneritetit Publik Privat (PPP), Martijn thekson se PPP-të mbartin rreziqe financiare, jo vetëm në buxhetin e vitit aktual, por për të gjithë periudhën e kontratës. Këto projekte, sipas tij, janë ndërmarrë në një kohë që nuk ishin funksionale ende sistemet e nevojshme që do të siguronin që PPP-të të ofronin vlerë për paratë, dhe rreziqet financiare të PPP-ve për buxhetin nuk ishin të qarta.

 

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë gjatë 2019-s?

Zhvillimet ekonomike në vitin 2019 ishin të ndikuara nga natyra. Thatësira në pjesën e parë të vitit reduktoi prodhimin e energjisë elektrike dhe si rrjedhojë të gjithë rritjen ekonomike. Ky ishte një tjetër ilustrim i brishtësisë së sektorit të energjisë ndaj goditjeve të motit dhe të rëndësisë së diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë dhe të përmirësimit të pozicionit financiar dhe organizimit të këtij sektori, në mënyrë që ai të jetë në gjendje të përballojë goditje të tilla.

Në fund të vitit, tërmeti dha pasoja serioze dhe tragjike për vendin. Në këtë moment, teksa ende nuk kemi një ide të qartë të pasojave të tërmetit, ne nuk e kemi ndryshuar vlerësimin tonë për rritjen në 2019—n dhe e kemi mbajtur atë në 3 për qind. Të dhënat e fundit të rritjes në tremujorin e tretë të vitit janë gjithashtu në linjë me vlerësimet për gjithë vitin.

 

Si e prisni ecurinë e ekonomisë gjatë 2020? Cilët janë faktorët (të brendshëm dhe të jashtëm) që mund të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht ekonominë shqiptare? Veçanërisht cili do të jetë ndikimi i tërmetit në ekonominë shqiptare?

Ne presim që tërmeti të mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në ekonomi në 2020-n, por jo për rritjen në afatin e mesëm. Një ditë pas tërmetit, përpara se ne të kishim kohë që të konsideronim ndikimin e kësaj ngjarjeje, ne publikuam një deklaratë, sipas të cilës “rritja pritet të rimëkëmbet nga 3 për qind në 2019 në 3.5 për qind në 2020 dhe 3.7 për qind në afatin e mesëm, që është shumë i ulët për të arritur procesin e konvergjencës me standardet e jetesës së Bashkimit Europian.”

Ne tashmë presim që rritja në 2020 ka të ngjarë të jetë më e ulët sesa 3.5 për qind, në veçanti për shkak të efekteve, që tërmeti do të ketë në turizëm, duke pasur parasysh se hotele në rajonin e Durrësit janë shkatërruar ose dëmtuar, dhe për shkak se turistët e huaj mund të hezitojnë të vizitojnë bregdetin shqiptar gjatë këtij viti. Do të shtoja, gjithsesi, se e kemi të vështirë të parashikojmë këto reagime, dhe se përvojat e shteteve të tjera turistike, që janë goditur nga fatkeqësi natyrore, janë të ndryshme.

Rritja ekonomike gjithashtu varet nga shpejtësia me të cilën do të kryhen aktivitetet e rindërtimit, që do të jetë një faktor pozitiv.

Duke iu kthyer këshillave lidhur me politikat, pika jonë kryesore mbetet që Shqipëria ka nevojë për reforma ambicioze ekonomike për të përshpejtuar rritjen në afatin e mesëm. Është e nevojshme të ketë rritje më të lartë për të përmirësuar standardet e jetesës dhe për të reduktuar incentivat që njerëzit të emigrojnë në vende të tjera të Europës. Rritja më e lartë kërkon një qeverisje më të mirë duke fuqizuar rregullat e lojës dhe duke luftuar korrupsionin. Ajo kërkon gjithashtu përmirësim të sistemit fiskal për të krijuar më shumë hapësirë në buxhet për të siguruar shërbime madhore publike, përfshirë infrastrukturën, edukimin me cilësi të lartë dhe kujdesin shëndetësor.

 

Këshilla

Pika jonë kryesore mbetet që Shqipëria ka nevojë për reforma ambicioze ekonomike për të përshpejtuar rritjen në afatin e mesëm. Është e nevojshme të ketë rritje më të lartë për të përmirësuar standardet e jetesës dhe për të reduktuar incentivat që njerëzit të emigrojnë në vende të tjera të Europës. Rritja më e lartë kërkon një qeverisje më të mirë duke fuqizuar rregullat e lojës dhe duke luftuar korrupsionin.

 

Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare në mënyrë që të rialokojë fonde për rikonstruksionin, pas pasojave shkatërruese të tërmetit?

Autoritetet kanë rritur deficitin për vitin 2020 në buxhetin e rishikuar që u miratua në fund të këtij viti, dhe ne jemi dakord me këtë veprim. Pasi ndodh një fatkeqësi natyrore, përparësia e menjëhershme është t’u jepet njerëzve të prekur ndihmë urgjente. Përpjekjet për ndihmë dhe rindërtim mund të marrin përparësi ndaj shpenzimeve të tjera korente dhe zhvillimore. Sidoqoftë, hapësira për rialokime është e kufizuar, pa kontraktuar shumë fonde të tjera të rëndësishme, veçanërisht investimet në infrastrukturë. Në këtë kontekst, një deficit disi më i madh do të ishte i përshtatshëm në këtë kohë, çka  gjithashtu do të mbështeste ekonominë pas tërmetit. Por, duke pasur parasysh se Shqipëria ka ende një borxh të madh publik, për fat të keq, hapësira për këtë lloj stimulimi është e kufizuar. Për këtë arsye, do të jetë e rëndësishme të vazhdohet me uljen e përcaktuar të deficitit për periudhën afatmesme, në mënyrë që amortizatorët fiskalë të jenë më të mëdha në rast të një goditjeje tjetër.

FMN ka qenë shumë kritike ndaj programeve të partneritetit publik privat të qeverisë shqiptare. Pse, cilat janë këto rreziqe dhe si mund të frenohen ato?

Ne biem dakord për rëndësinë e rritjes së investimeve në infrastrukturë, por është e rëndësishme që këto projekte të shtrenjta të menaxhohen me kujdes. Gjatë viteve të fundit, Shqipëria është mbështetur dukshëm te përdorimi i PPP-ve për të financuar nevojat e veta për investime dhe për të ofruar shërbime publike. Fatkeqësisht, gjatë kësaj periudhe, nuk ishin funksionale ende sistemet e nevojshme, që do të siguronin që PPP-të të ofronin vlerë për paratë, dhe që do të mundësonin që të kuptoheshin mirë rreziqet financiare të PPP-ve.

PPP-të mbartin rreziqe financiare jo vetëm në buxhetin e vitit aktual, por për të gjithë periudhën e kontratës. Në vitin 2019, Ministria e Financave mori një mandat më të fortë për të vlerësuar kostot dhe rreziqet e PPP-ve, si përpara se ato të nënshkruhen, ashtu dhe gjatë periudhës së zbatimit. Hapi tjetër do të jetë që të zbatohen procedurat e nevojshme dhe të rritet kapaciteti brenda ministrisë për të zbatuar këto detyra. Si përfundim, ne rekomandojmë që qeveria duhet gjithmonë që të mbështetet në proceset konkurruese të prokurimeve, pa oferta të pakërkuara të PPP-ve.

 

PPP-të

Gjatë viteve të fundit, Shqipëria është mbështetur dukshëm te përdorimi i PPP-ve për të financuar nevojat e veta për investime dhe për të ofruar shërbime publike. Fatkeqësisht, gjatë kësaj periudhe, nuk ishin funksionale ende sistemet e nevojshme që do të siguronin që PPP-të të ofronin vlerë për paratë, dhe që do të mundësonin që të kuptoheshin mirë rreziqet financiare të PPP-ve. PPP-të mbartin rreziqe financiare jo vetëm në buxhetin e vitit aktual, por për të gjithë periudhën e kontratës.

 

Teksa dy investime të mëdha, TAP dhe HEC i Devollit janë drejt fundit, cilët janë ato sektorë (me vlerë të shtuar të lartë) që do të nxisnin rritjen në të ardhmen? Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare në mënyrë që të nxisë këto sektorë?

Shqipëria në fakt ka përfituar vitet e fundit nga pak projekte investimesh të mëdha në fushën e energjisë. Për të ardhmen, është e qartë se sektori i turizmit ka një potencial shumë të madh. Por, deri tani vetëm një pjesë e vogël e investimeve në Shqipëri ka qenë në industrinë përpunuese dhe ky është një shqetësim. Për një ekonomi të qëndrueshme, është e rëndësishme që rritja të diversifikohet midis shumë sektorëve.

Duke parë përpara, për të tërhequr investime, si të huaja ashtu dhe të brendshme, qeveria duhet të përmirësojë mjedisin e biznesit. E përsëris, një qeverisje e mirë ekonomike është e domosdoshme. Zbatimi i kontratave, të drejtat e pronësisë, një sistem funksional dhe i drejtë gjyqësor dhe një mjedis i parashikueshëm fiskal janë faktorë të rëndësishëm, po ashtu si dhe përmirësimi i infrastrukturës.

 

Mungesa e investimeve në industri

Deri tani vetëm një pjesë e vogël e investimeve në Shqipëri ka qenë në industrinë përpunuese dhe ky është një shqetësim. Për një ekonomi të qëndrueshme, është e rëndësishme që rritja të diversifikohet midis shumë sektorëve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of