Java që sapo kaluam ishte jo pak e veçantë.
Së pari, ndryshe nga shumë të tjera, në vend të zullumit të radhës të qeverisë që sigurisht nuk mungoi, në media mbizotëroi tema e tërmetit. Me të gjithë dramacitetin, fatmirësisht jo tragjik, por njëkohësisht edhe me groteskun që kësaj here mori përmasa të papara mbarëkombëtare.
Në brendësi të Revistës, posaçërisht e shtjellojmë problematikën me vëmendjen e sigurisë së qytetarëve në kësi rastesh dhe situatën ku ndodhemi si vend. Në editorial po trajtojmë shumë pak vetëm anën groteske. Mbrëmjen e vonë të së shtunës, të ngarkuar emocionalisht nga lëkundjet e frikshme të tokës që nuk reshtën, ndonëse me intensitet mjaft më të reduktuar, që pas goditjes së parë, mjaftoi një lajm i nxituar, i publikuar në portalin syri.net për mundësinë e një tërmeti në orë precize 23:30, që të krijohej një situatë e pashembullt paniku dhe kaosi i paparë në kryeqytet, por jo vetëm.
Qeveria nxitoi të bënte mohimin dhe njëkohësisht zhvlerësimin e këtij njoftimi prej këtij portali opozitar të shpallur, me ministren serioze të Mbrojtjes, por vërshimi i qytetarëve jashtë banesave dëshmoi një injorim total të fjalës së ministres dhe, përkatësisht, të qeverisë. Duke konfirmuar kësisoj se njerëzit janë gati të besojnë edhe një budallallëk nga një media e tillë dhe jo ministren e qeverisë rilindëse. E çuditshme, por fakt. E po kaq e çuditshme, në vend që të reflektohej për këtë fakt, qeveria u investua fort për ndjekjen po aq qesharake të gazetarit që publikoi njoftimin, apo më mirë të themi, budallallëkun.
U deshën disa ditë që vëmendjen e mediave ta zërë përsëri politika. Me plot të drejtë, kësaj here hapësirën e zuri diskutimi për qëndrimin e Gjermanisë për hapjen e negociatave të lidhura me pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Pas gjithë këtyre viteve që kjo hapje negociatash është shtyrë e shtyrë, duke penalizuar më shumë se këdo qytetarët e këtij vendi që nuk kanë pasur mundësi të përfitojnë as nga fondet europiane për investime dhe as nga institucionet europiane për mbrojtjen e rendit të demokracisë liberale me gjithë vlerat që kjo përfaqëson, pritej nga të gjithë me shpresë të madhe që këto të hapen.
Dhe kjo kulmoi të enjten në mbrëmje, me votimin në Bundestag, me një votim pozitiv për rekomandimin për hapjen në parim, por duke rreshtuar 9 kushte për Shqipërinë, krejt ndryshe nga votimi pro për Maqedoninë e Veriut që nuk ka kushte.
Rëndom, në pothuaj të gjitha mediat, flitet për kushte që i janë vënë Shqipërisë dhe dallimi i vetëm është se disa i interpretojnë si kushte për qeverinë shqiptare, e ca të tjerë se janë për të gjitha institucionet e vendit, politike qofshin ato apo jo.
Në fakt, kushtet Bundestagu ia ka vënë si detyrë vetëm qeverisë gjermane mbi të cilën Parlamenti gjerman ushtron të gjithë fuqinë e tij. Dhe ai pret që Qeveria gjermane, në kuadër të pozicionit që ka në Bashkimin Europian e institucionet e tij përfaqësuese, të ushtrojë në kapacitetet e saj verifikimin e zbatimit të këtyre kushteve që duhet të plotësojë Republika e Shqipërisë që në të ardhmen të vijojnë hapat përkatëse që mundësojnë hapjen e negociatave të famshme.
Me këtë lloj votimi, praktikisht Bundestagu gjerman autorizon qeverinë gjermane të votojë në institucionet europiane pro hapjes së negociatave me Shqipërinë, vetëm kur kushtet që ai ka rreshtuar të plotësohen. E kjo praktikisht është thjesht një fletërrufe e hapur për Komisionin Europian që, ndonëse ka qenë i mandatuar për të ndjekur ecurinë e Shqipërisë, nuk i ka ngritur këto çështje të rëndësishme e as e ka prekur problematikën që krijojnë këto për shtetin demokratik shqiptar.
Shpresojmë që ky hap do të shtyjë në vijimësi qeverinë gjermane të përfshihet më intensivisht dhe të imponojë ndaj klasës sonë politike e institucioneve tona politike e jo vetëm të ndërmarrin hapat që Parlamenti gjerman rreshton si kushte.
Për shqiptarët është absolutisht lajm i mirë, për politikanët tanë do dyshonim fort, por le të shpresojmë që qeveria gjermane do të mbajë edhe një tempo të shpejtë për realizimin e këtyre kushteve.
Pas gati 30 vjet nga rënia e Murit të Berlinit, më në fund shqiptarët mund të besojnë se pikërisht aleati gjerman, do të jetë ai që do të realizojë edhe për ta rrëzimin e murit që pengon shqiptarët për t’ju bashkuar Europës e për të qenë pjesë e Botës Perëndimore të zhvilluar e demokratike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.