Fluturimet e pandalshme

12/06/2012 11:01 AM 0 komente

Tregu i fluturimeve vazhdon rritjen e lartë me gjithë thellimin e krizës dhe uljen e konsumit. Vitin e kaluar, numri i pasagjerëve u rrit me mbi 18%, ku ndikimin kryesor e dha liberalizimi i vizave dhe udhëtimet drejt Italisë. Edhe në 2012-n pritet rritje, megjithëse më e moderuar

Kriza ekonomike dhe ulja e konsumit nuk e ka ulur dëshirën e shqiptarëve për të udhëtuar jashtë vendit. Nga aeroporti i vetëm në vend “Nënë Tereza” kanë qenë më të shumtë individët që kanë fluturuar në destinacione të ndryshme, duke sfiduar krizën në këtë drejtim.

Gjatë vitit 2011, “Tirana International Airport”, kompania që menaxhon aeroportin, ka shënuar rritje pozitive dyshifrore, me një rritje prej 18.2% në numrin e pasagjerëve, duke arritur në mbi 1.8 milionë vetë. Lëvizjet e trafikut ajror patën gjithashtu një rritje pozitive prej 10.7%, ku efektin kryesor e dha stina e verës, piku i saj, që u shoqërua me shumë oferta udhëtimesh dhe pushimesh jashtë vendit.

Ndikimin kryesor në rritjen e fluturimeve e ka dhënë liberalizimi i vizave, i cili hyri në fuqi në javën e tretë të muajit dhjetor 2010 dhe dha efektin e plotë gjatë gjithë vitit 2011. Sipas të dhënave nga TIA, liberalizimi nxiti udhëtimet drejt Italisë, ku ndodhet edhe një numër i madh i emigrantëve shqiptarë. Kompanitë ajrore në vend nxituan të shtonin apo të lançonin linja të reja fluturimesh në qytete të ndryshme italiane.

Nga ana tjetër, drejtuesit e aeroportit kanë ulur taksat për disa shërbime, për të nxitur kompanitë të ofrojnë shërbime shtesë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke përfituar nga kostot e ulëta të operimit.

Si rrjedhojë e trafikut në rritje, TIA ka arritur një xhiro prej afro 34 milionë eurosh në vitin financiar 2011, 13% më shumë se një vit më parë.

Por, megjithatë, në aeroportin e vetëm shqiptar mungojnë linjat low-cost, të cilat tashmë kanë nisur operimet në vendet fqinje të rajonit, që kanë popullsi edhe më të vogël në numër. Drejtorja e TIA, Andrea Gebbeken, ka deklaruar në një intervistë dhënë për “Monitor” se përveç tregut italian, është një sfidë e madhe për Shqipërinë të përshtatet me ekonominë e shkallës, model biznesi, në bazën e të cilit operojnë kompani low cost si “Easy Jet” dhe “Ryan Air”.

“Në momentin kur Shqipëria do të bëhet vend edhe më interesant për turizëm dhe biznes dhe kërkesa për fluturime drejt vendit do të rritet, mundësitë për zgjedhje të pasagjerëve do të shtohen dhe si pasojë do të ketë zhvillime të reja në tregun low-cost”, thotë znj. Gebbeken.

Edhe transporti i mallrave regjistroi rritje, 17.6% krahasuar me vitin 2010.

Rritja erdhi kryesisht si rrjedhojë e ofrimit të fluturimeve të përkushtuara për kargon dhe nga rritja e shërbimeve të postës çarter.

“Në bazë të zhvillimit pozitiv të trafikut gjatë vitit 2011, si rrjedhojë e liberalizimit të vizave dhe pritshmëritë në përgjithësi të ulëta për sa i përket ekonomisë shqiptare për vitin 2012, TIA parashikon një zhvillim të moderuar të fluturimeve dhe pasagjerëve për vitin 2012”, theksohet në raportin financiar të kompanisë.

 

Si u nda tregu

“Belle Air” është kompania që po dominon në mënyrë absolute tregun e fluturimeve, duke marrë rreth 46% të tij në 2011-n. Drejtuesit e kompanisë thonë se edhe këtë vit do të vijojë rritja, duke arritur në 48% të tregut, si pasojë e futjes së destinacioneve të reja, si Praga apo Vjena. Kompania me kapital shqiptar duket se po rrëmben gjatë 6 viteve aktivitet gjysmën e tregut të fluturimeve.

Kompanitë e tjera kanë regjistruar rritje modeste në 2011-n, me gjithë shtimin e numrit të pasagjerëve dhe fluturimeve.

Por viti 2011 dhe në vazhdimësi 2012-a, regjistroi ngjarje të reja në tregun e fluturimeve, me daljen nga tregu të disave dhe “fuqizimin” e mëtejshëm të disa të tjerave.

Në nëntor të 2011-s, qeveria firmosi pezullimin e kompanisë “Albanian Airlines”, e cila dominonte tregun ajror 6 vite më parë. Autoriteti i Aviacionit Civil (AÇ) mori vendimin (që u pasua edhe nga miratimi i qeverisë) që i revokonte certifikatën e operimit ajror kompanisë, duke sjellë bllokimin e operimit, me pasojë anulimin e fluturimeve.

Kompania ishte mjaft aktive në linjat e udhëtimit drejt Italisë dhe në momentin e pezullimit po bëhej gati të lançonte dy destinacione të reja drejt këtij shteti. Pas daljes së “Albanian Airlines” nga tregu, pjesa e saj u nda kryesisht nga kompania “Belle Air” si dhe “Alitalia”.

“Malev” ishte një tjetër kompani që doli nga tregu pas shpalljes së falimentit. Kompania kryente kryesisht fluturime transite drejt Europës Perëndimore, dhe pjesa e saj është “rrëmbyer” kryesisht nga “Austrian Airlines”, kompani e cila ka regjistruar rritje në 2011-n (para daljes së “Malev” nga tregu).

 

Ende vetëm një aeroport

Shqipëria po vijon të kryejë udhëtime nga vetëm një aeroport në vend, “Nënë Tereza”, me gjithë projektet për aeroporte në qytete të tjera të vendit. Projekti për fluturime ndërkombëtare nga aeroporti i Kukësit si dhe ai i Sarandës nuk ka gjetur zbatim. Hapja e tyre, sipas ekspertëve, do të rriste konkurrencën, duke ulur tarifat që kompanitë paguajnë në aeroport, si dhe do të shpërndante më mirë fluturimet duke ndikuar edhe në përmirësimin e trafikut ajror.

Drejtorja e TIA, Andrea Gebbeken, ka thënë në intervistën dhënë për “Monitor” se kompania ka qenë gjithmonë e hapur për diskutime me qeverinë për çështjen në fjalë dhe ka treguar gatishmëri për të negociuar mbi ekskluzivitetin e saj në fluturimet ndërkombëtare. Në të kaluarën, qeveria e Shqipërisë dhe TIA kanë rënë dakord për të vlerësuar mundësitë për aeroporte të mëtejshme në vend.

“Në mënyrë që të realizohet një vlerësim cilësor, qeveria shqiptare dhe TIA kanë kërkuar së bashku një parashikim të trafikut ajror, duke u përqendruar në potencialin e tregut në rajone të tjera të vendit. Studime dhe analiza të mëtejshme do të kryhen në të ardhmen. Pas përfundimit të studimeve, të gjitha palët e përfshira do të diskutojnë mundësitë në dritën e rezultateve”, thotë Gebbeken.

 

INTERVISTA/ Flet Renato Vasili, Corporate Development Manager në kompaninë “Belle Air”

“Rritëm 25% numrin e pasagjerëve”

Si ka qenë ecuria e “Belle Air” gjatë 2011-s dhe gjysmës së parë të 2012? Sa ka qenë rritja në treg?

Viti 2011 ishte një vit suksesesh dhe sfidash për kompaninë “Belle Air”, i cili u mbyll me një rritje pozitive në të gjithë treguesit e saj. Numri i pasagjerëve që udhëtuan me “Belle Air” gjatë 2011-s shënoi një rritje prej 25% krahasuar me një vit më parë duke konfirmuar pozicionin lider të kompanisë me rreth 47% të tregut.

Rritja e aktivitetit të kompanisë u reflektua dhe në rritjen e të ardhurave me 40%. Në vitin 2011, “Belle Air” prezantoi në treg destinacionet e reja të Brukselit dhe Torinos, duke rritur numrin e destinacioneve në 24 dhe duke ofruar më shumë mundësi zgjedhje për publikun shqiptar. Në fund të vitit 2011, kompania numëronte rreth 320 punonjës në të gjithë fushat e saj operacionale, një numër thuajse i dyfishuar nga viti paraardhës. Ecuria pozitive e zhvillimit të aktivitetit të kompanisë konfirmohet dhe nga rezultatet e tremujorit të parë të vitit 2012, duke konsoliduar pozicionin e liderit në transportin ajror në Shqipëri me rreth 48% të tregut.

 

A ju ka prekur kriza ekonomike, jo vetëm ju si kompani, por të gjithë tregun në tërësi?

Ekonomia shqiptare, edhe pse pati rritje në 2011, në një kohë kur shumica e ekonomive rajonale dhe të BE-së shënuan zyrtarisht hyrjen në recesion, nuk mund të konsiderohet e izoluar nga ndikimi i ekonomive të tjera. Destinacionet në të cilat “Belle Air” është i pranishëm janë të përqendruara kryesisht në qytetet e Italisë dhe të Greqisë, në të cilët jetojnë dhe punojnë një numër i konsiderueshëm i emigrantëve shqiptarë. Kriza e vazhdueshme e borxhit grek dhe rënia ekonomike e Greqisë, e cila u thellua më shumë gjatë 2011, dhe më vonë gjatë 2012 dhe në vazhdim kontraktimi i ekonomisë italiane, patën ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në aktivitetin ekonomik të shumë bizneseve dhe individëve shqiptarë. Pavarësisht nga ky fakt, pasagjerët që fluturuan nga dhe në drejtim të këtyre vendeve shënuan një rritje të ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo është një nga sfidat kryesore me të cilat jemi ndeshur vitin e kaluar dhe në vazhdim, por dhe një tregues tjetër i ndërtimit të një modeli të qëndrueshëm biznesi, i cili ka në qendër të tij nevojat e individit dhe krijimin e një marrëdhënieje afatgjatë me të. Në terma të aktivitetit financiar të kompanisë, kjo përkthehet në ruajtjen e stabilitetit të tarifave të udhëtimit, mbajtjen nën kontroll të kostove dhe shfrytëzimin sa më eficient të resurseve.

Struktura e kostove dhe shpenzimeve operacionale të industrisë ajrore është tejet komplekse dhe në të njëjtën kohë vulnerabël ndaj ndikimeve të faktorëve makroekonomikë, gjë që jo gjithmonë është në kontrollin e drejtimit të kompanisë.

Kështu, po t’i referohemi çmimit të karburantit në bursat ndërkombëtare gjatë 2011-s dhe në muajt e parë të 2012-s, ka shënuar një rritje prej 15-20%, ndikuar kryesisht nga situatat e paqëndrueshme politike dhe përmbysjet e regjimeve në vendet e Afrikës Veriore dhe të Lindjes së Mesme. Si një nga zërat kryesorë të strukturës së kostove, kjo rritje pati ndikim negativ në shpenzimet operacionale. Por ndonëse do bënim një vrojtim të çmimeve, ose më mirë nëse do pyesnim pasagjerët që kanë udhëtuar me “Belle Air”, jemi të sigurt që kemi mbajtur në ekuilibër politikën e çmimit, duke treguar kështu një qëndrueshmëri të aktivitetit të kompanisë dhe duke forcuar në të njëjtën kohë marrëdhënien me klientët tanë. Kjo politikë është nxitur gjithashtu nga fakti që ne besojmë që zhvillimi dhe modernizimi i transportit ajror, rritja e lëvizshmërisë së shoqërisë dhe rritja e aksesit në këto shërbime nga të gjitha grupmoshat dhe shtresat shoqërore janë një faktor i rëndësishëm i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, kulturor dhe shoqëror të Shqipërisë.

 

Cilat janë pikat tuaja të forta për të konkurruar tregun?

Edhe pse vitet e mëparshme kanë treguar rritje pozitive në aktivitetin e transportit ajror në Shqipëri, 2011-a shënoi një rritje të përgjithshme të numrit të udhëtarëve me 19% krahasuar me një vit më parë, nxitur kryesisht nga liria e lëvizjes, por edhe nga rritja e mobilitetit të shoqërisë të favorizuar kryesisht nga rritja e aktiviteteve tregtare, kulturore dhe shoqërore. Në arritjen e këtyre treguesve pozitivë, padyshim që kontributi i “Belle Air” është i patjetërsueshëm. Nëse do flisnim se cili do të ishte avantazhi kryesor konkurrues në treg i “Belle Air”, është pikërisht misioni dhe filozofia e kompanisë që bazohen kryesisht në krijimin e një marrëdhënieje afatgjatë me klientët, në identifikimin sa më të mirë të nevojave të tyre, në krijimin e mundësive për të udhëtuar për të gjithë shtresat e shoqërisë, si dhe krijimin e një modeli të qëndrueshëm biznesi. Këto janë parimet dhe udhëzuesit e punës së përditshme të secilit prej nesh në kompani, zbatimi i duhur i të cilave përcakton më pas shkallën e suksesit. Por nga ana tjetër, një ecuri e mirë dhe një rritje e qëndrueshme kërkojnë gjithashtu një vizion zhvillimi dhe konsolidimi të kompanisë. Për të arritur këtë ne besojmë që një nga faktorët kyç të zhvillimit të kompanisë është stafi ynë.

Gjatë vitit të kaluar, numri i punonjësve të kompanisë pati një rritje të ndjeshme, duke arritur në 320 vetë. Ne kemi zhvilluar dhe forcuar sistemet tona të trajnimeve, në të cilat janë përfshirë pjesa më e madhe e stafit, në nivelet drejtuese dhe jodrejtuese, operacionale dhe administrative. Kjo, jo vetëm për të mundësuar integrimin sa më të mirë të stafit me misionin, politikat dhe operacionet e kompanisë si dhe optimizimin e cilësisë së shërbimit, por edhe për të përmbushur standardet e rregullatorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, si dhe të organizmave ndërkombëtare si IATA, anëtare e së cilës “Belle Air” është që nga viti 2010.

 

TABELA

Statistika Zhvillimet e trafikut

Viti 2011                    Viti 2010                    Ndryshimi           (%)

Pasagjerë                                1,817,073                              1,536,822                  18.2

ATM                                               11,494                                    10,384                  10.7

Kargo (tn)                                     2,290                                      1,946                 17.6

BURIMI: TIRANA INTERNATIONAL AIRPORT

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of