Fluturojnë me 36% çmimet e zarzavateve në janar

12/02/2019 4:21 PM 0 komente

mimet e prodhimeve të stinës, kryesisht perimet dhe zarzavatet shënuan rritje jo të zakontë në janar, teksa INSTAT raportoi se, çmimet në grupin “zarzavate, përfshi patatet”, u rritën me 36.6%, duke shënuar nivelin më të lartë që nga maji i vitit 2010, ku ndryshimi i çmimit, për shkak edhe të krizës globale, arriti në 56.6%.

Ekspertët shpjegojnë se rritja e çmimeve erdhi si pasojë e goditjeve nga oferta, pasi prodhimi vendas këtë sezon ishte mjaft i kufizuar.

Ndryshe nga herët e tjera, ku prodhimet bujqësore në vend diktoheshin nga kushtet atmosferike, përmbytjet ose ngricat, këtë vit, shkak u bë reduktimi i prodhimit nga fermat. Ekspertë të bujqësisë në Qarkun e Korçës pohuan se sipërfaqja e mbjellë me qepë dhe patate këtë vit ishte 10 herë më e vogël. Prodhimi u reduktua, për shkak të humbjeve të mëdha që fermerët pësuan në vitin 2017, ku prej superprodhimit çmimet ranë në kosto, teksa një pjesë e madhe e prodhimeve u kalbën në fushë.

Ndër vite, çmimet e perimeve dhe frutave janë rritur me ritme më të larta se grupet kryesore të shportës së mallrave të konsumit që INSTAT i referohet për matjen e inflacionit. Kjo për arsye se prodhimet shqiptare nuk plotësojnë nevojat e brendshme dhe shpesh importet e këtyre prodhimeve hyjnë në tregun shqiptar me kosto shtesë.
Fermerët janë të shqetësuar se nuk po orientohen që të prodhojnë sipas nevojave të tregut, ndërsa këtë vit fermerët e pemishteve sidomos, agrume dhe mollë, u ndeshën me superprodhim.

Kjo gjendje ka sjellë humbje të mëdha, teksa fermerët e Konispolit lanë tonelata me portokaj dhe mandarina të kalben poshtë pemëve. Në një situatë të ngjashme janë edhe fermerët e mollëve në Korçë.
Inflacioni në muajin janar arriti në 1.9%, ky është ndryshimi më i lartë që nga nëntori i vitit 2018. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 1.7%. Rritja e përgjithshme e çmimeve u dominua në më shumë se 90% nga rritja e çmimit të ushqimeve.

Shqipëria nuk ka projeksione dhe studime në lidhje me pritshmëritë e ecurisë së konsumit në tregun vendas për disa artikuj bujqësorë. Vende të zhvilluara të Europës u japin fermerëve të dhëna të sakta mbi ecurinë e konsumit dhe sasive të prodhuara për periudha mbi 10 vjet.

Ndërsa Shqipëria vuan edhe nga një handikap tjetër ku lejohen importe të prodhimeve bujqësore në kulmin e sezonit në Shqipëri. Teksa mollët dhe mandarinat shqiptare po kalben në fusha, njësitë e shitjes me pakicë janë të mbushura me mallra importi, mollë dhe portokaj që vijnë nga Greqia dhe Italia.

 

 

Ekonomia e Shqipërisë primitive, bujqësia dominon 19% të PBB-së, më e larta në Europë

Edhe pse Shqipëria nuk plotëson as 50% të nevojave të konsumit të brendshëm me prodhime bujqësore, sektori i bujqësisë ka peshën më të lartë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në Europë, madje me një diferencë të thellë.

Sipas të dhënave nga databaza e Bankës Botërore që i përkasin vitit 2017, bujqësia zuri 19% të PBB-së me një diferencë prej 10 pikë përqindje me Kosovën si vendi i dytë me peshën më të lartë të bujqësisë në Europë.
Sicc shihet nga të dhënat e grafikut të mëposhtëm, pesha e bujqësisë në ekonominë shqiptare është së paku 6 herë më e lartë se mesatarja e Europës dhe trefishi i mesatares rajonale.

Në Maqedoni, bujqësia zuri 7.9% të PBB-së, në Malin e Zi 6.8%, në Turqi 6.1%, në Serbi 6%, në Bosnjë 5.6% dhe në Kosovë 9.1%. Pesha e sektorit vjen gjithnjë e në ulje në vendet e Europës ku pesha e bujqësisë luhatet mes 0.5 deri në 3% të PBB-së.

Gjithashtu Shqipëria u rendit 36-ta në botë për peshën e lartë të bujqësisë në ekonomi, në krah të vendeve afrikane.
Sipas statistikave të Bankës Botërore, struktura e ekonomisë së rajonit ku përfshihen Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia dominohen nga shërbimet, të cilat zënë nga 51-71% të ekonomisë në varësi të vendeve.

Shqipëria edhe pse ka 316 kilometër vijë bregdetare, industria e shërbimeve zë peshën më të ulët në ekonomi në vetëm 51%, në krahasim me vendet e tjera. Në Maqedoni, sektori i shërbimeve zë 64% të ekonomisë, në Malin e Zi mbi 71% për shkak se vendi fqinjë e ka zhvilluar ekonominë bazuar në industrinë e turizmit nëpërmjet modelit të resorteve.
Në Bosnjë, sektori i shërbimeve zë 64.8% të ekonomisë, në Serbi 59%, ndërsa në Kosovë 57.4%. Ndryshe nga rajoni, bujqësia paraqitet dominante në strukturën ekonomisë shqiptare. Edhe pse vendi ynë është një importues neto i prodhimeve bujqësore, ka copëzimin më të lartë të tokës në krahasim me rajonin dhe me një zhvillim spontan të paorganizuar, pesha e bujqësisë në strukturën e ekonomisë është gati sa trefishi i rajonit.

Manifaktura është ajo që bën diferencën. Në rajon, kjo degë ka dyfishin e peshës në krahasim me Shqipërinë. Në vendin tonë, ajo zë vetëm 5.6% të peshës në ekonomi, ndërsa në Bosnjë 13.2%, në Kosovë 13.2% në Maqedoni 11.8% të ekonomisë, në Malin e Zi, 4.9% dhe Serbia ka peshën më të lartë të manifakturës në ekonomi, me 19.1%.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of