Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e dytë të monitorimit për Shqipërinë theksoi rëndësinë e sigurimit të mbikëqyrjes së fortë dhe të pavarur të sistemit financiar jobankar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), “ i cili është duke përgatitur në mënyrë progresive kuadrin rregullator të nevojshëm.”
Fondi tha se po përgatitet kuadri rregullator për tregjet e kapitalit dhe fondet e investimeve, teksa po hartohet një ligj i ri për fondet e investimeve në linjë me rregullat e BE-së dhe që saktëson procedurat e licencimit, mbikëqyrjes dhe mbrojtjes së klientëve dhe investitorëve. Edhe ligji i ri për tregjet e kapitalit është në linjë me kuadrin rregullator të BE-së.
Lidhur me mesazhin për mbikëqyrjen e sistemit financiar jo bankar, ka reaguar kryetari i Bordit Mbikëqyrës së AMF, Pajtim Melani. “Fondi Monetar Ndërkombëtar këmbëngul për pavarësinë e mbikëqyrësit të tregjeve financiare dhe ky mesazh duhet të merret parasysh nga autoritetet shqiptare sidomos në këtë periudhë të rinovimit të mandatit të kryetarit dhe një anëtari të Bordit për të shmangur trafikimin e personave politikë në drejtimin e institucioneve financiare. Rasti i Bankës së Shqipërisë duhet të shërbejë si model suksesi për ruajtjen e pavarësisë ndërkohë që shembujt model janë për ECB, BB e FMN ku pavarësia është shënuar në librin e shenjtë të rregullave të funksionimit të këtyre institucioneve”, tha Melani në një postim në facebook.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.