FMN: Ekonomia e Europës, e goditur nga pandemia mund të kthehet në nivelet e para krizës, vitin e ardhshëm

15/04/2021 11:57 AM 0 komente

Ekonomia e Europës është në rrugën e duhur për t’u kthyer në nivelet e saj të para krizës në vitin 2022, megjithëse ky parashikim varet nga fushata e vaksinimit ndaj Covid-19, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Vendet evropiane janë detyruar të ndërmarrin kufizime të reja ose të shtrëngojnë masat e mëparshme të shëndetit publik gjatë javëve të fundit pasi numri i të infektuarve me Covid ka shënuar rritje. Kjo çoi në një rënie prej 0.2 pikë përqindje në parashikimin e rritjes së FMN-së për këtë vit, e cila aktualisht qëndron në 4.5%.

“Duke supozuar se vaksinat do të bëhen të disponueshme gjerësisht deri në  verën e këtij viti dhe gjatë gjithë vitit 2022, rritja e PBB-së parashikohet në 3.9% në vitin 2022, duke e çuar PBB-në e Europës përsëri në nivelet para-pandemike”, tha FMN në parashikimin e saj më të fundit rajonal ekonomike. Gjithsesi, pasiguria për mënyrën se si do të zhvillohet pandemia vazhdon të krijojë pasiguri të mëdha në opinionin e gjerë publik, veçanërisht kur bëhet fjalë për variante të reja të mundshme dhe shpejtësinë e përhapjes së vaksinimit. “Ende nuk dihet se sa shpejt mund të mposhtet vala e tretë, që ne nuk e kemi në këtë parashikim dhe ky sigurisht është një risk i mundshëm”, tha për CNBC , Alfred Kammer, Drejtori i Departamentit Europian të FMN-së.

“Një risk tjetër i mundshëm është gjithashtu edhe fakti se procesi i vaksinimit mund të jetë më i ngadaltë nga ai që aktualisht po e presim të gjithë”, tha ai përpara se të shtonte: “Ne duhet të jemi të gatshëm dhe të mos befasohemi nëse virusi na godet sërish”.

Gjatë kësaj jave, 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian morën disa lajme të këqija, pasi Johnson & Johnson tha se do të vononte shpërndarjen e vaksinës së saj në Europë pasi autoritetet në SH.B.A. ngritën shqetësime rreth ndërlikimeve edhe pse jashtëzakonisht të rralla të mpiksjes së gjakut. Kjo vaksinë ishte një nga katër në të cilin BE-ja po mbështetej për të përshpejtuar fushatën e saj të vaksinimit në tremujorin e dytë të 2021. Ajo u kërkua veçanërisht nga shumë qeveri duke qenë se kishte vetëm një dozë inokulimi.

Kjo nuk është vonesa e parë për shpërndarjen e vaksinave në Europë dhe BE-ja është përballur me kritika të ashpra në lidhje me ritmin e përdorimit të saj deri më tani. Përveç çështjeve me vaksinën Oxford-AstraZeneca, rregullatori i ilaçeve në Europë është fajësuar për periudhën e gjatë kohore që i është dashur për të miratuar vaksinat e reja.

Inflacioni i shpejtë

FMN-ja tha se priste të shihte çmime të larta në kontinent përgjatë vitit 2021. “Inflacioni, aktualisht i frenuar nga ngadalësia ekonomike, parashikohet të ngrihet me 1.1 pikë përqindje në 3.1% në 2021, pjesërisht për shkak të çmimeve më të larta të mallrave”. Inflacioni i shpejtë mund të detyrojë BQE-në të rregullojë qëndrimin e saj. Në rastin specifik të Eurozonës – e cila përfshin 19 anëtarët që ndajnë monedhën e përbashkët, euron – Banka Qendrore Europiane ka thënë që inflacioni mund të përfundojë tremujorin e fundit të vitit me 2%. Kjo është e rëndësishme për Bankën Qendrore duke pasur parasysh që objektivi i saj është të sigurojë që inflacioni të mbetet “afër, por nën 2%”.

“Politika monetare duhet të mbetet akomoduese për sa kohë që perspektivat për presionin bazë inflacionist vazhdojnë të jenë të qeta. Rritja e rendimenteve reale është gjithashtu një shqetësim për BQE-në. Shqetësimi kryesor është se nëse kostot e huamarrjes rriten për qeveritë e Eurozonës, para se ekonomia ta ketë kthyer me të vërtetë faqen e kësaj periudhe krize, kjo mund të rrezikojë të gjithë rimëkëmbjen. / CNBC

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of