Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë shpresa se ekonomia e Kosovës gjatë këtij viti do të rritet. Madje FMN ka treguar se kjo rritje pritet të jetë për 4.5 për qind, pas një rënie prej 6 për qind gjatë pandemisë.
Pas një tkurrjeje të vlerësuar prej 6 për qind në vitin 2020, ekonomia e Kosovës tani pritet të rritet për 4.5 për qind për vitin aktual.
Kështu ka deklaruar Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit mbi projeksionet e rritjes ekonomike në botë.
“Rritja pasqyron mbështetjen shtesë fiskale në disa ekonomi të mëdha, rimëkëmbjen e mundësuar nga vaksinat në gjysmën e dytë të vitit 2021 dhe përshtatjen e vazhdueshme të veprimtarisë ekonomike”.
Në të gjithë botën, bankat qendrore dhe qeveritë kanë lëshuar triliona dollarë për të luftuar recesionin e shkaktuar nga pandemia COVID-19.
Po ashtu, Banka Botërore në raportin e fundit mbi gjendjen ekonomike në Evropë dhe Azinë Qendrore, tregon se ekonomia e Kosovës gjatë pandemisë ra 6.9 për qind.
“Pas një tkurrjeje të vlerësuar prej 6.9 për qind në vitin 2020, ekonomia e Kosovës tani pritet të rritet 4 për qind këtë vit pasi COVID-19 vendoset nën kontroll dhe besimi i konsumatorit dhe biznesit rikthehet”, njofton Banka Botërore.
Lexo edhe këtë: Banka Botërore: Ekonomia e Kosovës pritet të rritet 4 për qind
Ndërsa sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rënia ekonomike për vitin 2020 pritet të jetë 5.2 për qind, kurse aktiviteti ekonomik për vitin aktual do të jetë më pozitiv.
“Në vlerësimit të trajektores të ekonomisë gjatë fazave të hershme, Banka Qendrore ka dal me vlerësimin se do të ketë rënie rreth 3 për qind. Pastaj, në muajin shtator të 2020-së e kemi bërë një rivlerësim dhe është vërejtur se për shkak të ndikimit të pandemisë në ekonomi, rënia mund të jetë edhe më e thellë dhe kemi dal me një rivlerësim se rënia do të jetë 7.2 për qind. Tani, të dhënat të Agjencisë së Statistikave të Kosovës sugjerojnë se rënia mund të jetë pak më e vogël se 7.2 për qind, ku aktualisht e kemi pozicionin që rënia ekonomike mund të jetë 5.2 për qind për vitin 2020”.
FMN tha se ekonomia e botës pritet të rritet për 6 për qind këtë vit dhe 4.4 për qind vitin e ardhshëm.
Shifrat janë më të larta se parashikimet e bëra në janar për 5.5 për qind rritje këtë vit dhe për 4.2 për qind në vitin 2022.
Ky recesion ekonomik e ka tkurrur ekonominë botërore për rreth 3.3 për qind në vitin 2020.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.