Përqendrimi në instrumentet e borxhit të qeverisë është rreziku kryesor për tregun e fondeve të investimit në Shqipëri.
Në një raport të asistencës teknike për fondet e investimit dhe rreziqet nga ndërlidhja me segmentet e tjera të tregut financiar, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) shprehet se mungesa e një aktiviteti të rëndësishëm në tregtimit dytësor të obligacioneve të qeverisë shqiptare mund ta bëjë të vështirë shitjen e sasive të mëdha të këtyre instrumenteve në rast nevoje.
Asetet e fondeve në monedhën vendase, që dominojnë strukturën e fondeve të investimit në Shqipëri, janë të investuara në masën dërrmuese në obligacione dhe bono të qeverisë shqiptare.
Megjithëse fondet mbajnë vetëm 5% të borxhit të brendshëm publik, FMN vëren se volumet e tregtimit në tregun dytësor janë shumë të vogla.
Kjo nënkupton që fondet mund të përballen me vështirësi për të shitur këto instrumente, për t’iu përgjigjur kërkesave për tërheqje nga anëtarët. Stresi i vërejtur gjatë verës së vitit 2022 tregoi më së miri se si mund të materializohen rreziqet e likuiditetit në sektorin e fondeve.
Ekspozimi ndaj tregut të borxhit sovran vlerësohet si kanali kryesor i transmetimit të rrezikut ndërmjet fondeve dhe pjesës tjetër të sistemit financiar, duke pasur parasysh pikërisht mungesën e likuiditetit të obligacioneve, për shkak të mungesës së një tregu të zhvilluar dytësor.
Për të adresuar problemet e mundshme të likuiditetit, ekspertët e FMN sugjerojnë përdorimin e mekanizmit të marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes (REPO) me bankat.
Ky mekanizëm nënkupton se, në rast stresi likuiditeti, fondet mund të jetë në gjendje të sigurojnë likuiditet nga bankat, duke vendosur obligacionet si kolateral. Operacione të tilla do të mundësonin që fondet tu përgjigjeshin tërheqjeve pa shkaktuar presion në rënie të çmimit në tregjet e obligacioneve sovrane të qeverisë shqiptare.
Fondi sugjeron që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare mund të angazhohet me industrinë për të diskutuar organizimin e operacioneve REPO, duke pasur parasysh shumë të kufizuara të tyre përdorim nga fondet e deritanishme.
Asetet e fondeve janë të investuara në masën dërrmuese në obligacione dhe bono të qeverisë shqiptare.
Pavarësisht këtyre problematikave, raporti i ekspertëve të FMN vlerëson se shqetësimet e stabilitetit financiar të lidhura me sektorin e fondeve janë të kufizuara, për shkak të madhësisë relativisht të vogël të sektorit, shkallës së ulët e ndërlidhjes së tij me pjesën tjetër të sektorit financiar, një bazë të gjerë dhe të qëndrueshme të investitorëve dhe ekzistencës së kërkesave për likuiditet.
Vitin e kaluar, rritja e shpejtë e normave të interesit nga bankat qendrore u përcoll në rritje të yield-eve të instrumenteve financiarë.
Kjo u përkthye në një zhvlerësim të shpejtë të aseteve të fondeve të investimit, që konsistojnë në pjesën më të madhe në tituj borxhi. Asetet neto të këtyre fondeve pësuan një rënie me pothuajse 47% gjatë vitit të kaluar.
Në vlerë monetare, llogaritet se në harkun e një viti fondet e investimit humbën pothuajse 34 miliardë lekë ose pothuajse 300 milionë euro asete.
Efektet negative të vitit të rritjes së shpejtë të interesave u shfaqën qartë edhe në tkurrjen e numrit të anëtarëve, që ra në më pak se 29 mijë, pothuajse 28% më pak krahasuar me një vit më parë. Në një vit, më shumë se 11 mijë shqiptarë zgjodhën të dilnin nga fondet e investimit. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.