Sipas FMN-së, 1 % tatim mbi super të pasurit do sillte 418 miliardë dollarë të mjaftueshme për arsimin e gjithëkujt dhe shpëtonte 3 milionë jetë. Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, ka kërkuar rishikimin e politikave ekonomike në nivel botëror për të ndihmuar ato me më pak të ardhura. Sipas drejtueses së re të FMN-së rritja e tatimit mbi të ardhurat do të ndihmojë në zvogëlimin e diferencës mes të pasurve dhe të varfërve dhe mund të bëhet pa cenuar rritjen ekonomike.
Kristalina Georgieva, drejtuesja ekzekutive tha se nivele më të larta të taksimit duhen për të ridimensonuar politikat ekonomike dhe për të adresuar për zgjidhje problemet e pabarazisë.
Për të shpjeguar ndryshimin e qëndrimit të FMN-së, nga qasja e uljes së taksave që përpara përbënte një pjesë qendrore të rekomandimeve të Fondit drejt një qasje të re për të rritur taksat mbi të pasurit, Georgieva sqaroi se “është një nga sfidat më komplekse dhe sfiduese të ekonomisë botërore”.
Shefja e FMN shkruajti në një blog “Pabarazia e mundësisë. Pabarazia mes brezave. Pabarazia mes grave dhe burrave. Të gjitha janë të pranishme në shoqëritë e sotme dhe për fat të keq në shumë vende po rriten”.
Sot 26 njerëzit më të pasur të botës, përfshirë themeluesit e Amazon Jeff Bezos dhe atë të Facebook Mark Zuckerberg – zotërojnë asete më shumë se 3.8 miliardë persona, të cilët përbëjnë gjysmën e më të varfërve të planetit. Sipas llogaritjeve të Oxfam në një raport të vitit të fundit, një taksë mbi të pasurit në nivelin 1 % të fitimeve vjetore do të rriste të ardhurat në rreth 418 miliardë dollarë në vit-shumë e mjaftueshme për të arsimuar çdo fëmi që nuk shkon sot në shkollë dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore që do të shpëtonin jetën e 3 milionë njerëzve. Edukimi do t’i pëgatiste të rinjtë të ishin më produktivë kur dalin në tregun e punës dhe të kontribonin në shoqëri. Kujdesi shëndetësor do të shpëtonte shumë jetë dhe do të përmirësonte cilësinë e jetës. Programet e pensioneve do të mundësonin një jetë me dinjitet në moshën e tretë.
“Për ekonomitë në zhvillim, në fusha kryesore si shëndeti, arsimi dhe infrastruktura në vlerësojmë se duhet të shpenzojnë më shumë çdo vit për të arritur 4 % të produktit të brendshëm bruto në vitin 2030”, iu shpreh Georgieva.
Shefja e FMN-së tha se institucioni që drejton do të bashkëpunojë me organizatat ndërkombëtare, akademinë, autoritetet e vendeve antare të FMN, shoqërinë civile dhe sektorin privat për të përmirësuar politikat e shpenzineve publike dhe për të arritur objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit.
Rama u propozoi biznesmenëve një fond me 2 % taksë mbi dividentin
Ideja e supertaksës është diskutuar në shumë vende përfshirë dhe Shqipërinë. Kryeministri shqiptar pas tërmetit të shtatorit 2019 mblodhi biznesmenët kryesorë të cilëve u ka kërkuar të bëhen pjesë e një mekanizimi për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të varfër të Shqipërisë.
“Dua të prezantoj para jush krijimin e një fondi për Shqipërinë solidare, për të adresuar bashkë me ju nevoja në drejtim të atyre që janë më në hall. Secilit prej jush t’i bjerë një barrë e barabartë, e cila mund të jetë 2% mbi dividentin, jo të kompanisë, por dividentit tuaj. Mekanizimi nuk do të kontrollohet nga qeveria, por nga ju. Qeveria do të sjellë pranë jush nevojat dhe bashkë me ju, si pjesëtare e një bordi që duhet diskutuar se si do të zgjidhet nga ju dhe si do të bëjë të gjithë procesin, të përcaktojë se cilat janë ato halle dhe ato nevoja të menjëhershme që duhen kthyer në projekt dhe duhen realizuar në terrenin e jetës së përditshme” u shpreh Rama.
Por megjithëse kanë kaluar disa muaj nga kjo nismë dhe Shqipëria u përfshi nga një tërmet i dytë i 26 nëntorit me 51 viktima dhe qindar milionë euro dëme, nuk ka të dhëna që ky fond solidariteti të ketë funksionuar apo të jenë mbledhur fonde në ndihmë të të pamundurve. Biznesmenë të veçantë dhe organizata biznesi kanë premtuar disa milionë euro ndihmë për të dëmtuarit nga tërmetet por qeveria ka raportuar zyrtarisht vetëm 600 mijë euro të mbledhura nga kontributet nga kartat e debitit dhe kreditit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.