Fondi Monetar Ndërkombëtar mendon se në Serbi, pensionet e sektorit publik dhe pagat duhet të mbeten në nivelet e tyre aktuale, pavarësisht nga premtimet e qeverisë së fundit për t’i rritur. “Aktualisht, ne nuk po projektojmë rritjen e pensioneve dhe pagave në sektorin publik në Serbi”, tha shefi i misionit të FMN-së në Serbi, James Roaf, në një konferencë shtypi të martën në Beograd. Ai shtoi se është me rëndësi jetike për Serbinë rritja ekonomike dhe shtimi i të ardhurave, para se të nxitojë në rritjen e pagave dhe pensioneve. Roaf shtoi se çështja do të jetë pjesë e bisedimeve mbi buxhetin e 2017-s në fund të vitit mes Serbisë dhe FMN-së.
Ky është vazhdim i bisedimeve teknike që përfunduan në shkurt pas zgjedhjeve serbe të caktuara më 24 prill.
Ministri serb i Financave, Dushan Vujoviç, tha se çdo rritje në pensione dhe paga duhet të harmonizohet me kriteret e reja të vendosura nga FMN-ja, për të eliminuar gradualisht dallimet mes tyre.
Roaf shtoi gjithashtu se të dy palët biseduan gjerësisht për sektorin e energjisë dhe nevojën urgjente për ristrukturimin e kompanisë publike Elektro-shpërndarëse të Serbisë.
Serbia duhet të trajtojë rritjen e çmimeve të energjisë elektrike gjatë bisedimeve me Bankën Botërore, tha Roaf, duke shtuar se rritja vjetore e çmimeve është praktikë standarde.