Bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) shprehu së fundmi besimin e tij të plotë për Drejtoreshën ekzekutive Kristalina Georgieva, pasi shqyrtoi akuzat se ajo i bëri presion stafit të Bankës Botërore, që të ndryshonte të dhënat në favor të Kinës në raportin “Të bësh biznes”.
Por Sekretarja e Thesarit Janet Yellen e njoftoi Georgieva-n se ajo do të monitoronte nga afër ecurinë e FMN-së dhe do të vlerësonte çdo fakt apo gjetje të re. Gjithashtu ajo bëri thirrje për hapa proaktivë për të përforcuar integritetin dhe besueshmërinë e të dhënave të FMN-së.
Bordi prej 24-anëtarësh i Fondit dhe Thesari publikuan deklarata të veçanta të gjata pas një jave takimesh maratonë mbi veprimet e Georgieva si CEO e Bankës Botërore që vunë në dyshim faktin nëse ajo do të vazhdonte të ishte në krye të FMN-së.
Georgieva, një ekonomiste bullgare dhe personi i parë nga një vend në zhvillim që është zgjedhur në krye të fondit, i ka mohuar me forcë pretendimet. Ajo përshëndeti miratimin e bordit në një deklaratë të veçantë të saj dhe tha se ishte e kënaqur që anëtarët e saj kishin rënë dakord se akuzat kundër saj ishin të pabaza.
“Kjo padyshim ka qenë një ngjarje e vështirë për mua personalisht,” tha ajo. “Megjithatë, unë dua të shpreh mbështetjen time të palëkundur për pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të tilla si Banka Botërore dhe FMN; dhe respektin tim për të gjithë ata që angazhohen për të mbrojtur vlerat mbi të cilat janë themeluar këto organizata.”
Georgieva mori mbështetjen e Francës dhe qeverive të tjera evropiane javën e kaluar, por zyrtarët amerikanë dhe japonezë kërkuan një rishikim më të plotë të akuzave, sipas burimeve të informuara për këtë çështje.
Debatet nisën pas një raporti negativ të përgatitur nga firma ligjore WilmerHale për bordin e Bankës Botërore në lidhje me parregullsitë e të dhënave në raportin e bankës “Të bësh biznes”, i cili tashmë është anuluar.
Raporti i firmës pretendonte se Georgieva dhe zyrtarë të tjerë të lartë aplikuan “presion të padrejtë” mbi stafin e bankës për të bërë ndryshime për të rritur renditjen e Kinës në raport, pasi banka po kërkonte mbështetjen e Pekinit për një rritje të madhe të kapitalit.
Georgieva mohoi me forcë akuzat, të cilat datojnë në vitin 2017, kur ajo ishte shefe ekzekutive e Bankës Botërore. Ajo u bë drejtoreshë ekzekutive e FMN -së në Tetor 2019.
Bordi tha se informacioni i paraqitur gjatë rishikimit të tij – i cili përfshinte takime me avokatët e WilmerHale dhe Georgieva – nuk tregoi përfundimisht se ajo luajti një rol të papërshtatshëm në raportin e të bërit biznes.