FMN paralajmëroi Kryeministrin: Disiplinë fiskale ose rrezikoni

15/06/2013 1:19 PM 0 komente

tg3

Banka Botërore, Gill: Pa reforma, përfundoni si Greqia!

Aktualisht borxhi publik i Shqipërisë është mbi 60%, më i larti në vendet e rajonit

ARD KOLA

PrintPrintIshte data 15 shkurt e këtij viti. Një mbledhje e pazakontë, e paparashikuar, e kërkuar (urgjent) nga Banka Botërore dhe e zhvilluar në një territor “asnjanës”. Krerët e shtetit dhe ndërkombëtarët ishin mbledhur në ambientet e një hoteli pak metra larg Kryeministrisë, duke qëndruar për më shumë se tri orë.

Takimi përkonte në një periudhë të vështirë për vendin, me plan të rishikuar për rritje të borxhit publik, mbi 62 për qind të PBB-së, kur për vite me radhë, ligjërisht ishte mbajtur nën 60%. Bankat nuk jepnin kredi, kurse huat me probleme ishin rritur, nga ana tjetër dy privatizimet e rëndësishme po konfirmonin dështimet.

Në atë takim, ku merrte pjesë edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së i bënë të qartë ministrit të Financave (mesazh për Kryeministrin), që pa disiplinë fiskale, e ardhmja e vendit do të mbetej e pasigurt dhe nuk do të përcillej tek institucionet e huaja besimi i nevojshëm për mbështetje.

Të dyja institucionet e paralajmëruan qeverinë që të merrte masat me shpenzimet, të mos tejkalonte planet e deficit buxhetor dhe të hartonte një dokument bazuar mbi parashikime realiste. Pas takimit, Ministria i Financave tha se do të merrte në konsideratë disa nga propozimet, por nuk hoqi dorë nga ideja se “plani” i investimeve nuk do të ndalte. Institucionet ndërkombëtare kërkonin garanci nga ministri i Financave, se shefi i tij do të zotohej të ishte më disiplinues. Faktet tregojnë se të gjitha këshillat dhe rekomandimet u injoruan!

“Sot, borxhi publik në nivelin mbi 60 për qind të PBB-së është nga më të lartët në Europën Juglindore (EJL) dhe amortizatorët fiskalë kryesisht janë konsumuar (megjithëse rritja në borxhin e Shqipërisë gjatë viteve të krizës globale ka qenë më e ulët se në vendet e tjera të EJL). Pasiguria në sektorin e energjisë dhe disa borxhe në punët publike i janë shtuar barrës fiskale, meqenëse ato do të kërkonin shpenzime të sektorit publik në të ardhmen. Veç kësaj, borxhi publik i Shqipërisë, një pjesë e madhe e së cilës është i brendshëm, ka një komponent të konsiderueshëm afatshkurtër, që nënkupton riskun e rifinancimit”, thuhet në njoftimin e përbashkët të FMN-së dhe BB-së.

“Një objektiv i besueshëm i borxhit dhe konsolidim fiskal i vazhdueshëm, por gradual afatmesëm, do të jepte një sinjal të mirë të angazhimit të qeverisë ndaj qëndrueshmërisë së borxhit, duke përmirësuar në këtë mënyrë besimin, duke ulur kostot e huamarrjes së sektorit publik, dhe duke kompensuar të paktën pjesërisht çdo ndikim negativ afatshkurtër të kërkesave të konsolidimit fiskal”, deklaroi Nadeem Ilahi, shef i misionit për Shqipërinë të FMN-së.

“Ndërkohë që rreziku më i madh i jashtëm për ekonominë shqiptare është dobësia në eurozonë, kërcënimi më serioz i brendshëm është zhbalancimi në financat publike. Në një kohë që qeveria shqiptare nuk mund të bëjë shumë për të ndihmuar vendet e tjera, mund dhe duhet të bëjë më shumë për të balancuar llogaritë e veta”, vuri në dukje Indermit Gill, kryeekonomisti për Europën dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore. Ky i fundit, më herët mbajti një leksion në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Ekonomikut, duke u shprehur më drejtpërdrejtë: “Pa reforma, rrezikoni të ktheheni si Greqia”.

 

Parashikimi

Rritja ekonomike, 1.8%

Banka Botërore, në raportin e saj të fundit të perspektivës ekonomike globale, botuar mbrëmë në Uashington, parashikon që ekonomia shqiptare do të rritet me 1.8% në vitin 2013, duke përshpejtuar fare lehtë ritmet në raport me 2012-n, kur ajo u zgjerua me 1.6%. Në 2014-n, vendi do të vazhdojë rritje me ritme të dobëta, me 2%, për t’u përshpejtuar disi vetëm në 2015-n, me 3%, sipas parashikimeve të institucionit ndërkombëtar. Rritja në 2013-n për Shqipërinë do të jetë pak më e ulët se e Europës Qendrore e Lindore (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Gjeorgjia, Kosova, Lituania, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia), që sipas Bankës Botërore do të zgjerohet me 1.9%. Ndërkohë që parashikimi i bankës për Shqipërinë ka mbetur i pandryshuar në krahasim me raportin e janarit 2013, ku pritej një rritje po prej 1.8%. Por qeveria parashikon një rritje ekonomike për këtë vit të paktën mbi 3%.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of