Drejtuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (International Monetary Fund, IMF), Kristalina Georgieva, bëri thirrje për vigjilencë më të madhe mbi sistemin financiar global, gjatë një fjalimi në Kinë ditën e dielë, në të cilin ajo gjithashtu vuri në dukje “fidanet e gjelbër” që shfaqen në ekonominë e dytë më të madhe në botë.
“Rreziqet për stabilitetin financiar janë rritur”, tha ajo, gjatë fjalimit në Forumin e Zhvillimit të Kinës në Pekin.
Georgieva lavdëroi mënyrën sesi politikëbërësit kishin vepruar me shpejtësi, në përgjigje të krizës bankare, duke përmendur bashkëpunimin e fundit nga bankat kryesore qendrore, për të nxitur dhe mbështetur fluksin e dollarëve amerikanë në mbarë botën.
“Këto veprime kanë lehtësuar deri diku stresin e tregut,” tha ajo. “Por pasiguria është e lartë, gjë që nënvizon nevojën për vigjilencë.”
Investitorët globalë kanë qenë në gatishmëri të lartë për shëndetin e sektorit bankar, pas rënieve të papritura të Credit Suisse, Silicon Valley Bank dhe Signature Bank.
Javën e kaluar, shqetësimet rreth Deutsche Bank dhe spekulimet për një nga pagesat e saj të bonove, rënduan gjithashtu në tregje, duke nxitur liderët e BE-së të sigurojnë publikun mbi elasticitetin e sistemit bankar të Europës.
Georgieva tha se FMN-ja po vazhdonte të vëzhgonte situatën dhe të vlerësonte implikimet e mundshme për perspektivën ekonomike globale.
Ndërkohë, ajo përsëriti një projeksion të FMN-së se ekonomia botërore do të shohë rritje të ngadaltë me më pak më pak se 3% këtë vit, për shkak të pasojave të vazhdueshme nga pandemia, luftës në Ukrainë dhe politikave më të rrepta monetare.
Kjo krahasohet me mesataren historike prej 3.8%, sipas Georgieva, dhe nga 3.2% në 2022.
Por ajo gjithashtu vuri në dukje shfaqjen e “fidanëve të gjelbra” në Kinë, ku FMN pret që ekonomia e rihapur së fundi të zgjerohet me 5.2% këtë vit. Kjo është afërsisht në përputhje me objektivin zyrtar të Pekinit prej 5%.
Një rritje e tillë do të shënonte një nivel të ulët historik. Por do të ishte gjithsesi një përmirësim i konsiderueshëm ndaj 3% të regjistruar nga ekonomia e dytë më e madhe në botë vitin e kaluar – dhe do të ndihmonte në mbështetjen e ekonomisë globale.
Rimëkëmbja e Kinës këtë vit do ta lejojë atë të kontribuojë me afërsisht një të tretën e rritjes globale, sipas Georgieva. Çdo rritje prej 1% në rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto kinez, do të ndihmonte në rritjen e ekonomive të tjera aziatike, me një mesatare prej 0.3%, shtoi ajo.
Por drejtuesja e FMN-së u kërkoi politikëbërësve kinezë, të ndërmarrin hapa për të zhvendosur ekonominë e saj dhe për ta “ribalancuar” atë drejt rritjes së drejtuar nga konsumi.
Prirja drejt këtij modeli do të ishte “më e qëndrueshme, më pak e varur nga borxhi dhe gjithashtu do të ndihmonte në adresimin e sfidave klimatike,” tha Georgieva.
“Për të arritur atje, sistemi i mbrojtjes sociale do të duhet të luajë një rol qendror përmes përfitimeve më të larta të sigurimit shëndetësor dhe të papunësisë, për të mbrojtur familjet kundër goditjeve.”
Georgieva bëri thirrje gjithashtu për reforma për të ndihmuar në “barazimin e fushës së lojës midis sektorit privat dhe ndërmarrjeve shtetërore, së bashku me investimet në arsim”.
“Ndikimi i kombinuar i këtyre politikave mund të jetë i rëndësishëm,” tha ajo. / CNN