Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga zoti Srikant Seshadri, zhvilloi një vizitë virtuale në Kroaci, gjatë datave 28 shkurt – 7 mars 2022. Në fund të vizitës, zoti Seshadri dha deklaratën e mëposhtme:
“Rritja ekonomike e Kroacisë në vitin 2021 nga pandemia, ka qenë vërtet mbresëlënëse. Ekonomia ka tejkaluar ndjeshëm pritshmëritë e mëparshme me një rritje prej 10.4% në vitin 2021.
Në vitin 2018, ekonomia ishte rimëkëmbur plotësisht nga tronditja e krizës financiare globale të vitit 2008. Fakti që ekonomia tashmë është rikthyer në nivelet e të ardhurave të vitit 2019, dëshmon rëndësinë e amortizatorëve fiskalë dhe përmirësimin e menaxhimit makroekonomik.
“Konflikti në Ukrainë po hedh hije mbi një perspektivë të fortë ekonomike. Në një periudhë afatshkurtër, politikëbërja makroekonomike duhet të qëndrojë elastike në një botë gjithnjë e më të pasigurt.
Për sa u përket sfidave afatmesme, Kroacia duhet të përdorë në mënyrë efikase shpërndarjen bujare të fondeve të BE-së, të alokuara me qëllim për të ndihmuar në rimëkëmbjen nga tërmetet e fundit, tranzicionin në një ekonomi më të dixhitalizuar pas pandemisë dhe forcimin e kohezionit të BE-së. Ka pasur një fillim të mirë të reformave të lidhura me fondet e BE-së “Next-Generation”.
Ky vrull duhet të vazhdojë. Duhet të pengohen interesat personale që nuk lejojnë përparimin e reformave, të cilat nxisin efikasitetin e ekonomisë kroate. Këto reforma do t’i mundësojnë Kroacisë të korrë përfitimet e adoptimit të euros dhe të rrisë, në mënyrë të qëndrueshme, standardet e jetesës.
Rreziqet inflacioniste afatshkurtra vazhdojnë të jenë të larta, ndërsa çmimet e rritura në tregjet e energjisë dhe të mallrave janë pasoja të konfliktit në Ukrainë. Çmimet e energjisë – dhe për rrjedhojë inflacioni – do të mbeten gjithashtu të larta për një periudhë më afatgjatë.
Së fundmi, autoritetet kanë shpalosur një paketë masash për të lehtësuar një pjesë të barrës financiare mbi popullsinë. Ecuria më e fortë e rritjes ekonomike ka ndihmuar në absorbimin e kostove fiskale të këtyre masave.
Megjithatë, për të ruajtur të ardhurat e shtetit për goditje të mundshme në të ardhmen, këto masa duhet të lejohen të skadojnë pasi t’i kenë shërbyer qëllimit të tyre. Për më tepër, faktorët e brendshëm inflacionistë, duhet të mbahen nën kontroll. Prandaj, rritja e pagave në sektorin publik, duhet të matet me kujdes dhe të kombinohet me reformat e sektorit publik që rrisin efikasitetin, dhe janë përfituese për taksapaguesit.
Perspektivat e ardhshme të rritjes varen nga përdorimi efikas i fondeve të BE-së. Fondet “Next-Generation” dhe ato strukturore të BE-së (në total rreth 30% e PBB-së në pesë vitet e ardhshme), duhet të luajnë rol më të madh në gjenerimin e rritjes ekonomike. Nëse përthithja e këtyre fondeve dhe cilësia e investimeve publike do të përmirësoheshin ndjeshëm, do të përmirësohej edhe potenciali i rritjes ekonomike, si dhe aftësia për të arritur hapin e homologëve të BE-së.
Rritja e investimeve publike duhet të përputhet me një forcë punëtore që është e përgatitur mirë për të lulëzuar në një ekonomi më ekologjike dhe më të dixhitalizuar. Politikat e autoriteteve për të promovuar rikualifikimin dhe ripajisjen e fuqisë punëtore, duhet të plotësohen me masa për të mbështetur krijimin e vendeve të punës në procesin e tranzicionit të gjelbër dhe atë dixhital.
“Nevojitet një sistem i fortë i menaxhimit të investimeve publike për të maksimizuar përfitimet e fondeve të BE-së. FMN-ja është e kënaqur që ka ofruar zhvillimin e kapaciteteve përmes Vlerësimit të Menaxhimit të Investimeve Publike (PIMA), në vitin 2021.
Në përputhje me rekomandimet e PIMA-s, ne mirëpresim krijimin e një funksioni të fortë koordinues qendror në Ministrinë e Financave, të ngarkuar me vlerësimin dhe mbikëqyrjen e projekteve të investimit. Dekarbonizimi i ekonomisë së Kroacisë do të kërkojë reforma të mëdha politike dhe investime të konsiderueshme publike dhe private në të gjithë sektorët.
Kroacia ka akses në burime të konsiderueshme të BE-së për të ndihmuar në mbështetjen e këtij tranzicioni. Nevoja për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike dhe për të zbutur ndikimet e tyre, duhet të merret parasysh si një faktor kyç në projektet e investimeve publike. Autoriteteve u kërkohet të hartojnë udhëzime kombëtare për të lehtësuar këtë proces.
“Sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid, megjithatë vigjilenca e vazhdueshme është me rëndësi thelbësore. Treguesit e përfitueshmërisë së sistemit bankar janë forcuar, së bashku me rimëkëmbjen e vazhdueshme ekonomike. Pesha e kredive me probleme (NPL) ka rënë që nga fillimi i pandemisë (nga 5.5% në fund të vitit 2019), në 4.3% në fund të vitit 2021, për shkak të shitjeve të NPL-ve dhe rimëkëmbjes ekonomike.
Ndonëse stoku i kredive për qëllime të përgjithshme në cash ka rënë që nga tremujori i parë i vitit 2020, kreditë me probleme në këtë sektor janë rritur. Çmimet e shtëpive kanë vazhduar të rriten, veçanërisht në Zagreb. Kjo mund të lidhet me një sërë faktorësh, siç janë blerjet e investitorëve të huaj dhe rritja e kostove të ndërtimit.
Duke pasur parasysh sfondin e përgjithshëm të rreziqeve globale në rritje, autoriteteve u kërkohet të qëndrojnë vigjilentë.