Numri i fondeve të investimit arriti në tetë së fundmi, pas licencimit të dy emrave të fundit nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në mbledhjen e kaluar të Bordit të Komisionerëve.
Shoqëria administruese Raiffeisen Invest që më herët kishte në portofolin e saj Raiffeisen Invest Euro dhe Raiffeisen Prestigj edhe Rafiffeisen Vision, tashmë ka edhe fondin Raiffeisen Miks.
Po kështu shoqëria administuese WVP Fund Management Tirana sh.a tashmë përveç WVP Top Invest do të ketë edhe WVP Global. Të dy fondet e reja që i shtohen tregut do të ketë si depozitar First Investment Bank sh.a.
Njëkohësisht në të njëjtën mbledhje AMF miratoi edhe prospektin e të dy fondeve të reja të investimit që i shtohen tregut.
Të dhënat e fundit statistikore për fondet e investimeve të publikuara në muajin qershor tregonin se vlera neto e aseteve të Fondeve, arriti rreth 65.47 miliardë lekë me një ulje prej 1.3 miliardë lekë ose 1.97%, krahasuar me 31.12.2019.
Ky treg dominohet kryesisht nga investimet në Obligacione Qeveritare, të cilat përbëjnë 69.09% të aseteve të fondeve, me një rritje prej 1.93% krahasuar me 31.12.2019.
Numri i anëtarëve që kishin investuar në Fondet e Investimit më 30.06.2020 ishte 29,897 me një rritje prej 2.24%, krahasuar me 31.12.2019.
Rritja e numrit të fondeve të investimit vjen paralelisht me zgjerimin e kuadrit ligjor nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Ky i fundit në dy vite ka miratuar disa akte që lidhen jo vetëm me përshtatjen e legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian por edhe me plotësimin e kuadrit sipas kërkesave të Moneyval për riskun e parandalimit të pastrimit të parave, një kërkesë kjo që u shtri në disa institucione si Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Qendra Kombëtare e Biznesit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Banka e Shqipërisë./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.