Fondet e investimit, ndryshon rregullorja për raportimin nga shoqëritë dhe depozitarët

20/02/2020 11:00 AM 0 komente

Shoqëritë e administrimit dhe depozitarët e sipërmarrjeve të investimeve kolektive apo siç njihen ndryshe fonde të investimit do të përshtatin formën e re të raportimit të tyre pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare me rregulloren e re. Në një vendim të AMF të janarit të këtij viti përcaktohet se në rregulloren nr. 127, datë 06.10.2011 “Për përmbajtjen e detyrueshme, afatet dhe formën e raporteve të sipërmarrjeve të investimeve kolektive, shoqërive të administrimit dhe depozitarëve” janë bërë disa ndryshime.

Kështu është hequr dublimi i raporteve që kërkohet në pika të ndryshme të rregullores. Është hequr një pjesë tjetër e informacionit të kërkuar pasi këtë pjesë tashmë do ta bëjë vetë sistemi i raportimit. Po kështu është shtuar se  “Raport mbi investimet e sipërmarrjes së investimeve kolektive”, i cili është informacion që aktualisht i kërkohet bankave depozitare me e-mail dhe do të raportohet nëpërmjet sistemit.

Sipas rregullores  raportet mbi vlerësimin e aseteve të sipërmarrjes dhe llogaritja e vlerës neto të aseteve për kuotë/aksion do të përgatitet nga depozitari për sipërmarrjet e investimeve kolektive, për të cilat ai ofron shërbime depozitari dhe të dërgohet tek Autoriteti. Në shtesën që i është bërë kësaj pike caktohet që dërgimi bëhet në në formë elektronike nëpërmjet sistemit pranë linkut vënë në dispozicion në faqen e Autoritetit për këtë qëllim”. Të dhënat ditore të muajit paraardhës do të dërgohen në Autoritet në formë shkresore brenda 3 ditë pune të muajit pasardhës.

Ndryshimi vjen edhe me një shtesë tjetër po në nenin 4 të rregullores për raportimin mbi vlerësimin e aseteve ku thuhet se “Raportet mbi investimet e sipërmarrjes së investimeve kolektive duhet të raportohen nga depozitari në Autoritet, nëpërmjet sistemit pranë linkut vënë në dispozicion në faqen e Autoritetit për këtë qëllim, brenda afateve të përcaktuara për raportimin e pasqyrave financiare nga ana e shoqërive administruese, të referuara në nenin 10, paragrafi 2 dhe 3 të kësaj rregulloreje”.

Shoqëritë janë të detyruara që të paraqesin pasqyrat financiare në formë shkresore dhe elektronike.

Rregullorja ka edhe një shtojcë sa i takon formës së raportimit të aseteve të sipërmarrjeve të investimeve kolektive ku është dhënë një tabelë tip që i përshtatet kërkesave të reja.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of