Shqiptarët kishin të investuara rreth 75 milionë euro në fondet e investimit në valutë të huaj në fund të vitit të kaluar.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se investimet në këto fonde shënuan një rritje të lehtë me 3.4% krahasuar me një vit më parë. Kjo rritje ishte megjithatë ndjeshëm më e ulët në raport me rritjen mesatare të tregut të fondeve të investimit dhe bëri që pesha specifike e aseteve në valutë kundrejt totalit të fondeve të investimit të binte në 11.3%, nga 13% që kishte qenë në vitin 2020.
Nga 11 fonde të investimeve gjithsej të licencuara nga AMF, më shumë se gjysma e tyre ofrojnë investime në valutë të huaj. Numri i tyre është rritur ndjeshëm në dy vitet e fundit. Megjithatë, pesha e tyre në treg ngelet e kufizuar. Një nga shkaqet është se fondet në valutë të huaj kanë një luhatshmëri më të lartë të kthimeve krahasuar me fondet në lekë. Kjo lidhet direkt me strukturën e portofolit të investimeve. Fondet në lekë i investojnë asetet në pjesën dërrmuese në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare. Ndërkohë, fondet në valutë kanë një strukturë më të larmishme të instrumenteve ku investohen kuotat e anëtarëve.
Fondi më i madh, Raiffeisen Invest Euro, ka një profil rreziku relativisht të ulët dhe investimet konsistojnë kryesisht në obligacione të qeverive dhe korporatave të huaja. Megjithatë, edhe për shkak të shkallës më të lartë të zhvillimit dhe të dinamizmit më të lartë që karakterizon tregjet e huaja, sërish kthimet janë më të luhatshme, pavarësisht se instrumentet në vetvete kanë rrezik të kufizuar.
Ndërkohë, disa prej fondeve në valutë të huaj investojnë edhe në aksione, instrumente që kanë një shkallë më të lartë të luhatshmërisë dhe të rrezikut. Vetëm një pakicë investitorësh janë të gatshëm të marrin një rrezik më të lartë, në kërkim të kthimeve më të mirë nga investimi. Shumica e investitorëve preferojnë rrezik minimal investimi dhe në këtë drejtim fondet e investimit në lekë janë dukshëm më të preferuarat.
Mbështetur në të dhënat më të fundit të ofruara nga shoqëritë administruese, për momentin fondet e investimit valutë kanë norma kthimi vjetore negative. Kjo lidhet me gjendjen e trazuar që po kalon ekonomia globale, e ndikuar nga presionet në rritje inflacioniste dhe pasiguria e lartë që ka shkaktuar lufta në Ukrainë. Inflacioni në rritje krijon pritshmëri për rritje të normave të interesit dhe kjo pritshmëri përkthehet në rënie të vlerës së tregut të instrumenteve ekzistuese të borxhit në portofolet e fondeve.
Megjithëse shqiptarët e zotërojnë pjesën më të madhe të tyre në valutë të huaj dhe kryesisht në euro, në pjesën dërrmuese ata preferojnë t’i mbajnë ato në depozita bankare, pavarësisht normave minimale të interesit, shumë afër zeros. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat bankare në euro monedhë në fund të 2021 arritën vlerën e 5.4 miliardë eurove, në rritje prej 17.8% krahasuar me një vit më parë. Në total, depozita në valutë të huaj përbëjnë 51.8% të totalit të depozitave bankare dhe u rritën me afërsisht një pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.