Tregu i fondeve të investimit është rimëkëmbur ndjeshëm këtë vit, pas një cikli disavjeçar në stanjacion, që u theksua edhe më shumë nga shpërthimi i pandemisë.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se në fund të tremujorit të tretë asetet neto të tregut arritën vlerën e 75 miliardë lekëve ose rreth 615 milionë euro. Që nga fillimi i vitit, asetet e tregut janë zgjeruar me 11.5%. Rritja e tregut të fondeve të investimit duket se është ndikuar pozitivisht nga përmirësimet e ekonomisë reale, por pjesërisht edhe një ecuri më e mirë e kthimeve nga investimit, sidomos për fondet në valutë të huaj. Një tendencë e tillë i ka bërë fondet më atraktive për investitorët.
Në fund të tremujorit të tretë, numri i anëtarëve në fondet e investimit arriti në më shumë se 38 mijë, me një rritje prej 16.4% që nga fillimi i vitit. Gjithashtu, një shtysë për rritjen e tregut ka ardhur nga hyrja e aktorëve të rinj në treg. Vetëm vitin e kaluar, AMF licencoi katër fonde të reja investimesh, Albsig Standard, Raiffeisen Miks, WVP Global dhe ABI EIA. Këto katër fonde e kanë rritur aktivitetin kryesisht gjatë vitit 2021 dhe së bashku përbëjnë rreth 1.3% të aseteve neto totale. Sipërmarrësit kryesorë në tregun e fondeve të investimit në Shqipëri janë bankat dhe shoqëritë e sigurimeve. Nga njëmbëdhjetë fonde të licencuara aktualisht, katër administrohen nga Raiffeisen Invest, tre nga ABI Invest, një nga Credins Invest, dy nga WVP Fund Management Tirana dhe një nga Albsig Invest.
Tregu vazhdon të jetë i dominuar nga fondet e administruara nga shoqëria Raiffeisen Invest, me më shumë se 93% të aseteve totale neto të tregut. Fondi Raiffeisen Prestigj në lekë kryeson me 60.6%, i ndjekur nga Raiffeisen Vizion me 21.9% dhe Raiffeisen Invest Euro me 11.25%.
Të ndara sipas monedhës, pjesën dërrmuese të tregut e përbëjnë asetet e fondeve në lekë, ndërsa ato në euro përbëjnë vetëm 12% të totalit. Fondet në euro kanë një luhatshmëri më të lartë dhe aktualisht kthimet prej tyre janë në vlera negative. Pjesa më e madhe e aseteve në euro janë të investuara në obligacione të qeverive dhe korporatave të huaja, ndërsa vetëm një pjesë shumë e vogël investohen në instrumente me rrezik më të lartë, kryesisht aksione.
Fondet në lekë i investojnë kuotat e anëtarëve kryesisht në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare, në mungesë të alternativave të tjera. Kjo i kufizon ndjeshëm hapësirat e diversifikimit të portofoleve dhe të përmirësimit të kthimeve për anëtarët dhe mund të jetë potencialisht një faktor që i kufizon hapësirat e rritjes së tregut. Aktualisht, fondet e investimit në lekë kanë një profil të ngjashëm me njëri-tjetrin dhe ofrojnë kthime pak më të larta se depozitat bankare.
Fondet në valutë të huaj kanë një luhatshmëri më të madhe të kthimeve, sidomos ato që investojnë në aksione. Vitin e kaluar ato pësuan një rënie të ndjeshme, ndërsa këtë vit fondet e investimit në aksione janë në rritje dyshifrore.
Në shumicën e rasteve, kuotat në fondet e investimit janë investime likuide dhe investitori mund të tërhiqet në çdo momet pa humbur përfitimet e akumuluara./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.