Disa prej treguesve kryesorë të fondeve të investimit dhe pensioneve do të publikohen në një platformë posaçme të ngritur nga Bursa Shqiptare e Titujve ALSE. Platforma do të ofrojë informacion të qendërzuar me bazë ditore për çmimin e kuotave, vlerën neto të aseteve dhe profilin e riskut për secilin prej fondeve të pensionit dhe investimeve të licencuara në Shqipëri. Të dhënat do të hidhen në platformë nga vetë shoqëritë administruese, mbi baza vullnetare. Ofrimi i të dhënave në një format të standardizuar dhe në një platformë të vetme e bën më të lehtë krahasimin e tyre, për investitorët dhe për publikun e interesuar.
Tabela e platformës parashikon edhe mundësinë e publikimit të normave të kthimit të secilit fond për periudha të ndryshme kohore. Megjithatë, për momentin shumica e shoqërive administruese kanë preferuar të mos i publikojnë këta tregues, megjithëse në fakt kthimi është një ndër elementët më thelbësorë në vëmendjen e investitorit. Në ditën e parë të funksionimit të platformës, të dhënat e kthimit nga investimi ofroheshin vetëm për fondin WVP Top Invest.
Në prezantimin e platformës, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, tha se ky është një hap që rrit transparencën dhe lehtëson informacionin për investitorët. Duke folur rreth perspektivave të zhvillimit të tregut të kapitalit, Mete tha se AMF ka prioritet hartimin e një dokumenti strategjik për këtë qëllim. Sipas tij, brenda këtij muaji pritet të krijohet grupi i punës që do të hartojë këtë strategji. Një nga hapat e parë do të jetë vlerësimi i parametrave të kompanive publike, për të mundësuar listimin e disa prej tyre në Bursë, në modelin e vendeve të Rajonit.
Bursa Shqiptare e Titujve u licencua në korrik të vitit 2017, ndërsa nisi operacionet në shkurt të vitit 2018, me tregtimin e letrave të borxhit të qeverisë shqiptare.
ALSE dhe depozitari ALREG kanë plotësuar kërkesat ligjore dhe kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme teknike për të mundësuar listimin e titujve të kompanive private.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.