Edlira Konini Administratore e Përgjithshme, Raiffeisen Invest
Shqipëria është relativisht e re në ciklin e saj të zhvillimit të fondeve të investimit. Kufizimet e zgjerimit të këtij tregu janë disa dhe duket se kanë nevojë për më shumë vëmendje.
Edlira Konini, Administratore e Përgjithshme e Raiffeisen Invest, shprehet se përveç edukimit financiar ende të vakët, apo mungesës së një tregu funksional kapitali, një tjetër element që e kufizon këtë treg është mungesa e lehtësive fiskale.
Lidhur me zhvillimet gjatë vitit 2018, Konini vlerëson se 2018-a ishte një vit sfidash për shumicën e menaxherëve të fondeve në botë, pasi tregjet financiare dhanë sinjale paqëndrueshmërie dhe nervozizmi dhe regjistruan tkurrjen më të madhe që nga kriza financiare e vitit 2008.
Si e vlerësoni ecurinë e fondeve të investimit gjatë vitit 2018 për fondin(et) tuaj dhe për tregun në përgjithësi?
Viti 2018 ishte një vit sfidash për shumicën e menaxherëve të fondeve në botë, pasi tregjet financiare dhanë sinjale paqëndrueshmërie dhe nervozizmi dhe regjistruan tkurrjen më të madhe që nga kriza financiare e vitit 2008. Kryesisht, në tremujorin e fundit të vitit, tregjet e obligacioneve dhe aksioneve ranë paralelisht, çka është e rrallë.
Efekti i ecurisë së tregjeve ndërkombëtare u reflektua edhe në fondin tonë në euro, i cili pësoi tkurrje në raport me vitin 2017. Por, pavarësisht kësaj, 2018-a u mbyll me afërsisht 519 milionë euro asete në fondet e investimit nën administrim. Nëse kësaj shifre do t’i shtonim edhe fondin e pensionit vullnetar, totali i aseteve arrin nivelin e 523 milionë eurove.
Gjatë 2018-s, objektivi i Raiffeisen Invest u orientua në menaxhimin e produktit, me fokus final investitorin shqiptar, më tepër se sa në rritjen e aseteve. Ne lançuam me sukses në gusht të vitit 2018 një fond të ri në lekë – Raiffeisen Vizion – i cili është i përshtatshëm për investitorët me një horizont investimi më afatgjatë dhe të gatshëm të marrin përsipër një nivel më të lartë rreziku në raport me fondin tonë të parë – Raiffeisen Prestigj. Fondi rezultoi i suksesshëm, pasi arriti nivelin e 50 milion eurove në fund të vitit dhe regjistroi më shumë se 2.000 investitorë.
Në këtë mënyrë, Raiffeisen Invest ka rritur në 3 numrin e fondeve të saj investimit, si dhe në 5 numrin e fondeve të investimit në treg. Pasi hodhëm themelet e tregut të fondeve të investimit në Shqipëri, të mbështetur dhe në bashkëpunim me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, ne synojmë krijimin e një game të gjerë produktesh në planin afatshkurtër dhe afatmesëm, me qëllim zhvillimin dhe sofistikimin e mëtejshëm të tregut.
Cilat janë zhvillimet që u vunë re gjatë vitit të kaluar në këtë treg, arsyet e uljes me 9.12% e vlerës neto të aseteve në raport me 2017 si dhe rënies së numrit të anëtarëve?
Arsyet janë disa.
Së pari do të përmendja efektin e zhvillimeve në tregjet financiare ndërkombëtare, të cilat u karakterizuan nga tensione gjeopolitike, siç ishin konflikti tregtar midis Kinës dhe SHBA-së, apo Brexit në Europë. Një fond investimi i ekspozuar në instrumente financiare që tregtohen në bursa të huaja dhe të emetuar nga emetues të huaj, detyrimisht do të ndjekë trendin e atyre tregjeve. Kështu, rënia e performancës, e cila karakterizoi shumicën e fondeve në botë vitin e shkuar, pati efektin e vet negativ edhe tek investitori shqiptar. Ky i fundit rriti nivelin e tërheqjeve nga fondi dhe reduktoi thuajse në minimum investimet, çka rezultoi në hyrje neto negative të cilat zvogëluan vlerën e aseteve nën administrim.
Së dyti, tipologjia e investitorit shqiptar. Bëhet fjalë për një kategori investitorësh, të cilët janë më vulnerabël ndaj luhatshmërive në çmimin e kuotës së fondeve dhe për rrjedhim, reagojnë më shpejt në situata tregu të paqëndrueshme. I njëjti fenomen, por në kahun e kundërt po përsëritet gjatë 2019-s ku fondet kanë rezultuar me një performancë shumë të lartë për shkak të fitimeve nga rivlerësimi pozitiv i aseteve: niveli i tërheqjeve është ulur ndjeshëm ndërsa investimet janë rritur.
Cilët janë faktorët që sipas jush kufizojnë rritjen e fondeve, duke e lidhur këtë me edukimin financiar apo elemente të tjera të ngjashme?
Arsyet janë të shumta, por edukimi financiar mbetet një nga mekanizmat kryesorë që ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillimin e tregut të kapitalit në tërësi dhe atij të fondeve të investimit, në veçanti. Njohja e mirë e fondeve të investimit do të stimulonte ofrimin e një game sa më të gjerë të tyre, në përputhje me horizontin e investimit dhe profilin e rrezikut të investitorëve dhe kuadrin ligjor e rregullator në fuqi. Sigurisht, tregu i fondeve të investimit në Shqipëri është mjaft i ri dhe do të ketë një cikël zhvillimi si çdo produkt apo treg tjetër që kërkon kohën e vet për t’u masivizuar. Raiffeisen Invest është pionieri i fondeve të investimit në tregun shqiptar, si shoqëria e parë administruese që lançoi në vitin 2012 dy fonde investimi, një në lekë (Raiffeisen Prestigj) dhe një në euro (Raiffeisen Invest Euro).
Edukimi financiar është një nga objektivat tanë strategjikë që, deri më sot, është realizuar nëpërmjet botimeve me karakter informues dhe edukativ mbi fondet, zhvillimit të eventeve për investitorët, si dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të pasur një nivel sa më të lartë transparence në çdo komunikim verbal apo të shkruar me investitorët. Ne besojmë se transparenca maksimale ndikon në rritjen e edukimit financiar dhe së bashku, përbëjnë një komponent të rritjes së besimit të investitorëve në treg dhe në institucionet financiare – si aktorë të këtij tregu – duke inkurajuar pjesëmarrjen në të.
Një investitor i edukuar është i vetëdijshëm për karakteristikat e fondit ku ai investon dhe rreziqet financiare të lidhura me të, kupton luhatjet e tregut dhe gjen balancën e duhur rrezik/përfitim. Sigurisht ka edhe faktorë të tjerë, që kufizojnë rritjen e fondeve, siç është zhvillimi i kufizuar i tregut të kapitaleve apo mungesa e lehtësive fiskale për fondet e investimit.
Si e prisni vitin 2019, duke pasur parasysh ecurinë e muajve të parë?
2019-a ka qenë një vit i mbarë për tregjet e kapitalit. Aktualisht jemi në një ambient normash të ulëta interesi çka ka ndikuar pozitivisht në performancën e të gjitha fondeve që kemi nën administrim. Brenda vendit, normat e interesit të letrave me vlerë, emetuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë janë në rënie të vazhdueshme që prej tremujorit të 4-t të vitit 2017, kryesisht për shkak të tepricës së likuiditetit.
Nga ana tjetër, duke qenë se Raiffeisen Invest administron edhe një fond në euro, të ekspozuar ndaj tregjeve financiare ndërkombëtare, vendimet e Bankës Qendrore Europiane dhe Federal Reserve, për të mos rritur normat e interesit – lidhur kjo me pritshmëritë në ulje për rritjen ekonomike dhe inflacionin – i kanë dhënë një frymëmarrje të re portofolit të investimeve, i cili përfiton pozitivisht nga rënia e yields të obligacioneve, qofshin këto qeveritare apo të korporatave.
Ne presim që 2019-a të jetë një vit pozitiv për fondet e investimit, për më tepër që ligji i ri “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” mendohet të miratohet brenda vitit. Me konkretisht, Raiffeisen Invest parashikon një rritje të qëndrueshme të aseteve nën administrim, si dhe ka në objektivat e saj afatshkurtër diversifikimin e gamës së fondeve, për t’ju përgjigjur sa më mirë kërkesave dhe pritshmërive të investitorëve, në përputhje me profilin e tyre të rrezikut.
Për më tepër, që nga marsi i këtij viti, Raiffeisen Invest po promovon planet e investimit, nëpërmjet të cilave investitori investon në fondin që i përshtatet në shuma të vogla, në frekuencë mujore dhe mënyrë automatike (pagesa periodike). Ne gjykojmë që planet e investimit, kombinuar me edukimin financiar dhe një kuadër rregullator në mbrojtje të investitorit, janë një mekanizëm nxitës për rritjen e qëndrueshme të fondeve të investimit.
Ka një draftligj “Për sipërmarrjet kolektive”, që është në konsultim, keni dijeni për të dhe a mund të kemi një opinion të përgjithshëm tuajin mbi atë çfarë sjell ky draft i ri?
Po, ka një draft-ligj “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” i cili është ndarë me ne, për komente nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Kemi qenë gjithashtu pjesë e një grupi pune me përfaqësues të Autoritetit, për të dhënë ekspertizë kryesisht ligjore në këtë drejtim.
Sigurisht përshëndesim nismën e Autoritetit për të përmirëruar kuadrin rregullator të fondeve të investimit dhe gjykojmë që efekti do të jetë pozitiv si në aspektin e zgjerimit të gamës së fondeve nëpërmjet strukturave master-feeder, fondeve ombrellë, fondeve të fondeve etj., ashtu edhe në aspektin e mbrojtjes së investitorit. Fondet e ofruara publikisht do t’u nënshtrohen kërkesave specifike të diversifikimit – me qëllim mbrojtjen e publikut nga ekspozimi ndaj niveleve të larta të rrezikut, si dhe marketimit dhe shitjes – për të rritur nivelin e transparencës dhe njohjes së këtyre produkteve financiare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.