Fondet për ndihmën ekonomike me ulje në raport me PBB

14/03/2018 11:00 AM 0 komente

Me Masat e kursimit, të cilat qeveria ka aplikuar nëpërmjet arkës së shtetit vitet e fundit kanë përfshirë edhe fondet e ndihmës ekonomike. Edhe pse INSTAT konfirmoi nëpërmjet anketës së buxhetit të familjes së pabarazia vend është rritur më 2016, fondet që qeveria ka akorduar në formën e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë kane pësuar ulje.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave në vitin 2017 fondet për ndihmën ekonomike ishin sa 1.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, në raport me 1.4 për qind që ishte ky tregues në vitin 2016.
Duke parë ecurinë e shpenzimeve buxhetore për të varfrit në 24 vitet e fundit verifikohen disbalanca të mëdha nga vit në vit, ndryshe nga zërat e tjere të shpenzimeve që në përgjithësi janë në trajektore konstantë rritjeje ose ulje.
Fondet për ndihmën ekonomike kulmuan në vitin 2014 me 1.6% të PBB-së, ky ishte viti i parë kur qeveria socialiste rimori pushtetin pas 8 vitesh në opozite. Ky ishte niveli më i lartë i shpenzimeve të akorduara me PBB që nga viti 1994.
Shpenzimet për të varfërit në vlera monetare neto arritën në 20.7 miliardë lekë në vitin 2017, nga 20 miliardë lekë që ishte vitin e kaluar, teksa në vitin 2014 ishin shpenzuar 22.8 miliardë lekë.
Por nga të dhënat fiskale të muajit janar 2018 shihet se fondi në këtë zë ka pësuar ulje te mëtejshme. Sipas të dhënave zyrtare në janar u shpenzuan 981 milionë lekë ose 15 milionë lekë më pak se në janarin e vitit 2017.
Ndihma ekonomike po kalon një proces reformimi këtë vit, pasi qeveria po aplikon një skemë të re përzgjedhjeve të automatizuar dhe me sistem pikësimi.
Reforma ka krijuar konfuzion në zbatim pasi dhjetëra raste janë përjashtuar nga skema edhe pse jetojnë në varfëri ekstreme. Reforma synon që ndihma ekonomike të përfitohet nga 10 për qind e popullsisë në ekstremin e poshtëm të varfërisë. Deri vitin e kaluar ishin të përfshira 180 mijë familje në skemë, por me aplikimin e skemës së re numri i tyre do të jetë shumë më i ulët.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of