Shtatë sipërmarrje private kanë fituar të drejtën për t’u financuar nga fondet e buxhetit të shtetit si sipërmarrje Start-up. Nga rreth 20 aplikime, Komisioni i Aprovimit të Granteve (KAG) për Fondin Start-up miratoi vetëm shtatë.
Pjesa më e madhe e sipërmarrjeve fituese janë nga Tirana.
Ato u përkasin sektorëve si: artizanati, bimët mjekësore, teknologjia e informacionit dhe komunikacionit, druri dhe tekstilet.
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve hapi zyrtarisht aplikimet në muajin shkurt. Janë rreth 300,000 lekë që mund të përfitohen për të zhvilluar një biznes Start-up. Qeveria lehtësoi kushtet e përfitimit nga fonde, duke bërë të mundur që të përfshihehsin edhe subjektet pa përvojë.
Sipas rregullores, të interesuarit dorëzojnë dosjet me projektet që do të vlerësohen nga Komisioni i Aprovimit të Grantit (KAG), i cili do të mblidhet sipas aplikimeve të paraqitura. Aplikantët e refuzuar do të informohen në lidhje me shkaqet e refuzimit. Për këtë fond mund të aplikojnë kompanitë që mbulojnë: sektorët prodhues dhe të shërbimit, sektorin e industrisë së lehtë, sektorin e turizmit, fushën e kërkimit dhe të zhvillimit, procesin e agropërpunimit, fushën e dizenjimit, modelimit dhe artizanatit.
Fondi ka për qëllim të mbështesë bizneset e sapokrijuara “Start-up” në Shqipëri, nëpërmjet subvencionimit financiar të drejtpërdrejtë. Një sipërmarrje mund të përfitojë maksimalisht 300,000 lekë për projekt. Skema mbulon 70% të shpenzimeve të miratuara brenda limitit të mësipërm. Pagesa e fondit të përfituar bëhet 50% në fillim të projektit dhe 50% në fund.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.