Kompanitë e sigurimit duhet të paguajnë 150 milionë lekë këtë vit për llogari të Fondit të Kompensimit.
Vendimi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare llogarit edhe vlerën e provigjoneve për shpenzime që duhet të pasqyrohet në bilancet e vitit të shkuar.
“Për vitin 2021, masa e Fondit të Kompensimit, të jetë në vlerën 150,000,000 lekë. Provigjonet për shpenzime të Fondit të Kompensimit do të krijohen në vlerën prej 632,369,620 lekë, të cilat do të pasqyrohen nga shoqëritë e sigurimit, në pasqyrat financiare të vitit 2020. Fondi i Kompensimit dhe provigjoni i parashikuar, , do të rishikohen në fund të tremujorit të parë të vitit 2021” thuhet në vendimin e AMF.
Administruese e Fondit të Kompensimit në vendin tonë është Byroja Shqiptare e Sigurimit. Kjo e fundit sipas përcaktimeve që bën AMF duhet të përllogarisë dhe t’ju bëjë me dije pjesën takuese kompanive të sigurimit.
Nga ky fond përfitojnë palët e dëmtuara në një aksident automobilistik brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, shkaktuar nga një mjet i pasiguruar apo i paidentifikuar. Shoqëritë e sigurimit, anëtare të Byrosë Shqiptare të Sigurimit, të cilat ushtrojnë veprimtari sigurimin e detyrueshëm motorik, janë të detyruara të kontribuojnë çdo vit financiarisht në fondin e kompensimit, në përpjesëtim të drejtë me primet bruto, të shkruara në këto lloj sigurimesh, në vitin paraardhës.
Fondi i Kompensimit në shifra
Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se deri në nëntor 2020 nga Fondi i Kompensimit u paguan 341 milionë lekë dëme me një rënie 39.26 për qind në raport të njëjtën periudhë të një viti më parë. Dëmet pezull ishin në fund të nëntorit 802 milionë lekë dukë shënuar një rënie me 15.38 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Dëmet pezull janë të gjithë ato dëme që janë në proces vlerësimi, dëme të miratuara dhe të papaguara apo dëme në procese gjyqësore.
Fondi i kompensimit dhe dëmet e akumuluara nga tregu i sigurimeve u kthyen pak vite më parë në një shqetësim edhe për institucionet ndërkombëtare siç ishte Fondi Monetar Ndërkombëtar i cili propozoi aplikimin e një strategjie për dëmet pezull që në atë kohë kishin arritur nivelin 1.3 miliardë lekë./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.