Dëmet pezull të fondit të kompensimit të Byrosë Shqiptare së Sigurimeve kanë arritur në nivelet më të ulëta prej kohës kur Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e raporton këtë tregues. Statistikat tregojnë se në fund të tetorit, dëmet pezull për t’u paguar nga ky ent zbritën në 812 milionë lekë, 37% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Duke pasur parasysh problematikën që ka ekzistuar para vitit 2017, me shumë të ngjarë, niveli i dëmeve pezull të këtij fondi është sot në nivelet më të ulëta historike.
Gjithnjë duke iu referuar të dhënave të AMF-së, për 10 muajt e këtij viti kompanitë e sigurimeve kanë shlyer rreth 268 milionë lekë dëme për llogari të Fondit të Kompensimit. Kjo shumë është 50% më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, megjithatë rënia e stokut total të dëmeve pezull për t’u paguar tregon se adresimi i problemit të dëmeve të Fondit të Kompensimit është në rrugën e duhur.
Fondi i Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve ka për detyrë pagesën e dëmeve të shkaktuara nga mjetet e pasiguruara dhe të paidentifikuara. Më pas, ky ent ka të drejtë të ngrejë padi regresi ndaj shkaktarit të dëmit në gjykatë dhe të marrë mbrapsht shumën e paguar. Por, funksionimi i Fondit kishte qenë problematik për gati 15 vjet, duke grumbulluar miliarda lekë dëme të papaguara. Funksionimi i Byrosë Shqiptare të Sigurimeve në tërësinë e vet ka qenë problematik, madje për shumë vjet, ky institucion është drejtuar nga drejtorë të pamiratuar nga AMF, siç kërkohet në ligj.
Vetëm pas vitit 2017, edhe si rezultat i presionit kuvendor të Ekonomisë, AMF detyroi Fondin dhe kompanitë e sigurimeve të kryenin pagesat e prapambetura dhe siguroi emërimin e drejtuesve të miratuar nga autoriteti mbikëqyrës. Që nga fillimi i vitit 2017, vlerësohet se Fondi ka paguar mbi 20 milionë euro dëme, ndërsa evidentimi dhe shlyerja e dëmeve është përmirësuar ndjeshëm.
Në projektligjin e ndryshuar “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, parashikohet që fondi i kompensimit do të funksionojë si departament i veçantë brenda Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, me qëllim ndarjen e funksioneve dhe llogarive nga Byroja, që në fakt ka funksione të tjera, të lidhura me administrimin e Kartonit Jeshil./E. Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.