Banka e Shqipërisë bëri të ditur të martën se bankat kanë shlyer plotësisht edhe kontributin e vitit të katërt të për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.
Sipas njoftimit të BSH, në prill të këtij viti fondi u shtua me 664 milionë lekë nga arkëtimi i kontributit vjetor të bankave.
Në total, pas derdhjes së kontributit vjetor të bankave për katër vite që nga themelimi i tij, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme arrin në rreth 2.67 miliardë lekë.
Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u krijua në vitin 2018, për qëllime të zbatimit të instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme nga Banka e Shqipërisë.
Në zbatim të ligjit nr.133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, fondi duhet të arrijë nivelin e synuar prej 0.5% të totalit të detyrimeve të sistemit bankar, të llogaritura si diferencë midis aktiveve totale dhe kapitalit rregullator të të gjitha bankave të licencuara në Republikën e Shqipërisë, brenda 10 viteve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Bankat paguajnë kontribute të rregullta vjetore, me qëllim plotësimin e nivelit të synuar të fondit.
Sipas afatit të përcaktuar në ligj, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme duhet të arrijë vlerën 6.64 miliardë lekë brenda vitit 2027.
Për plotësimin e këtij niveli të synuar, gjatë vitit 2021, kontributi vjetor i sektorit bankar u përllogarit në vlerën 664 milionë lekë. Kontributi vjetor i llogaritur sipas rregullores nr. 56/2017 “Për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe procedurat administrimit të tij”, e ndryshuar, u pagua i plotë në mënyrë proporcionale nga të gjitha bankat e sistemit bankar, brenda datës 30 prill 2021.
Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në përputhje me politikën e administrimit të mjeteve financiare të fondit, politikë kjo që miratohet nga Banka e Shqipërisë.
Ky fond mund të përdoret nga Banka e Shqipërisë për disa qëllime, të tilla si: garantimi i aktiveve ose pasiveve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; plotësimi i nevojës për likuiditet të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; blerja e aktiveve të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, për të kontribuuar në kapital dhe për të siguruar fondet e tjera të nevojshme për bankën urë apo shoqërinë për administrimin e aktiveve; kompensimi i humbjeve të pambuluara që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme; mbulimi i shpenzimeve për administrimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.