Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, KLSH evidenton 4 projekte në kundërshtim me ligjin

07/11/2019 11:14 AM 0 komente

Fondi për Zhvillimin e Rajoneve ka vijuar të ketë një programim jo efektiv, sipas konstatimeve nga auditimet e vitit të shkuar të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

 

Sipas këtyre konstatimeve, ky fond megjithëse është burim financimi për disa programe buxhetore, vetëm programi Infrastruktura Vendore dhe Rajonale është i identifikueshëm dhe del si zë më vete në tabelën fiskale ndërsa të gjitha projektet e tjera, të cilat financohen nga FZHR nëpërmjet programeve të tjera buxhetore raportohen të pa diferencuara.

KLSH shton më tej, se si pasojë është e vështirë të identifikohet vlera totale e investimeve që financon FZHR çdo vit. 

“Konstatohet se plani me ndryshime i programit “Infrastruktura Vendore dhe Rajonale” është 6,900 milion lekë, duke reflektuar diferencë në vlerën 800 milion lekë krahasuar me Aktin Normativ nr. 2 dhe Tabelën e Treguesve Fiskalë, pasi Akti Normativ nr. 2, nuk ka përfshirë dhe nuk ka reflektuar ndryshimet e VKM-së nr. 572, datë 08.11.2018 për transferimin e fondeve. Realizimi në Tabelën Fiskale për programin “Infrastruktura Vendore dhe Rajonale” nuk është i saktë, pasi mungon raportimi për planin dhe faktin e 4 projekteve në vlerën totale 215 milion lekë, fondet e të cilave janë alokuar me VKM-në nr. 438, datë 18.07.2018. “-thuhet në raport.

Nga auditimi është konstatuar se për 4 projekte, kontratat e të cilëve me një vlerën totale 122 milion lekë janë lidhur pas datës 15.10.2018 në kundërshtim me dispozitat ligjore. 

Kontratat e projekteve me Kod M112821 “Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare në fshatin Godvi, Njësia Administrative Zerqan”, M112826 “Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Karbunarë e Vogël” , M112823 “Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare, Tregtan”, M112832 “Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Nënë Tereza”, Laknas”, në ditët e fundit të vitit dhe pas një periudhe kohore 1-9 ditore nga data e lidhjes së kontratës rezultojnë të realizuara në vlerën 25 milion lekë. 

“Ky fakt është shqetësues, ku risku i realizimit joreal për mos djegur planin është i lartë, kërkon menjëherë kryerjen e inspektimeve financiare nga MFE.”-nënvizon KLSH.

Për vitin 2018 konstatohet se për programin 06220 “Infrastruktura Vendore dhe Rajonale” janë paguar detyrime të prapambetura për 84 projekte në vlerën totale 2,255 milion lekë. Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve më datë 16.10.2018 ka marrë Vendim përshpërndarjen fondesh për 14 projekte të reja, në vlerën totale 70 milion lekë, kryesisht rikonstruksion shkollash për arsimin bazë. Pas marrjes së këtij vendimi njësive të qeverisjes lokale u ka lindur e drejta të ndërmarrin angazhime buxhetore pas datës 15 Tetor 2018.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of