Sipas raportit të tremujorit të tretë të 2017 të Auditimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në shkeljet e disiplinës financiare me ndikim negativ në fushën e shpenzimeve, FSDKSH zë një peshë kryesore. Sipas raportit, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ka “shpërdoruar “ 1,819,750 mijë lekë, nga të cilat:
- 533,162 mijë lekë, nuk janë njoftuar organet tatimore dhe nuk janë ndërprerë marrëdhëniet kontraktore për 46 farmaci që kanë rezultuar me diferenca plus dhe minus në barnat e rimbursueshme.
- 490,791 mijë lekë, si pasojë e rimbursimeve të drejtpërdrejta jashtë kompetencave të caktuara me dispozita ligjore.
- 232,485 mijë lekë, si pasojë e pagesës në favor të koncesionarit TVSH në masën 20% për paketën e kontrollit mjekësor (Check-up).
- 205,709 mijë lekë, si pasojë e mos ndërprerjes së kontratave për 20 farmaci të gjetura me shkelje nga DAB e Fondit.
- 178,073 mijë lekë, si pasojë e përfitimit të rimbursimeve për tre subjekte farmaceutike edhe pse janë të proceduara penalisht.
- 61,410 mijë lekë, si pasojë e rimbursimit në kundërshtim me përcaktimet ligjore për katër shtesa ushqimore esenciale të përgjithshme jo barna, nga të cilat tre janë alternativa të para dhe një është zëvendësuese.
- 26,907 mijë lekë, janë paguar nga buxheti për largime të padrejta nga puna për 32 punonjës dhe për asnjë rast nuk është nxjerrë përgjegjësi.
- 19,400 mijë lekë, si pasojë e mbajtjes së pajustifikuar në punë e 58 punonjësve të përkohshëm për plotësimin e kartave të shëndetit.
- 8,115 mijë lekë, rimbursime të padrejta të disa produkteve farmaceutike (suplemente) jo barna.
- 5,522 mijë lekë, si pasojë e miratimit të tre alternativave të para për barin Epoetinë, pa marrë parasysh përcaktimin ligjor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.