Në datë 16 prill 2020 qeveria vendosi përdorimin e një fondi 5 milirdë lekë për financimin e rikonstruksionit dhe ndërtimit të infrastrukturës publike në funksion të rindërtimit të banesave individuale, në bashkitë: Durrës, Kamzë, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak e Vorë dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese për rikonstruksionin dhe ndërtimin e kësaj infrastrukture.
Por këtë të mërkurë me një vendim të ri janë bërë disa ndryshime ku së pari, fondi për këto tetë bashki është rritur në 12.3 miliardë lekë ndëkrohë që përdorimi specifikohet se do t’i shërbejë ndërtimit dhe të rikonstruksionit të infrastrukturës publike në zonat e reja të shpallura për zhvillim, në bashkitë Tiranë, Durrës, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Shijak e Vorë.
Ky fond sipas vendimit do ti kalojë Bashkisë së Tiranës dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
“Fondit Shqiptar të Zhvillimit në masën 3 975 401 851 (tre miliardë e nëntëqind e shtatëdhjetë e pesë milionë e katërqind e një mijë e tetëqind e pesëdhjetë e një) lekë pa TVSH, për financimin e ndërtimit dhe të rikonstruksionit të infrastrukturës publike në zonat e reja të shpallura për zhvillim, në bashkitë Durrës, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Shijak e Vorë.
Bashkisë Tiranë në masën 8 409 984 432 (tetë miliardë e katërqind e nëntë milionë e nëntëqind e tetëdhjetë e katër mijë e katërqind e tridhjetë e dy) lekë pa TVSH, për financimin e ndërtimit dhe të rikonstruksionit të infrastrukturës publike në zonat e reja të shpallura për zhvillim, në Bashkinë Tiranë” thuhet në vendim.
Ndryshon edhe vendimi i 5 marsit për rindërtimin e banesave
Qeveria ka ndryshuar edhe vendimin e saj të datës 5 mars 2020 lidhur me rindërtimin ku sanksionohej se fondi total do të ishte 8.6 miliardë lekë për ndërtimin e banesave individuale. Në vendimin e ri është saktësuar se ky fond është pa tatimin mbi vlerën e shtuar ndëkrohë që sa i takon zbatuesve që janë Bashkia e Tiranës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit detajohet destinacioni që do të kenë paratë.
Kështu në pikën 1 thuhet se përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 8 606 191 662 (tetë miliardë e gjashtëqind e gjashtë milionë e njëqind e nëntëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të banesave individuale dhe ndërtimin e rikonstruksionin e infrastrukturës publike si dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të këtyre banesave.
Pika 2 ka detajuar më shumë sesi mund të përdoren paratë ku thuhet për banesat individuale, infrastrukturën në zonat e reja por dhe jashtë tyre.
“Fondit Shqiptar të Zhvillimit në masën 6 465 467 211 (gjashtë miliardë e katërqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë e katërqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e njëmbëdhjetë) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të banesave individuale, brenda dhe jashtë zonave të reja për zhvillim, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike si dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të banesave individuale, jashtë zonave të reja për zhvillim.
Bashkisë Tiranë i transferohet fondi në masën 2 140 724 451 (dy miliardë e njëqind e dyzet milionë e shtatëqind e njëzet e katër mijë e katërqind e pesëdhjetë e një) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e rindërtimit të banesave individuale, brenda dhe jashtë zonave të reja për zhvillim, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike si dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të banesave individuale, jashtë zonave të reja për zhvillim” thuhet në vendim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.