Kylian Mbappé ka rifituar vendin e parë si futbollisti me vlerën më të lartë, ndërsa Vinícius Júnior është lojtari me rritjen më të lartë të vlerës që nga shkurti, sipas vlerësimeve të përditësuara të Football Benchmark mbi vlerën e tregut të futbollistëve.
Rikthimi i Mbappé në krye të klasifikimit të futbollistëve me vlerën më të lartë është rezultat i rinovimit të kontratës me Paris Saint-Germain deri në fund të vitit 2025. Vlera e tij e lartë shpjegohet, mbi të gjitha, me treguesit e jashtëzakonshëm të paraqitjes. Duke qenë vetëm 23 vjeç, mund të supozojmë se vitet e tij më të mira janë ende përpara.
Erling Haaland, blerja e re e Manchester City, është në vend të dytë. Është interesante të shohësh se vlera e tij e transferimit (60 milionë euro) është shumë më e ulët se vlerësimi i tij në treg, për shkak të një klauzole në kontratën me Borussia Dortmund.
Si pasojë, Manchester City ka shumë të ngjarë të ketë arritur një marrëveshje të mirë me këtë blerje. Nëse në sezonin e fundit te Dortmund, Haaland pësoi disa dëmtime, paraqitjet e mira në Premier League në sezonin e ardhshëm mund të rrisin vlerësimin e tij.
Një tjetër lojtar i ri te Manchester City, Phil Foden, renditet i treti. Foden ka fituar çmimin e Lojtarit më të Ri të Vitit në Premier League për dy sezone radhazi (2020/21 dhe 2021/22) dhe ka pasur rol kyç në fitimin e titullit tjetër të skuadrës në kampionat.
Pesë vendet e para plotësohen me Vinícius Júnior te Real Madrid dhe Jude Bellingham te Borussia Dortmund. Vinícius, protagonisti i vërtetë i sezonit, ishte i rëndësishëm për suksesin e Real Madrid në La Liga dhe në Champions League. Vlera e tij është më shumë se dyfishuar krahasuar me fillimin e sezonit të kaluar, pasi më së fundi, talenti i padiskutueshëm është përkthyer në paraqitje më të mira në fushë.
Në të njëjtën mënyrë, Bellingham regjistroi rritje të ndjeshme të vlerës në sezonin e fundit (rritje më shumë se 40 milionë euro nga shtatori); dhe është në vëmendjen e shumë klubeve me qëllim transferimin.
Është interesante të shohësh se pjesa më e madhe e futbollistëve në top 10 janë 23 vjeç ose më pak. Përjashtimet e vetme janë Bruno Fernandes (27 vjeç) dhe Harry Kane (28 vjeç).
Nuk është befasuese se lista e futbollistëve me rritjen më të madhe të vlerës që nga shkurti përbëhet edhe nga lojtarë të rinj 25 vjeç, ose më pak.
Të gjithë futbollistët e këtij klasifikimi kanë bërë paraqitje të mira në fushë, por ka edhe arsye të tjera të rritjes së vlerës së tyre. Për shembull, Darwin Núñez, Aurélien Tchouaméni dhe Luis Díaz janë transferuar në kampionate të nivelit të lartë dhe kanë nënshkruar kontrata afatgjata në periudhën e analizuar.
Christopher Nkunku te RB Leipzig dhe Ronald Araújo te FC Barcelona kanë zgjatur kontratat dhe si pasojë, vlera e tyre në treg është rritur. Në veçanti, ky klasifikim përfshin shtatë futbollistë sulmues, duke përfshirë tre të parët (Vinícius, Leao e Nunez).
Liverpool, Real Madrid dhe Barcelona kanë të gjitha dy futbollistë në top 10, gjë që tregon një të ardhme premtuese për ta.
Lista e futbollistëve me vlerën më të lartë nën 21 vjeç përfshin vetëm lojtarë të kampionateve Big 5.
Barcelona përfaqësohet nga tre adoleshentë. Një prej tyre, Gavi, 17 vjeç, është një rast interesant.
Ai hyri në top 10, edhe pse kontrata e tij aktuale skadon në qershor 2023 dhe ndërkohë kanë nisur bisedimet për zgjatjen e kontratës me Barcelonën. Në rast suksesi, marrëveshja e re mund të rrisë ndjeshëm vlerësimin e futbollistit në treg.
Vlerat e përditësuara të futbollistëve nga Football Benchmark, konfirmojnë edhe një herë, dominimin e Premier League Angleze (EPL) – tani, të gjithë “gjashtë klubet e mëdha” të kampionatit janë në mesin e dhjetë skuadrave me vlerën më të lartë në botë.
Manchester City FC mbetet në krye, me një avantazh të ndjeshëm mbi Liverpool (i dyti), falë blerjeve të fundit të Haaland dhe Julián Álvarez dhe rritjes së vlerës së shumë prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm gjatë sezonit.
Në veçanti, Manchester City dhe Liverpool janë të vetmet klube, vlera e skuadrës së të cilëve, është më e lartë se 1 miliard euro.
Real Madrid renditet i treti – edhe pse shumë prej lojtarëve të tij kyç janë më shumë se 30 vjeç, me vlerë tregu relativisht të ulët, në skuadër ka tashmë shumë yje të rinj, që janë një mbështetje e mirë për të ardhmen.
/ Football Benchmark