Për herë të parë pas 11 vjetësh, numri 1 nuk është më Angela Merkel. Tashmë, ish-kancelarja gjermane ia ka lënë vendin e parë të gruas më të fuqishme në botë, McKenzie Scott, ish-gruaja e Jeff Bezos, e cila në dy vitet e fundit është bërë një nga filantropet më të mëdha në botë.
Pas divorcit, i njoftuar në 2019-n, Scott u dhuroi 8.6 miliardë dollarë 780 organizatave që luftojnë për kauza të tilla si lufta kundër racizmit, barazia mes gjinive dhe shëndeti.
Në vend të dytë renditet Kamala Harris, zv.presidentja e SHBA-së. Në nëntor, Harris u bë gruaja e parë në historinë e Amerikës e cila mbajti pushtetin presidencial, gjatë 85 minutave kur Joe Biden ishte në anestezi për një kolonoskopi.
Zv.presidentja amerikane, ka fituar një pozicion nga viti i kaluar (renditej e treta), pavarësisht se popullariteti i saj është shumë i ulët dhe media të ndryshme kanë theksuar rolin e saj margjinal në administratë. Podiumi plotësohet me Christine Lagarde, presidente e Bankës Qendrore Europiane (BQE).
Klasifikimi i Forbes i 100 grave më të fuqishme në botë për vitin 2021 përfshin drejtuese kompanish, udhëheqëse politike, personazhe në sport dhe spektakël, dhe një imunologe. 14 gra në klasifikim janë miliardere dhe së bashku zotërojnë 167 miliardë dollarë.
Klasifikimi mbyllet me Frances Haugen, whistleblower e Facebook. Haugen i siguroi Wall Street Journal dhe Securities and exchange commission – mijëra dokumente të brendshme. Këto dokumente, sipas Haugen, tregojnë se shoqëria ka “vënë fitimet e saj astronomike përpara sigurisë së njerëzve”.
Përse McKenzie Scott
McKenzie Scott është gruaja e katërt që zë vendin e parë në historinë e klasifikimit, i cili ka mbërritur në edicionin e 18-të.
2021-shi është vetëm viti i tretë në të cilin Angela Merkel nuk është në krye të klasifikimit. Në 2004, viti i parë i zgjedhjes së Merkel, në krye qëndronte Condoleezza Rice, e zgjedhur nga George W. Bush, si sekretare Shteti, në mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë. Ndërsa në 2010-n, klasifikimin e Forbes e kryesonte Michelle Obama.
Një nga arsyet e zgjedhjes, shpjegon në një artikull Forbes, është se “shumë nga gratë më të fuqishme në botë duhet ende t’u përgjigjen dikujt tjetër”. Kamala Harris, për shembull, është zëvendësja e Biden, ndërsa Christine Lagarde ka pranë 5 anëtarë të tjerë të Komitetit Ekzekutiv të BQE-së. Ndërsa Scott, nga ana tjetër, mund ta përdorë si të dojë pasurinë e saj prej 59.2 miliardë dollarësh. Kjo shifër e bën atë gruan e tretë më të pasur në botë pas Françoise Bettencourt Meyers (94 miliardë) dhe Alice Walton (63,3 miliardë), trashëgimtare të perandorive L’Oréal dhe Walmart.
Scott zgjedh kauzat dhe shoqatat për t’i mbështetur së bashku me të shoqin Dan Jewett dhe disa këshilltarë, por nuk ka një staf për këtë qëllim. Ajo ka zgjedhur edhe një qasje për bamirësi, duke e quajtur “No strings attached”. Me fjalë të tjera, ajo nuk vë kushte. Shoqatat e bamirësisë mund t’i përdorin si të duan paratë.
Drejtueset e kompanisë
40 CEO-t në klasifikim – numri më i lartë që nga viti 2015 – udhëheqin kompani, qarkullimi total i të cilave është 3.300 miliardë dollarë. Më lart nga të gjitha, në vend të katërt, renditet Marry Barra, CEO e General Motors që nga 2014-a. Ajo është gruaja e parë në histori që udhëheq tre grupe të mëdha automobilistike amerikane (GM, Ford dhe Chrysler). Në vitin 2021, Barra njoftoi investime prej 35 miliardë dollarësh në automjetet elektrike dhe me vetëdrejtim dhe premtoi se General Motors nuk do të prodhojë më makina me benzinë pas vitit 2035.
Në vendin e gjashtë renditet Abigail Johnson, presidente dhe CEO e kompanisë shumëkombëshe të shërbimeve financiare Fidelity Investments. Ajo është gruaja e dytë më e pasur në renditje pas McKenzie Scott, me pasuri prej 25.7 miliardë dollarësh.
Johnson i paraprin Ana Botìn ( 7), presidente ekzekutive e Banco Santander, banka më e madhe në Spanjë. Në klasifikim përfshihen edhe Karen Lynch (11), CEO e re e CVS; Carol Tomé (Ups, 12); Emma Walmsley (GlaxoSmithKline, 13, gruaja e parë e cila drejton një kompani të madhe farmaceutike); Jane Fraser (Citigroup, 14, e cila këtë vit u bë gruaja e parë e cila drejtoi një nga bankat e mëdha të Wall Street) dhe Susan Wojcicki (YouTube, 18).
Në renditje, në vendin e 48-të, shfaqet Özlem Türeci, imunologe e cila themeloi BioNTech së bashku me bashkëshortin, Uğur Şahin, dhe luajti rol vendimtar në zhvillimin e vaksinës kundër Covid në bashkëpunim me Pfizer.
Në anën tjetër, shumë gra kineze kanë humbur pozicione në renditje, për shkak të politikave të qeverisë të cilat kanë kufizuar autonominë e kompanive. Ky është rasti i Dong Mingzhu, president i kompanisë së pajisjeve elektroshtëpiake Gree Electric, e cila ra në vendin e 58-të (nga 47), dhe Joey Wat, CEO i gjigantit të fastfood, Yum China.
Figurat politike
Përveç Kamala Harris, klasifikimi përfshin edhe dy protagoniste të politikës amerikane Nancy Pelosi (15), kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, dhe Janet Yellen (39), sekretare e Thesarit. Në Europë, pas Christine Lagarde qëndron Ursula von der Leyen (8), presidente e Komisionit Europian.
Menjëherë pas Leyen është Tsai Ing-wen, presidente e Tajvanit, e cila po punon për të mbrojtur demokracinë, pavarësisht presioneve kineze. Mbetemi në Azi, ku në vendin e 59 është Yuriko Koike, guvernatorja e Tokios që nga 2016 dhe gruaja e parë që mbulon këtë rol, e cila duhej të menaxhonte edhe organizimin e Lojërave Olimpike në mesin e pandemisë.
Në listë janë edhe drejtuesja operative e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva (22); kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern (34), si dhe kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin (83 ), e cila në moshën 36-vjeçare është një nga kryeministrat më të rinj në botë dhe një nga tre të rinjtë nën 40 vjeç në klasifikim.
Renditja vijon me Elvira Nabiullina (60), ish-këshilltare ekonomike e Vladimir Putin, e cila në 2013 u bë gruaja e parë që udhëheq Bankën Qendrore të një vendi të G8, dhe Magdalena Andersson (82), prej disa ditësh, gruaja e parë kryeministre në historinë e Suedisë. Mbretëresha Elizabeth (70) humbet 24 pozicione, edhe për shkak të skandaleve që kanë dëmtuar imazhin e monarkisë angleze, si përfshirja e Princit Andrew në çështjen Epstein dhe akuzat për racizëm drejtuar familjes mbretërore nga Meghan Markle.
Yjet në botën e spektaklit
Gruaja më e fuqishme në botën e spektaklit është sërish Oprah Winfrey, në vendin e 23-të. Taylor Swift, e 78-ta, 31 vjeçe, është gruaja më e re në klasifikim. Aktorja më e pasur e Hollywood, Reese Witherspoon, renditet e 74-ta, ndërsa Beyoncé, e cila ka fituar më shumë çmime në historinë e Grammy, renditet në vendin e 76-të.
Rihanna renditet në vendin e 68-të, e cila u bë miliardere në gusht. Serena Williams, e 85-ta, është e vetmja atlete në klasifikimin e Forbes të “Grave më të fuqishme në botë për vitin 2021”.
/ Forbes