Marrëveshjet e reja me televizionet lokale, stadiumet e reja dhe popullariteti ndërkombëtar i basketbollit vijon të rrisë vlerën e NBA.
Një skuadër e NBA vlen mesatarisht 1,9 miliardë dollarë, në rritje me 13% krahasuar me vitin e kaluar dhe thuajse tre herë më shumë se 5 vjet më parë.
Në krye të klasifikimit të Forbes është New York Knicks, me vlerë 4 miliardë dollarë, në rritje me 11% krahasuar me një vit më parë. New York Knicks është, së bashku me New York Yankees (bejsboll), skuadra e dytë më e pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas Dallas Cowboys (futboll amerikan), e cila vlen thuajse 5 miliardë dollarë.
Siç shkruajnë Kurt Badenhausen dhe Mike Ozanian për Forbes.com, Brooklyn Nets, Charlotte Hornets, Dallas Mavericks dhe Portland Trail Blazers kanë nënshkruar marrëveshje të reja me televizionet lokale. Ndër të tjera, Bucks përuruan para pak muajsh stadiumin e tyre të ri Fiserv Forum, i cili kushtoi 524 milionë dollarë.
Ndërkohë Minnesota Timberwolves dhe Utah Jazz kanë investuar më shumë se 100 milionë dollarë për ristrukturimin e stadiumeve të tyre, kurse Atlanta Hawks synojnë ristrukturimin e stadiumit të tyre State Farm Arena, i cili përllogaritet në 193 milionë dollarë.
Popullariteti botëror i këtij sporti ka rritur edhe numrin e investitorëve. Vitin e kaluar, bashkëthemeluesi i Alibaba, Joe Tsai bleu 49% të aksioneve të Brooklyn Nets, me synimin për të blerë pjesën më të madhe të aksioneve në dy vitet e ardhshme, skuadra vlen rreth 2,3 miliardë dollarë.
Knicks nuk kanë pasur sezone të mira në 18 vitet e fundit, me vetëm dy sezone të fituara dhe 12 trajnerë të ndryshuar. Skuadra ka regjistruar rekordin më të keq në këtë sezon të NBA. Por janë në krye të klasifikimit të Forbes për vitin e katërt me radhë. Ristrukturimi i stadiumit Madison Square Guarden, në vitin 2013, 1 miliard dollarë, ka sjellë mundësi të reja fitimesh.
(Klasifikimi i plotë i Forbes https://www.forbes.com/nba-valuations/list/#tab:overall)
Burimi: Forbes